Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Gerti GJYZELI: Info overload…

“Mbingarkesë informacioni”. – Këto ishin fjalët që afrikanojugori Stephen Mcgown zgjodhi për të përshkruar një pjesë të realitetit që po përjetonte kur ju kthye jetës normale pasi qëndroi për rreth gjashtë vite i mbajtur peng në hapësirën e gjërë të shkretëtirës të Saharasë.

Përgjatë kësaj kohe ai pati mundësinë të shihte shumë herë rradhazi shtegtimet vajtje – ardhje të zogjve duke kaluar në qiellin mbi Sahara, të shihte lindjet dhe perëndimet mahnitëse në shkretëtirë, të ndjente vapën mbytëse të ditës dhe acarin e natës, por nuk mund të mësonte se çfarë ndodhte nëpër botë duke përfshirë dhe faktin nëse dikush po interesohej për lirinë e tij ose jo.

Në këto vite që ai qëndroi i mbajtur peng (2011 – 2017) ndodhi dhe kapërcimi i madh teknologjik me pajisjet smart dhe me përhapjen në masë të rrjeteve sociale, të cilat e bënë marrjen dhe dhënien e informacionit më masiv dhe rrjedhimisht më të lodhshëm për memorien tonë.

Duke u shkëputur nga kjo ngjarje dhe duke marrë shkas njëkohësisht nga ajo, është e nevojshme të fokusohemi tek pesha që ka informacioni që ne marrim e japim pa teklif në kohën ku jetojmë.

Ndërkohë që përpiqem të bëj një klasifikim të vogël në formë testi për të kuptuar se kush informacion të hyn në punë e kush jo, me një sulm jo të mirëorganizuar të memories të vijnë në mendje një mori fjalësh a fjalish herë në formë pyetjesh e herë në formë përgjigjesh si:  PD-së ja vodhën zgjedhjet apo ja fituan?

Ku është Sali Berisha dhe qytetari (ose fshatari) anonim dixhital?

Edi Rama çfarë ka qenë, çfarë është, e çfarë ka dëshirë të jetë?

Princi Filipi vdiq.

Bill dhe Melinda u ndanë.

Një psikologe e njohur fëmijësh keqtrajton emocionalisht fëmijët në një spektakël televiziv!

Mianmari u kthye ku ishte.

Ku është Trump?

Kina është menaxhuesja më e mirë e komunizmit por çuditërisht dhe e kapitalizmit!

Sërisht po Kina di të dërgojë sonda në hapësirë por nuk di si t’i ulë në tokë.

Putin të vret natën e nuk të qan ditën.

Ilir Meta u qetësua!

Mustafa Nano i bën kritikën vetes kur s’merret kush me të(qesharak).

Një u vra sot, një u aksidentua dje.

Zonja Eni te qan hallin.

Artur Zheji kishte rrjedh!

Covid po zvenitet momentalisht në Shqipëri dhe kund tjetër ndërsa po bëhet nami në Indi.

Luftë diku, armëpushim diku tjetër, etj……..:

Mos kalojmë pastaj tek Facebook, Instagram, Tweeter, Tik Tok etj, ku shumëkush të tregon se ku ishte sot, ku do të ikë nesër, cfarë hëngri në drekë, sa bukur del në foto, sa smart është dikush por dhe sa tarallak është një tjetër.

Ku sheh ndër të tjera sa lajke merr, sa friends grumbullon, kë ka shok e kë ka çun xhaje e shumë gjëra të tjera.

Këto janë efekte deri diku personale pasi për të kuptuar se çfarë gjëme mund të shkaktojë hiperinformacioni në publikun e gjërë dhe bashkë me të dhe rreziku i keqinformimit, mjafton të shohim si shembuj atë të ndikimit të ish-presidentit amerikan Trump në turmat e ndjekësve të tij, apo ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale amerikane, apo rezulatatin e pamenduar dhe shokues të Brexit etj.

Po ashtu mund të shohim dhe si ndikon hiperinformacioni dhe keqinformimi  (i qëllimshëm apo jo) në mobilizimin e turmave në vende të ndryshme të botës: si në mobilizimin e ekstremistëve të djathtë e të majtë, të ambienatistëve, të jelekverdhëve, të pesë yjeve, të kundërshtarëve të masave izoluese, apo dhe të turmave të të fandaksurve mbas teorive të konspiracionit të cilët së fundmi dhe me daljen e Covid kanë kaluar në një afishim të shfrenuar të shumë budallallëqeve të tyre të cilat me keqardhje do vesh re se i shohin herë si të vërteta dhe herë si të mundshme.

Për mos t’u zgjatur më tej, ndoshta është me vend të thuhet se me një masivitet të tillë informacioni dhe me rrezikun e transformimit të tij në një “ankth informativ”:, është e nevojshme të lehtësohemi e të çlirohemi sadopak nga kjo “pengmarrje virtuale”, sigurisht duke mos e përfytyruar veten në qetësinë e shkretëtirës të Saharasë si personazhi i fillimit të këtij shkrimi, por të paktën duke ëndërruar si ai atëkohe, për pak Liri! /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts