Në bazë të anketave të besueshme, populli që grumbullohet më masivisht rreth ekranit të televizorit (kësaj vatre moderne me një zjarr pa tym) janë të varfrit. Sa më shumë të shtohet sëra dhe sa më lart të ngrihet ashensori social, aq më shumë në përpjesëtim të zhdrejtë shkon kjo me orët që kalohen përpara ekranit. Sigurisht, të pasurit nuk kanë kohë të kalojnë përpara televizorit, për arsyen e thjeshtë se ata janë… brenda tij. Se janë ata që i bëjnë ngjarjet, jetën mondane e politikën, ata që personifikohen e përjetësohen në filmat dhe spektaklet që financojnë sipas midesë së interesave të veta. Dhe në një ditë ende 24 orëshe, nuk mund të gjejnë kohë të shpenzojnë para ekranit, një kohë që do t’ia vidhnin bërjes së lekut apo bërjes së qejfit. Kurse të varfrit, ngaqë nuk bëjnë dot qejf “prej vërteti” e aventura, janë të detyruar që me një kosto të lirë të energjisë elektrike, të rrinë e të kundrojnë gojëhapur deri vonë, deri sa shuhet zjarri që s’ngroh i ekraneve…
Përveç varfërisë, ka edhe nja dy arsye të tjera për të parë televizor, njëra më e dobët se tjetra. Njëra nga këto është që të informohesh dhe tjetra që të kulturohesh.
Më interesante ndër këto sebepe televizive është informimi. Informimi përmes ekranit, me figura, të jep përshtypjen shtypëse se e pe krejt të vërtetën açik; ajo po lëvizte e gjallonte gjysmë metri larg hundës tënde.
Informimi përmes mediave, sipas përkufizimeve tashmë klasike, i bie të jetë pushteti i katërt, mjeti vendimtar me të cilin njerëzia kontrollon dhe gjykon funksionimin e tre pushteteve të tjerë -legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit – duke u bërë kështu teorikisht më i fuqishmi pushtet për demokracinë. Por tek ne dukshëm ky pushtet është pushtuar, poshtëruar, dhe si rrjedhojë edhe demokracia ku jetojmë është e tillë, në të njëjtën masë trefishe. Ashpër? Hiç fare! Vështroni se si qytetarit realiteti i serviret nga media të ngritura me paratë e kapitalistëve të politikës, pasunarëve të rinj monopolistë e kontrabandistë që përdorën shtetin si gomone, nga një media që financohet në mënyrë selektive me para reklamash nga qeveria (përshëndes ish-kryeministrin Meksi i cili kërkoi të marrë fund kjo praktikë, nëpërmjet botimit të një gazete të qeverisë); media që furnizohet me opinione e opinionistë nga shërbimi sekret. Prandaj edhe informimi është i destinuar të degjenerojë në propagandë a publicitet. Shartimi i biznesit, politikës dhe medias rezulton thjeshtë me një lloj bashkëkohor diktature, ku robi i shkretë ka iluzionin politik se zgjedh dhe njeh kur në fakt e vërteta është bërë thjesht mediatike, e përgatitur enkas për të. Sigurisht, mashtrimi më i lehtë është me shkronjën, në shtypin e shkruar, por efektin më të fuqishëm dizinformimi e merr kur bëhet me figura dhe zë. Fokusimi i detajit në dëm të tërësisë, fragmentizimi, përsëritja e shfrenuar e imazhit të volitshëm dhe errësimi i atij problematik, ngritja nga hiçi dhe zmadhimi i ndonjë personazhi apo ngjarjeje në dëm të një pale më të merituar, personazhesh a ngjarjesh… të gjitha këto bashkë në atë që quhet me pafajësi lajm, informim.
