Gjatë vitit të fundit, të gjithë nga projekti konservator “E drejta mbi krimin” e deri tek lëvizja “Black Lives Matter” e kanë nxjerrë reformimin e drejtësisë penale në ballë të debateve politike. Ende politikanët e të gjitha niveleve qeveritare mbeten pothuajse krejtësisht të heshtur në lidhje me një nga krizat më të mëdha me të cilat përballet drejtësia penale: kolapsi i plotë i mbrojtjes së të skamurve.
Në rastin ikonë “Gideon v. Wainwright” në gjykatën e Lartë, mbajtur në vitin 1963 u vendos që shteti apo qeveria lokale duhej të mundësonte një avokat për çdo të pandehur që përballej me burgun e që nuk mund të punësonte avokatin e tij. Ky nuk ishte një vendim i parëndësishëm. Afërsisht 80 për qind e të gjithë të pandehurve penalë në Shtetet e Bashkuara kualifikohen për t’u pajisur me një avokat nga shteti.
Pavarësisht kësaj garancie kushtetuese, ende, shteti dhe kontetë shpenzojnë për avokatët që u mundësojnë të varfërve vetëm 2.3 miliardë dollarë – gati 1 për qind të më shumë se 200 miliardë dollarëve qeveritarë që shpenzohen çdo vit për drejtësinë penale.
Ka edhe më keq, që nga viti 1995, shpenzimet reale për mbrojtjen e të varfërve kanë rënë, me 2 për qind, madje edhe kur rastet e keqbërjes janë rritur me afërsisht 40 për qind.
Jo habitshëm, mbrojtja publike e gjen veten të shterur nga burimet ndërsa përballet me sasi të pamundura rastesh, diçka që përbën një tallje me idenë e drejtësisë për të varfrit.
Në Fresno të Kalifornisë, për shembull, avokatët publikë kanë një barrë të madhe rastesh që janë katër herë më shumë sesa maksimumi i rekomanduar prej rreth 150 rastesh. Në Minesota, një mbrojtës publik që u vëzhgua nga një gazetar, doli se kishte rreth 12 minuta kohë për t’ia kushtuar çdo klienti atë ditë. Nuk ka asnjë mënyrë që këta avokatë të mund të menaxhojnë rastet që u hidhen mbi shpinë.
Në Nju Orlins, ngarkesa është kaq e madhe saqë zyra e mbrojtjes publike të qarkut ka nisur të refuzojë të marrë rastet përsipër, duke përfshirë edhe rastet e vrasjeve. Zyrat e mbrojtjes publike në shtete të tjera, mes të cilave në Florida, Misuri, Nju Jork dhe Pensilvani, kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm kur ngarkesa e rasteve është bërë shumë e rëndë.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, 43 shtete tashmë u kërkojnë të pandehurve të skamur të paguajnë vetë të paktën një pjesë të tarifës së avokatit, madje edhe kur këta të pandehur janë sipas të gjitha përcaktimeve, padiskutim të varfër.
Situata në Dakotën e Jugut nënvizon çmendurinë e gjithë kësaj. Dakota e Jugut e ngarkon një të pandehur me 92 dollarë në orë për shërbimin e avokatit publik, pavarësisht rezultatit në gjykatë. Nëse një mbrojtës publik shpenzon 10 orë duke provuar se klienti i tij është i pafajshëm, i pandehuri i detyrohet avokatit 920 dollarë, edhe pse nuk ka kryer asnjë krim dhe se arrestimi i tij është gabim.
Mospagimi është krim. Dikush që kualifikohet si i varfër mund të shfajësohet nga akuza, vetëm se do të dënohet se është shumë i varfër për të paguar shërbimet ligjore që Kushtetuta ia ngarkon shtetit për t’i paguar.
Kjo nuk është drejtësi.
Ka, sidoqoftë, një rrugëdalje nga e gjitha kjo, një që kandidatët presidencial të të dyja kampeve duhet ta përqafojnë, një që duhet të ketë mbështetje të gjerë dypalëshe. Dhe është një qasje për të cilën nuk flet askush.
