Marrëdhëniet midis teknologjisë dhe shtetit ligjor janë tashmë pjesë e një debati të hapur edhe në fushën e jurisprudencës. Teknologjia po krijon hapësira virtuale të cilat janë shpeshherë të vështira të rregullohen sipas parimeve të shtetit ligjor. Sot gjendemi përballë epokës së cyber-lirisë ku secili është i lirë të shprehet, të komunikojë dhe të ndajë ide me kriterin e vetëm etik -atë personal. Liria që ofroi teknologjia u njësua më një demokraci të një ere te re – demokracinë digjitale. Liria ose demokracia digjitale, me gjithë fillimet e saj konceptuale në vitet 1990, u promovua nga The Times Magazine ku çmimin si “njeriu i vitit” në vitin 2006 iu dha YouTube dhe MySpace me idenë se nëpërmjet këtyre platformave po mundësohet ndarja e mendimit të lirë. Qëllimi kryesor ishte promovimi i fjalës së lirë dhe mbrojtja e organizimeve shoqërore nga dhuna e qeverive autoritare. Ndërkohë në shtete ku media konvencionale është e kontrolluar, qytetari “digjital” do të kishte mundësinë të bënte publik mendimin e tij.
Më gjithë përfitimet që sjell demokracia digjitale, nuk kanë qenë të pakët kritikët rreth natyrës së shtetit ligjor që promovon hapësira virtuale. Për shembull, një ndër debatet që lidhet dhe me legjitimitetin si burimi kryesor i ligjit është “demosi” ose komuniteti i formuar në mënyrë demokratike. Howard Rheingold, në këtë aspekt, është treguar i kujdesshëm të bëjë një dallim të qartë midis konceptit marksist të kolektivizimit dhe aksionit kolektiv që promovon demokracia digjitale. Nëse, sipas Rheingold, individi në kolektivizim nuk është vetvetja, pra vepron jo sipas mendimit të tij të lirë, por në mënyrë të kushtëzuar si një refleksion i grupit, në aksionin kolektiv digjital çdo anëtar i komunitetit virtual vendos lirisht pjesëmarrjen në të dhe mënyrën sesi do të kontribuojë pa qenë i detyruar nga një autoritet i centralizuar.
Sidoqoftë, edhe “demokracia digjitale” nuk do t’i shpëtojë kritikës në lidhje me të drejtat dhe aksesin në vendimmarrje sipas modelit të shtetit ligjor. Duke qenë se individi është sot nën varësinë e teknologjisë, ai mundësinë e dhënies së mendimi të lirë dhe shprehjes së tij e ka të kushtëzuar nga mundësitë për t’u përfshirë në një teknologji bashkëkohore dhe të përditësuar. Dhe kjo vjen me kosto shpeshherë të lartë, e cila pamundëson ose vështirëson pjesëmarrjen e asaj pjese të shoqërisë që nuk ka kapacitetet financiare të nevojshme. Në këtë kontekst “demokracia digjitale” nuk është imune ndaj kapjes së elitave të korruptuara të cilat kanë mundësitë financiare për të investuar në teknologji të avancuar. Pra, liria e shprehjes, që mund të të mundësojë hapësira digjitale, përballet me të njëjtat problematika që përballet liria e mendimit në hapësirën reale. Duke pasur parasysh këto vështirësi, teknologjia lejon mundësinë e platformave klandenstine, të cilat rriten gradualisht dhe të cilat formësojnë mendimin e tyre virtualisht për ta shpërndarë atë më pas në botën reale. Por ky lloj komunikimi i dyzuar (hapësira formale v. hapësirave reale), shpeshherë me identitetet të paqartë, nuk lejon transparencë dhe në vend që të formojë njerëz në bazë bindjesh dhe parimesh, bën të kundërtën, kthehet në një mjet propagandistik të pakontrolluar dhe manipulativ.