Duke u pjekur midis territoresh të pakontrollueshme urbane dhe institucionesh gati hermetike, fryti i së vërtetës reale është gati i pakapshëm për masat, dhe prandaj ne kemi paguar mediat të shkojnë dhe ta vjelin atje për ne, e ato pasi e shtrydhin dhe përpunojnë, na e japin ta pimë nën ambalazhe shumëngjyrëshe, duke na u betuar se ajo çka po pimë është 100% natyrale, pa konservues, pa prezervativë, pa ngjyrues kimikë…
Dëfrimi banal me politikën
Mirë apo keq, të më ndjejë demokracia, kam zgjedhur të bëhem ai shqiptari i mesëm cinik e i vetmuar, që e sheh haptas se politika e madhe e jona, është thjeshtë një rimorkio që merr kthesa pa finesë lidhur pas një fuoristrade me targa të huaja, kurse ajo e vogla, politika me të brendshme, është bërë “kush ngre pallatin më të lartë, kush fut më shumë kushërinj doganierë a bodigardë”… Një strukturë pazarllëqesh tribale-karikaturë e Besëlidhjes së Lezhës – ku bihet dakord për aleatët, klientët dhe armiqtë e radhës, si dhe ku sajohen togfjalëshat e rinj të propagandës për t’i bërë ballë shmangieve publike të momentit nga demokracia, premtimet e vjetra dhe burrëria.
Në vend të votës, (një institucion që ia kemi arritur ta bëjmë qesharak) tashmë një shqiptar si unë përdor telekomandën. Nga një stacion në tjetrin i jap mbështetjen time fytyrave gazndjellëse të garipave të politikës, të cilat na ofrohen në pozat e tyre më kinematografike, që citohen në frazat e tyre më anekdotike, në shkujdesjet e tyre më alkoolike. E gjithë kjo e mundësuar me kamerat dhe mikrofonat e poseduar prej duarsh të njoma ish-kamerierësh, që tani kanë marrë peng redaksitë e ndritshme të televizioneve tona. Emisioni më i ndershëm politik, është sigurisht “Diskolajmet” i fundjavës, prej të talentuarit Shkurti në TV-Klan, ku në ndryshim me banalitetin dhe shkujdesjen djaloshare në edicionet e lajmeve apo ato të analizave, fokusimet groteske të njerëzve të pushtetshëm, janë të justifikuara që në fillim me titullin dhe zhanrin e emisionit. Dhe gjithsesi, aty komentet e abstragimet, përmes kopsitjes me batuta prej filmave të realizmit socialist, japin definicionin dhe shijen e vërtetë të kastës sonë politike në aventurat e saj të përjavshme, të përvajshme.
Por kohët e fundit, siç është vënë re edhe nga kolegë të tjerë, në trendin më të fundit të liberalizimit mediatik të jetës politike, një kulturë e keqe protagonizmi, e nisur që me transmetimet maratonë të diskutimeve parlamentare, ka filluar të rishfaqet edhe më bruto në etjen perverse për të transmetuar në televizion debate të nxehta politike të niveleve të larta. KPD-ja, plenumi i Tiranës (Edi Rama versus demokratët në këshillin bashkiak), debati mbi SHIK. Për dallim nga uniformiteti provincial i mediokritetit nëpër transmetimet e diskutimeve parlamentare, ritmi dhe temperatura janë të garantuara në llojin e fundit të debateve. Në një Shqipëri pa yje, në një Shqipëri ku intelektualët, shkrimtarët, këngëtarët dhe aktorët pa filma e pa teatër thërriten nën armë nga politika sa herë ka nevojë ajo, detyrimisht që telenovelat narciste të yjeve do të detyrohen t’i luajnë politikanët. Ata kanë dalë nga ekranet e dritareve-ikona të benzave të blinduar, ku tendosen me seriozitet kanonik, për t’iu dhuruar popullit në TV me gjithë mimikën e tyre molieriane, gjestikulacionet, testikulacionet, kollarot firmato, zhargonet surrogato dhe hieroglifët kuptimplotë me tymin e duhanit. Të ardhur në politikë përgjithësisht nga mjedise universitare apo (gjysmë)akademike, politikanët tanë, ish-nxënës të shkëlqyer dhe ish-sekretarë rinie, duket që ende e vuajnë atë kompleksin e vjetër të të qenit “çun i mirë”. Dhe kështu nuk humbin rastin për t’u dukur sa më maço, sa më të hidhët, sa më vulgarë para kamerave, pas të cilave dyshojnë se i gjithë populli shqiptar përbëhet nga skafistë dhe blegtorë vetmitarë, të gatshëm t’i pranojnë si të barabartë mes të barabartëve nëpër tavolinat e lira të burrërimit populist ballkano-mesdhetar.