Qeveria federale, e cila tani mundëson vetëm pak milionë dollarë në vit për të mbështetur shërbimet e mbrojtjes publike për të varfrit, mund të japë një grant të përvitshëm prej 4 miliardë dollarësh për shtetet e qeveritë lokale në shërbim të mbrojtjes publike. Bëhet fjalë për vetëm 0.3 për qind të buxhetit të qeverisë federale prej gati 1.2 trilionë dollarësh. Këto para do të trefishonin shpenzimet për mbrojtjen publike të të varfërve, sidomos nëse granti do të lidhej me shpenzimet ekzistuese të qeverive lokale, kështu që ato do të mund të reduktonin shpenzimet e tyre baraz me grantin e marrë.
Për demokratët, ky plan do të targetonte koston e madhe të varfërisë dhe pabarazisë dhe, për shkak të lidhjes midis pasurisë dhe rracës, do të trajtonte edhe të paktën disa nga mungesat e ballancës që lejon sistemi i drejtësisë penale.
Për republikanët, të cilët shqetësohen për kapjen tej kufirit të shtetit dhe aftësinë e qeverisë për të shtypur qytetarët, rritja domethënëse e mbrojtjes publike do të siguronte që edhe të varfërit, gjithashtu, të jenë në gjendje të kontrollojnë shtetin pikërisht kur ai është në ushtrim të plotë të pushtetit.
Financimi i mbrojtjes për të varfrit do të ndihmonte gjithashtu, edhe zvogëlimin e burgimeve masive, një qëllim që e kanë të përbashkët të dyja palët. Nga kërkimet e mia duket se burimi kryesor i rritjes së popullatës së burgjeve që nga vitet 1990 deri në vitet 2000 kanë qenë paditë për keqbërje të prokurorive ndaj më shumë të arrestuarve, shumë prej të cilëve në të kaluarën do të ishin përballur me akuza më të lehta ose nuk do të ishin akuzuar fare.
Duke siguruar që kundërshtarët e prokurorëve të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre në mënyrë kompetente, kjo do të zbehte agresivitetin e procedimeve.
Dukshëm, ndërsa ngarkesa e mbrojtësit public ka arritur kulmin nga rrudhja e buxhetit, ngarkesa e prokurorëve duket se ka qenë relativisht e qëndrueshme, pasi financimi dhe punësimi i prokurorëve të rinj është rritur mjaftueshëm në 20 vjetët e fundit. Mbrojtësit publikë e gjejnë veten në një dizavantazh që shtohet, e që me siguri kontribuon në paqëndrueshmërinë e kombit për të kontrolluar vërtet rritjen e popullsisë së burgjeve.
Nëse mbrojtësit do të ishin të mirëfinancuar dhe një përfaqësim efektiv, sistemi ynë përballës do të kryente atë që është hartuar të kryejë. Ajo që kemi tani, sidoqoftë, thjesht nuk është përballës: zyra relativisht të mirëfinancuara e të pajisura me staf të prokurorive tejkalojnë dyfish mbrojtësit publikë, ngarkesat e të cilëve sfidojnë imagjinatën.
Financimi i mbrojtjes publike do të bënte të mundur që të drejtat kushtetuese të të varfërve të mbroheshin, e do të avanconte përkushtimin e drejtësisë, një ideal i përbashkët i liberalëve dhe konservatorëve, e do të ndihmonte reduktimin e përshkallëzimit masiv të popullatës së burgjeve.
Ky propozim është edhe i arritshëm, i lirë sipas standarteve federale dhe do të kishte efekte të fuqishme afatgjata.
*John Pfaff, profesor në shkollën e ligjit “Fordham” është autor i një botimi mbi arsyet e vërteta të rritjes së popullsisë ne burgjet amerikane dhe i disa propozimeve sesi duhet të arrihet reforma reale. Opinioni është botuar nga gazeta “New York Times”.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/