Pra koncepti i cyber-lirisë jo pa qëllim mund të njësohet më një fare Woodstock-u virtual, një platformë digjitale antikulture ose si një hapësirë virtuale, ku grupime të ndryshme të vetërregulluara sfidojnë ligjin dhe traditën. Këto “xhungla” virtuale, në emër të cyber-lirisë, mund të kapërcejnë kufijtë e shtetit ligjor dhe si rrjedhim t’i shmangen përgjegjësisë ligjore. Pra, funksionojnë dhe vetërregullohen në mungesë legjitimiteti si rrjedhojë e mungesës së legjitimitetit shoqëror mbi të cilat këto hapësira virtuale pluskojnë dhe tentojnë t’i imponohen opinionit publik.
Jo vetëm në aspektin e mënyrës së qasjes ndaj shtetit ligjor, por teknologjia ia ka arritur që të ndikojë edhe në marrëdhënien midis individit dhe së drejtës. Nëse ligji është menduar si mjeti kryesor mbi të cilin shoqëria ndërton një marrëveshje për të rregulluar marrëdhëniet e saj në hapësirë dhe në kohë, teknologjia i ka thyer këto barriera. Parimi i njohur, sipas të cilit ligji apo e drejta është shprehje e konsesusit consensus facit legem, tashmë jo pak herë është vënë në diskutim nga teknologjia. Kjo e fundit ka arritur të jetë sfiduesja e radhës. Jo më kot, studiues, si Vivek Wadhwa, e kanë krahasuar ndikimin e teknologjisë si ndikimin që pati printimi i shtypit të shkruar në rrënimin e Perandorisë Romake. Teknologjia ka arritur të dekonstruktojë aureolën mbrojtëse që procedura ligjore i ofron individit nga keqpërdorimi i ligjit nga aparati shtetëror. Nëse, sipas shtetit ligjor, një akt juridik duhet të respektojë një filtër procedural, i cili përpiqet ta mbrojë atë nga ana ligjore, por dhe morale, teknologjia lejon hapësira që këto filtra të anashkalohen. Kështu, nëse një institucioni do t’i duhej të respektonte të drejtën e privatësisë gjatë procesit të intervistës së punës, ai tashmë, fare thjesht, mund t’i mësojë këto të dhëna personale nëpërmjet aksesit në mediat sociale. Një institucioni financiar nuk do t’i duhen shumë “firma” për të marrë dhe për të mësuar rreth historisë së biznesit të dikujt apo dhe problemeve me kreditë e këqija me klientë të dyshimtë të tij. Mjafton që institucioni financiar të navigojë në internet nëpërmjet Google apo çdo motori tjetër kërkues në internet.
Shteti ligjor bazohet në gjithëpranimin shoqëror me të drejtat dhe detyrimet e tij për të normuar dhe mbrojtur shoqërinë nga keqpërdorimi i mjeteve formale rregulluese (ligjet), por dhe i mjeteve normative informale, duke i formalizuar ato në një të drejtë të përbashkët në mjedise multinormative (p.sh. traditat, sjelljet, besimet). Që në krye të herës, Aristoteli do të bënte një dallim midis ligjit të njeriut (rule of man) dhe shtetit të së drejtës (rule of law) duke nënvizuar se kjo e fundit i ka gjasat të jetë më racionale. Ndërkohë që burimi kryesor i legjitimitetit të ligjit sipas shkollës natyrore të ligjit është morali, i cili, sipas Dworkin, është ai ku mbështeten parimet ligjore. Janë këto të fundit të cilat orientojnë ligjin paçka pasojave, dhe jo situatat. Në këtë kuptim, shteti ligjor është deri diku reflektim i moralit të një shoqërie që e formalizon atë nëpërmjet konsesusit demokratik. Ndërkohë, ky lloj legjitimiteti që ka shteti ligjor nuk ndjek të njëjtat hapa dhe procedura që ndjek ligjëbërja në hapësirat virtuale, të cilat, kryesisht, nuk kanë një juridiksion të përcaktuar dhe kanë një demos johomogjen.
