Natën, pas disa ditë debatesh, qeveria shqiptare prishi një kishë ortodokse në fshatin Dhërmi të Himarës. Si gjithnjë, kuptimi i vërtetë i asaj që po ndodhte humbi duke prodhuar “ informacion” nga dhjetëra drejtime dhe duke mbushur përplot të gjitha mediat. Deri edhe drejtori i Agjencisë për Legalizimet, Artan Lame, dha opinion, duke thënë se, “….herën e fundit që feja fitoi mbi shkencën, puna përfundoi me turrën e druve”.
Për ngjarjen u shprehën deputetë, shkrimtarë, piktorë, ministra, kryetari i bashkisë së Himarës, përfaqësues të Kishës Ortodokse, etj. Filozofi Jean Baudrillard, një nga mendjet e rëndësishme të shekullit të kaluar, ka folur gjerësisht mbi groposjen e kuptimit të gjërave si pasojë e shpërthimit të tyre së brendshmi. Faktor bazë për këtë groposje, sipas tij, të kuptimit është mbytja e opinionit me informacione të ndryshme.
Kjo ndodhi saktësisht në rastin e prishjes së kishës. Pavarësisht se në thelb kemi të bëjmë me një ndërhyrje brutale në punët e fesë (Kishës Ortodokse), diskutimet u rrotulluan rreth patriotizmit, trashëgimisë historike, Janullatosit, kulturës sonë të vjetër, shovinizmit të Greqisë, etj. Në qoftë se do të përdorim në diskutime të tilla kategori si patriotizmi, kultura jonë e vjetër, qëndresa epike kundër pushtuesit, Janullatosi si grek, roli i Kishës Ortodokse në vrasjen e Pandeli Sotirit, feja si errësirë, kryqi dhe turra e druve si antishkencë, mjekra si terrorizëm, etj., atëherë ne e kemi zgjidhur automatikisht këtë çështje. Perëndimi ka zhvilluar për më shumë se dy shekuj një qasje krejt të kundërt nga kjo.
Në fakt, vetë Perëndimi ka vuajtur në momente të caktuara nga dhuna e egër antifetare, nga pikëpamjet radikale që kërkonin zhdukjen e fesë. Revolucioni francez mbylli kishat, çoi në gijotinë mijëra priftërinj dhe njerëz të fesë. Volteri, Rusoi, Dideroi bënin thirrje haptas për kthim në “natyrshmëri”, për kthim në gjendjen e lumturisë që bëhet me ndihmën e “progresit të arsyes”, etj. “Feja e ka mbajtur njeriun në injorancë. Zoti është vetëm projeksioni i njerëzve, ndaj duhet të shfaroset edhe vetë ky emër”, shkruante Didero. Komunizmi është një histori e njohur.
Në kohën kur Franca përgjakej nga kjo dhunë dhe niste atë që jakobinët e quajtën dekristianizëm, në SHBA liritë fetare ishin në kulm të tyre. Thomas Jefferson mendohet se përdori i pari togfjalëshin e famshëm që shenjon laicitetin: ”mur ndarës”. Gjatë fushatës së ashpër presidenciale të vitit 1800, presidenti Adams e sulmonte rivalin Jefferson duke u thënë zgjedhësve se ai ishte ateist dhe do të mbyllte kishat. Jefferson, si përgjigje, u dërgoi një letër banorëve të kontesë Danbury, Connecticut. Ai shpjegoi se, “jo vetëm nuk do të ndalonte kishat, por do të ndërtonte një mur të lartë dhe të padepërtueshëm ndarës mes kishës dhe shtetit”.
Filozofë, sociologë e teoricienë të ligjit kanë shkruar gjatë mbi domethënien e këtij togfjalëshi. Që prej asaj kohe, marrëdhëniet e shtetit me fenë në SHBA janë përkufizuar gjerësisht nga ky togfjalësh. Ky togfjalësh, si ide, gjendet në të vërtetë në zemër të traditës së mendimit politik mbi të cilin u ndërtua SHBA-ja. Amendamenti i parë i Kushtetutës, i cili thotë se, “shteti nuk mund të ngrejë apo përkrahë një fe…,” e ka kthyer atë në një nga shtyllat e jetës politike dhe publike në SHBA. Gjatë këtyre dy shekujve, “togfjalëshi” është vërtetuar i pavjetërueshëm. Gjykata Supreme ka krijuar një traditë mbresëlënëse në çështjet që kanë të bëjnë me kufirin e shtetit, duke e përdorur atë si gur themeli. Sigurisht, atje nuk ka pasur raste ku shteti ka prishur një kishë dhe e ka quajtur atë “garazh”!
Kjo nuk mund të imagjinohet. Një nga vendimet më të rëndësishme që tregon se kur ajo që bën shteti cilësohet ndërhyrje në lirinë e besimit apo në çështje të fesë, se kur ai kalon “murin ndarës”, është Sherbert kundër Verner-it, i vitit 1963. Sherbert ishte anëtare e një kishe adventiste, dhe punonte në një fabrikë tekstili. Mbështetur në besimin e saj, ajo refuzoi të punojë të shtunën (Sabat), por punëdhënësi e pushoi. Sherbert kërkoi kompensim nga shteti, pasi ishte larguar për arsye të besimit fetar. Çështja shkoi në Gjykatën Supreme, e cila i dha të drejtë Sherbert-it. Gjykata përcaktoi se çfarë është një ndërhyrje në punët e besimit me anë të atij që njihet si Testi Sherbert.
