Lajmet flesh
Nga 365 ditë s’mbahet mend të ketë kaluar edhe një mëngjes i vetëm pa i terrorizuar qytetarët e shumë së përfolurës Republikë të Kosovës. Përveç Serbisë, fajin për gjendjen tonë të mjerueshme e kishte Arabia Saudite, Afganistani, Koreja e Jugut, Meksika, Siria, Egjipti, Nigeria, ISIS-i dhe radikalistët e tjerë myslimano-arabë të të katër anëve të globit. Kuptohet që pengesa më e madhe për zhvillimin ekonomik ka qenë diplomacia serbe, në ndërveprim me vëllezërit tanë nga Turqia. Kurse, sa i përket gjymtimit kulturor, nuk mund të mos përmendet fakti se otomanët na kanë cunguar, prandaj as kësaj radhe s’na lanë me botu libra të mirë, me shiju muzikë të mirëfilltë, apo me pa një shfaqje për së mbari. Për motin me vransina dhe reshje lokale, fajin e pati Bashkimi Europian, kurse për mospranimin në UNESCO duhet me u anku për gratë me shami! S’do mend që, mbi të gjitha, për mospërdorimin e ë-së fajin e kanë jobesimtarët. Për varfërinë dhe gjendjen e rëndë në shëndetësi pyetjet shkojnë tek të papunësuarit, kurse ankesat për sistemin e pasistemum të arsimit mund të drejtohen te prindërit me karta krediti, hoxhallarët, priftërinjtë dhe artistat me botë të kryeqytetit. Politikanët janë si përherë, të pafajshëm. Brishtësia e tyre i tejkalon gjynahet!
Me e vrojtu njeriun
Me e vrojtu njeriun është një soj ndjesie e përçudshme. Ndonëse brenda tij fshehen oqeane bojnash, ai akoma mbetet një qenie e hutuar në ngushtësinë e vet. Njeriu priret fort kah e keqja, ani se e mira i ngjitet mbas, si shpalosje e dritës në udhështrirjet plot terr. Megjithëkëtë, ne rrallë vetëshpalosemi deri në natyrshmëri, për t’u çliruar kështu nga vargonjtë e rëndë të hipokrizisë së mveshur prej mosdijes. Prandaj, gjithë kjo tkurrja shoqërore që na përplaset fytyrës është si faturë për heshtjen kolektive karshi triumfit të së keqes.
Për kurdisjen e sahatit të së keqes ka plot duar që punojnë pa pushim. Në këtë zallamahi ligësish, dhimbja bashkëjeton me zhgënjimin, e kësisoj zhbëhen ëndrrat.
Shqiptarët dhe shpërnguljet
Karvanit të të korruptuarve i janë shtuar edhe në 2015-tën dhjetëra emra e mbiemra, pa dhe me gjini, të cilët përfituan nga kriza politike. Ky fakt u përcoll me pamje shastisëse qysh në fillim të vitit, kur mijëra familje e lëshuan Kosovën. S’do mend që zhgënjimi i njerëzve normalë me shtetin është i pamatshëm. E si për ironi të fatit, edhe mbas arratisjeve vështirësitë u shtuan për shqiptarët që morën udhët, sidomos kur erdhi koha e rikthimit, meqë, siç u mor vesh, vendet europiane s’kishin nevojë për azilkërkuesit shqiptarë. Popull pa fat!
Raporte serioze, të shkrume me barut!
2015-tën e dogjëm kot, duke u marrë me ca raporte gjysmake, që u nxorën prej fondesh gjigande të të huajve. Raporte këto që s’ja u pa hajrin askush. Sepse, në thelb, veçmas përqasjes së gabuar, pati edhe pasaktësi në përdorimin e termave dhe gabime metodologjike të theksuara. Kështu, raportet që shumë pluhur ngritën, s’u futën në punë për askënd, açik atyre që i shkruajtën.
Nuk mund të mos përmendim luftën serioze të qeverisë, policisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, kundër ekstremizmit, radikalizmit, terrorizmit, e çdo izmi tjetër. Për hir të miqësisë me ndërkombëtarët perëndimorë, edhe këtij viti i erdhi era “përrallë me tupan”. S’lamë gjë pa thënë e pa shkruar për njëri-tjetrin, e s’mbet kush pa u sharë e përqeshur.