Në këtë kontekst, nëse shteti ligjor udhëhiqet nga parimi i rregullimit të shoqërisë vetëm nëpërmjet ligjit, hapësira virtuale duket se është krijuar për të mos u rregulluar. Një ndër ekspertët më të njohur të fushës, si Lawrence Lessig, e pranon faktin se hapësira virtuale është e panormuar dhe se vetë arkitektura e hapësirës virtuale të vetmin rregullator real që ka është gjuha e kodit të ndërtimit të programit. Sipas Lessig, ajo që është e pakapshme në hapësirën virtuale është të dish kush është ku. Pra, siç u cek më lart, juridiksioni virtual karakterizohet nga mungesa e përgjegjësisë ligjore. Sipas Lessig, në fakt, diskutimi nuk duhet orientuar drejt rregullimit dhe mosrregullimit të hapësirës kibernetike, pasi atë në mënyrë automatike e bëjnë programuesit e programeve, të cilët, duhet cilësuar, nuk janë të zgjedhurit tanë. Por, debati, nënvizon Lessig, është se cilat duhet të jenë parimet që udhëheqin rregullimin e hapësirave virtuale. Pra, a duhet teknologjia të shërbejë për të na mbrojtur privatësinë, apo për të rritur aksesin e të tretëve në jetën tone private? A duhet teknologjia të ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes sonë në vendimmarrje në demokraci, apo ta kufizojë atë nëpërmjet rritjes së censurës?
Një tjetër problem nga pikëpamja e jurisprudencës është edhe paradoksi i “përgjegjësisë ligjore të qytetarit digjital”. Pra, përplasja midis përgjegjësisë ligjore të qytetarit virtual dhe qytetarit real. Kjo lloj përplasjeje juridike e vë në vështirësi zbatimin e ligjit dhe si rrjedhim shtetin ligjor. Teknologjia ofron lehtësinë e komunikimit nëpërmjet identiteteve të rreme ose dhe komunikimit extraterritorial. Pra, dikush mund të ofendojë, të fyejë ose dhe të prodhojë lajme të rreme për Shqipërinë në shqip duke qenë qytetar i një juridiksioni tjetër. Ky fenomen sjell probleme juridike kur një vepër penale nuk konsiderohet e tillë në të dy shtetet respektive, pra një vepër penale konsiderohet e tillë në shtetin ku personi në fjalë sillet si qytetar digjital, por kjo vepër nuk konsiderohet e jashtëligjshme në shtetin ku qytetari aderon formalisht, jo virtualisht.
Nga ana tjetër, e gjithë jeta personale e dikujt në mediat sociale është përkthyer në një provë mbi të cilat agjencitë ligjzbatuese mund të ndërtojnë çështje dhe të vendosin kritere kontrolli që lidhen me sigurinë publike. Nëpërmjet teknologjisë shumë kompani mund të diskriminojnë mbi baza gjinore, moshe, besimi fetar dhe ideologjik apo dhe origjine, në mënyrë të fshehtë, duke vendosur filtra preferencialë ndaj aplikantëve për punë ose projekte.
Teknologjia ka arritur gjithashtu të relativizojë përgjegjësinë ligjore duke ndikuar në thelbin e së drejtës “fiat justitia ruat caelum” (vendos drejt pavarësisht pasojave). Teknologjia ka mundësuar platforma komunikimi, të cilat mundësojnë një individ shumëdimensional dhe me shume identitete juridike. Sot e ashtuquajtura gjenerata e teknologjisë (net generation), lindur midis viteve 1982-1991 mundet të komunikojnë në të njëjtën kohë dhe, pse jo, të kryejnë veprime me pasoja juridike me disa individë (fizikë ose juridikë) njëkohësisht. Pra në të njëjtin moment individi është konsumator, ofrues shërbimi nëpërmjet përmbajtjes së mesazhit që përcjell, por mund edhe të keqinformojë nëpërmjet shpërndarjes së një lajmi të pavërtetë.
Teknologjia ka ndikuar gjithashtu në marrëdhënien midis publikes dhe personales. Ndërsa privatësia është një e drejtë kushtetuese, ajo vitet e fundit është parë si një e drejtë inferiore përballë sigurisë kombëtare, kjo falë përhapjes së teknologjisë. Vetëm brenda një viti (2015-2016), kompanisë Apple do t’i duhej të kundërshtonte rreth 11 vendime gjykatash të cilat i kërkonin asaj t’i lejonte agjencive ligjzbatuese, si FBI, aksesin në të dhënat personale të përdoruesve te telefonave mobile iPhone.