Para një veprimi që ka të bëjë me fenë, qeveria duhet t’u përgjigjet pyetjeve: 1) a ka krijuar qeveria një pengesë për ushtrimin e lirë të besimit? 2) a e ka detyruar qeveria, me masën që ka marrë (qoftë ndëshkim apo përfitim), një individ t’i largohet një praktike fetare? Gjykata Supreme, me çështjen Snyder kundër Phelps-it, e quajti të drejtë protestën e një kishe baptiste në Maryland. Pastori i kishës, së bashku me besimtarët, mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Zot, faleminderit që e vrave ushtarin tonë! Amerika po bëhet gay. Zoti po merr hak.”
Kjo ndodhi teksa po varrosej një ushtar amerikan i vrarë në Irak. Pastori protestonte bashkë me grigjën e atyshme ndaj vendimit të presidentit Obama për t’i lejuar homoseksualët në ushtri. Prindërit e ushtarit hodhën në gjyq kishën, por Gjykata Supreme votoi 8-1 në favor të kishës. Ajo tha se kisha ka të drejtë të protestojë dhe të mbajë atë qëndrim, pasi ky është besimi i saj. Pra, megjithëse ishte një rast ekstrem, gjykata nuk i tregoi kishës se si duhet ta kuptonte ajo Biblën. Në rastin e Departamentit të Burimeve Njerëzore të Oregonit kundër Smith-it, Gjykata Supreme i dha të drejtë Alfred Smith-it, i cili ishte anëtar i një kishe indiane. Smith-i u pushua nga puna sepse gjatë ritualeve të tij fetare përdorte peyote, një substancë halogjenike. Ligji i shtetit Oregon e ndalonte përdorimin e saj. Punëdhënësi e pushoi nga puna.
Gjykata Supreme e quajti cenim të lirisë së besimit, dhe vendosi që ai të dëmshpërblehej. Edhe Europa e pas Luftës së Dytë, megjithëse ka një trashëgimi shumë më të ndryshme se SHBA-të, kurrë nuk e ka lejuar shtetin të përkufizojë se çfarë është feja, çfarë është kisha apo xhamia, si ndërtohet apo si prishet ajo, etj., etj. Në një demokraci, qeveria nuk ka të drejtë të tregojë se çfarë është një fe, cila duhet të jetë doktrina apo rituali, si duhet të jetë një objekt kulti, si duhet lexuar një tekst fetar, cili është interpretimi i duhur i tij, etj.
Detyra e shtetit është të garantojë liritë dhe të drejtat e njerëzve, dhe jo t’u tregojë atyre si duhet ta ndërtojnë jetën, si ta kuptojnë atë, cilën të quajnë kishë, çfarë të quajnë xhami, si ta kuptojnë Hegelin apo Ajnshtajnin, si t’i shpjegojnë ëndrrat, me kë ekip të bëhen tifozë, etj. Shteti nuk është zot i dijes, as i të drejtave! Komunizmi dhe fashizmi mendojnë se shteti është zotërues i dijes dhe krijues i të drejtave.
Ndaj totalitarizmat kanë prishur kishat dhe xhamitë, kanë vrarë priftërinj dhe hoxhallarë, se tregojnë si ndërtohet familja, si rriten fëmijët, si organizohet prona dhe puna, cili është kuptimi i jetës, etj. Një shtet i tillë e shpall veten se di gjithçka, dhe kësisoj ai imponon gjithçka. Në rastin e Dhërmiut, kryeministri tha se u prish një garazh. Pra, ai i dha vetes të drejtën të përcaktojë se kur një objekt është kishë.
Ai i dha vetes të drejtën të interpretojë besimin ortodoks, apo kanonet e Kishës Ortodokse. Kryeministri tha gjithashtu se kisha do të rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare. Jemi pikërisht përballë shtetit që di gjithçka, shtetit që zotëron dijen dhe e përdor atë në të mirë të njerëzve. Eshtë ai që përcakton se çfarë është trashëgimi kombëtare dhe se çfarë ka më shumë vlerë për njerëzit. Kryeministri u shpreh se kisha e re, që do të ndërtohet në vend të asaj që u prish, do të jetë siç ka qenë shumë vite më parë. Pra, kryeministri në vendin e kishës (garazh) së prishur do të ndërtojë një kishë (të rilindur), e cila nuk do të jetë në pronësi të Kishës Ortodokse.
Kisha Ortodokse mund të ndërtojë një kishë në një vend tjetër, që do ta zgjedhë ajo, po në Dhërmi. Ministri Blendi Klosi e premtoi këtë pak ditë më parë. Pra, kishën e re të rilindur nuk do ta ketë Kisha Ortodokse. Për herë të parë në Europën e pasreformacionit, që nga vitet 1500, qeveria do të jetë pronare e një kishe!
Këtu qeveria tejkalon edhe regjimet totalitare. Prishja e kishës në Dhërmi mund të shihet nga shumë këndvështrime, të cilat mund të jenë të vlefshme në vetvete, por asnjëri nuk fsheh marrjen përsipër nga shteti të një roli të frikshëm, rol i cili në histori ka prodhuar krime nga më monstruozet. Kjo nuk është çështje e Kishës Ortodokse, e Kishës Katolike, e myslimanëve apo e besimeve të tjera. Kjo është çështje e të gjithë atyre që duan të jetojnë në një demokraci ku qeveria nuk është zot i asgjëje, por veç shërbëtor. /tesheshi.com/