Duke e shqyer më katërsh parimin e mirëinformimit dhe të gjithëpjesëmarrjes, transmetime të tilla minimaliste, shkojnë përtej transparencës politike dhe zgjerimit të korridoreve midis elitës dhe popullit, pushtetit dhe qytetarëve zgjedhës. Më tepër ato i ngjajnë një versioni shqiptar të spektaklit të tele-realitetit “The Big Brother” (“Vëllai i madh”, i njohur tek ne përmes versionit italian “Il grande fratello”). Është pra ai spektakli, ku çuna e goca të reja, vetëngujohen në një shtëpi të supervrojtuar nga kamerat, të cilat i japin publikut mishngrënës të gjitha detajet e jetës së tyre ditore; të ushqyerit, llomotitjet, flirtet, zënkat, përgjumjet…gjithçka që mund t’i ndodhë robit. Hiq vetëm pjesën e mirëfilltë të marrëdhënieve seksuale, (megjithëse në ndonjë vend, janë përfshirë edhe ato). Tashmë nuk ka rëndësi çfarë thua-rëndësi ka si e thua. Nuk ka të mirë dhe të këqij-ka vetëm simpatikë dhe jo simpatikë. Dhe tamam si në “Big Brother”, duke supozuar se janë të pavrojtuar e midis shokësh, politikanët tanë po e lirojnë fare gojën nëpër ekrane, dhe të mos na përmendë kush eksperiencat e botës, fjala vjen ato amerikane, ku debati politik televiziv ka krijuar shkollë. Këta tanët, i lejojnë vetes lloj-lloj llafi në publik, e kjo punë u kalon fare pa gjobë, në ndryshim nga vendet nga ku marrim shembuj. Është një lloj sindrome e quajtur Tourette (psikologët të më korrigjojnë) e cila përkufizon (mes të tjerash) gjendjen e njeriut i cili nuk mund të frenojë dot shtrëngimin e brendshëm për të thënë llafe të pista. Televizionet tona, në emër të të qenit si gjithë bota (Cila botë mor aman!?), kanë bërë të zakonshëm përdorimin e fjalëve të ndyta orë e pa orë, vend e pa vend, duke u kthyer në laboratorë të traumatikës postdiktatoriale, ku njerëz të frustruar të moshave të mesme vjellin gjithë edukimin puritan të Enver Hoxhës. Ajo që në fillim nisi si shaka nga disa humoristë pa karakter, një herë me aludime erotike e fjalë dykuptimëshe, pastaj me eufemizma më të trasha, tashmë ka kaluar në bërtitje dhe afishim me gojën plot të fjalorit më të ulët nëpër spektakle e emisione në orët më të ndjekura. Ky marifet ekstremizoi shijet e shikuesve, dhe rrjedhimisht u huazua edhe nga politika, në doza më diplomatike, gjithë duke shfrytëzuar për hesap të karizmës personale normalizimin që rrethon tashmë banalitetin dhe vulgaren nëpër media. Kemi parë spektakle dhe emisione në kanalet serioze evropiane, të paktën në ato të Italisë e Francës, dhe nuk ka qëlluar asnjëherë t’i dëgjojmë troç disa llafe që kumbojnë pa të keq në ekranet tona homologe. Njerëzit tanë po harrojnë se të bësh humor dhe të jesh inteligjent, nuk është e domosdoshme të qelbësh gojën.
Për t’i bërë ballë kësaj sëmundjeje të medias dhe të kulturës politike, duket se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, veç stërvitjes së ndonjë duzine personazhesh tredimensionalë, figura midis Avni Rustemit dhe doktor Arqilesë, që të ndërhyjnë në skenë me një spec djegës në dorë për t’ua përzhitur buzët sa herë shqiptojnë llafe të këqija adoleshentëve tanë publikë.
Marrë nga platforma kosovare “Autentik”