Nga ana tjetër, teknologjia ka mundësuar formimin e “tregjeve të zeza” virtuale siç është rasti i “dark web”, të cilat janë tërësisht jashtë rregullimit ligjor dhe kontrollit të shtetit ligjor. Këto njihen si parajsa të krimit kibernetik, të cilat shfrytëzohen nga krimi i organizuar, politikanë të korruptuar dhe organizata terroriste.
Pra, sot teknologjia ka arritur të ndikojë seriozisht në marrëdhënien politike dhe sociale të individit dhe shtetit ligjor. Ajo ka arritur që të ridimensionojë aulën e diskursit shoqëror mbi ligjin që Habermasi e konsideron si burimin kryesor të legjitimitetit të ligjit. Sot platformat digjitale mund të ndërtohen nga kushdo dhe për këdo dhe të paralelizojnë fare mirë aulat ku diskutohet ligji. Nga ana tjetër, teknologjia ka mundësuar anashkalimin e moralit të brendshëm të ligjit. Teknologjia krijon mundësinë e një terreni ambig, jo transparent dhe shumë manipulativ. Filozofi i njohur Lon Fuller nënvizon se “gjërat e këqia ndodhën në errësirë dhe jo në shkëlqimin e dritës së ligjit”. Sipas Fuller-it, nëse ligji do të jetë publik, koherent, stabël, i qartë, i mundshëm dhe praktik, vetëm atëherë ai mund të jetë imun nga influenca e procesit ligjbërës të korruptuar të elitave drejtuese. Parë në në kontekstin e moralit ligjor të Fuller-it, teknologjia aq sa mund të jetë ndihmuese në ekspozimin e proceseve të manipuluara të ligjbërjes, po aq mund të kthehet gjithashtu në një instrument për ta certifikuar manipulimin e ligjbërjes.
Ndërkohë, teknologjia ka mundësuar komunikimin gati të personalizuar midis liderit dhe individit duke kapërcyer institucionet e ndërmjetme. Dikush sot mund t’i kërkojë punë në kohë reale kryeministrit dhe ky i fundit e zgjidh këtë çështje paçka se kjo u takon autoriteteve që merren me punësimin dhe ndihmën sociale. Në këtë kontekst, përgjegjshmëria ligjore e qeveritarit përballë qytetarit është bërë krejtësisht informale dhe personale. Kjo qasje e re godet pikërisht atë që Hayek ka parasysh me veçoritë e shtetit ligjor – mospersonalizmin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e individit nga ndërvarësia e shtetit.
Raporti i teknologjisë me ligjin, pra, është shumë i brishtë dhe gati sfidues. Për vetë natyrën e tij sociale, ligji është shumë më i “ngathët”, ndërkohë që teknologjia është shumë më e shpejtë. Kjo e vështirëson mjaftueshëm sinkronizmin midis shtetit ligjor formal dhe shtetit ligjor virtual. Megjithëse format e e-government kanë lehtësuar marrëdhënien midis qytetarit dhe shërbimeve publike, ato nuk kanë lehtësuar pjesëmarrjen e këtij të fundit në vendimarrje. Jo vetëm kaq, por platformat virtuale (mediat sociale) po përdoren në mënyrë efikase nga elitat e qeverisë si mekanizma paralelë për të manipuluar qytetarin dhe kontrolluar atë virtualisht. Kështu Lex Teknologjia ka pështjelluar dhe ndërlikuar demosin dhe diskursin tonë mbi ligjin. Ajo na ka lehtësuar komunikimin, shprehjen, pjesëmarrjen në diskutimin publik, por na ka vështirësuar identifikimin dhe moralin e autoritetit përfaqësues të ideve që ndikojnë opinionin publik. Lex Teknologjia na ka afruar me shtetarin por na ka devijuar nga kërkimi llogarisë sipas procedurave formale të shtetit ligjor. Si përfundim, Lex Teknologjia ka informalizuar shtetin ligjor duke paralelizuar diskutimin formal të kontrolluar mbi ligjbërjen me diskutimin informal digjital.
Marrë nga revista “Medius”