Me rëndësi, me na dashtë Amerika!
“Burrat e fortë”
Me emocione mund të thuhet se viti që lamë ishte viti i burrit të fortë pa burrni.
Si përherë, nënat janë sharë me shumicë, prej filanit dhe fistekut. S’mund të anashkalohet nervoza e burrit (e as gruas) pa këputur mallkime të trishta dhe të pista, përcjellur me emrin ma të bukur e ma të shenjtë; nënë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në çdo cep të atdheut trim janë dhunuar, ngacmuar, nënçmuar e masakruar gratë, nënat, motrat dhe bijat tona.
Njeriu, pra, ndonëse i qëndisun me dashni, mbërrijka me u dalldis prej egos deri në tëhuajsim.
Injoranca në aksion
Si kaherë, sistemi i arsimit as në vitin që lamë pas nuk arriti të reformohet mirëfilli, meqë, fundja, dija nuk qe në krye të axhendës së qeverisë. Sistemit tonë politik dhe pseudoelitës kosovare sikur i leverdis shtimi i injorantëve dhe shpërlarja e trurit. Pak studentë dinë sot të mendojnë ndryshe; veç disa sosh dalin përtej kutisë së paracaktuar. Ne akoma vuajmë prej komplekseve të ndërtuara mbi të kaluarën, por edhe mbi të tashmen. Librat tanë janë të stërmbushur me shkronja, por pak mësues, arsimtarë e profesorë japin më shumë se sa fjalë pa vlerë për nxënësit e dijes.
S’mund të mos rikujtojmë qindra eurot e thithuna prej kurseve private të mësuesve e profesorëve. Ata kanë qenë dorëlëshuar në shitjen e notave, pa dhe me faturë. Paralelisht, sikur nxënësit/studentët, njësoj arsimtarët/profesorët kanë lexuar shumë më pak se ç’kanë shkruar statuse në facebook. Krejt në fund, lum si ata që kanë prindër a kushërinj në poste qeveritare!
Moti i ri për popullin e vjetër
Fillimviti hiç më ndryshe se fundviti; erdhi me krisma. Tek-tuk ndonjë grua a burrë e/i vrarë, fëmijë të uritur, rrugët plot borë, shtëpi pa çati, si dhe shumë zhurmë në televizione. S’do mend se programet për vitin e ri ishin pothuajse të gjitha 18+, kurse deliri i madhështisë derdhej tek takat dhe kollaret e laguna me bojë kineze.
Pak prej “lodhjes së pushimeve”, e shumë prej lodhjes nga jeta, njeriu, mu ky njeriu i shpërfillur, tëhuajsuar e tjetërsuar, sido që të jetë, para se ta zëjë gjumi do risjellë në mend faktin se ndërrimet kalendareske s’janë aspak premtuese për shpresën e varur tek qeveria. Hipokrizia jonë shoqërore që përcjellet me tone të theksuara, kompleksiteti në raport me Perëndimin dhe Lindjen, na ka çveshur prej së vërtetës. Ndonëse dhunohemi për ditë nga sistemi politik, ne vazhdojnë t’i mitizojmë ata që në realitet janë dhunuesitë tanë. Mitet kanë ushtruar prej kohësh influencën e tyre, nëpërmjet së cilës janë turbulluar ujërat e meritokracisë me ato të korrupsionit. Nga ana tjetër, “thyerja e tabuve” me metoda “progresive” na kallëzoi se shqiptarët nuk janë edhe aq mendjehapur, kurse nevoja për t’u rikthy në natyrshmëri është imediate. Mungesa e shpirtit kritik mes shqiptarëve të Kosovës është fakt i patjetërsueshëm. Bashkë me reformat arsimore, krijimin e vendeve të reja të punës, përpilimin e strategjive për siguri të jashtme dhe stabilitet të brendshëm, njeriu “modern” i Kosovës së gjymtuar ka nevojë të veçantë për të patur një grimcë hapësire brenda së cilës do zhvillonte veten e tij si qytetar punëtor, i ndershëm dhe i dobishëm për shtetin, si qytetar i cili mendon për tjetrin po aq sa për veten, e nuk shkel atë që s’është e tija. /tesheshi.com/