Kryeministri Edi Rama ka nisur të instalojë në ligjërimin e tij të përditshëm politik “sikur”-in. Dhe po në terma politikë e shfrytëzon mjaft mirë për ta dërrmuar kundërshtarin.
“Sikur të ishin bërë këto reforma vite më parë, sot nuk do ishim këtu ku jemi…,” i thotë ai masës së njerëzve të mbledhur rreth tij në takime të tipit “gju më gju”, fushave e pllajave, gjë e cila e penalizon, sigurisht, PD-në dhe Berishën po e po, por deri diku dhe PS-në e tij të erës Nano, që e qeverisi këtë vend jo pak.
“Sikur” është në fakt pjesë e natyrës njerëzore, e dobësisë së saj, strukturimit psikologjik, është ndryshe pjesa ku çdo njeri e qan me lot atë që ka ikur. Dhe, për më tepër, është e pashmangshme. Vështirë të ketë patur e të ketë njeri plotësisht të kënaqur me të djeshmen e tij. Vetë Rama, edhe pse e ka patur gjithnjë si pikën e vet më të fortë modelin e qeverisjes së Tiranës në 11 vite, tek Kurban-i i tij shpreh jo pak pezëm për ca punë të bëra jo siç duhet, e që po të kishte një mundësi të dytë do i kishte bërë më mirë. Paçka këtij “reflektimi moral”, ai vijon të gabojë pashmangshmërisht, gjë që do e detyrojë të thotë sërish nesër se në të djeshmen e tij nuk i bëri mirë ca punë.
Tej vokacionit politik të artikulimit të “sikurit”, Rama i ka me vete të gjithë shqiptarët në këtë pikë. Ne të gjithë, pothuajse, pra, e gjithë shoqëria, vuan “sikur”-in. Por duhet kuptuar e pranuar diçka: që gjithë çfarë ka ndodhur e vijon të ndodhë është logjike në terma realë, edhe pse absurde në parim. Me elitën që trashëgoi, me kontekstet e veta gjeopolitike e të politikës së brendshme, pak gjasë ka që mos ndodhnin ato që kanë ndodhur. ‘Sikur”-i mund të përfshijë edhe pezmin për gjysmëshekullin nën komunizëm, por dhe ai ka qenë i pashmangshëm për vetë kontekstet e kohës. Ndaj dhe nga xhevahiri popull ka dalë ajo thënia me hallë e me dajë, si për të treguar se vetë “sikur”-i ka një përqindje alogjizmi.
Por e a rrëzon kjo tërësisht “sikur”-in? Jo!
“Sikur”-i është dhe një ngacmim pozitiv i ndërgjegjes në funksion të së ardhmes. Shqipëria e sotme e ka të nevojshme ta institucionalizojë “sikur”-in si frymë, ta shndërrojë në kredo atë, por jo për konsum politik, siç ngjan në gojën e Ramës.
Sepse, si medalja, edhe ai i ka dy anë: frymëzuesen dhe dëshpëruesen. Pra, varet nga përdorimi. Dhe pavarësisht se e thotë Rama, që si aktor politik i mbetet në suazat e shfrytëzimit po politik, atë mund ta përdorë çdo kush, edhe individualisht, nëse nga pezmi për atë që nuk e bëri mirë, ose nuk e bëri fare, karrikohet fort dhe ia nis ta bëjë, po mirë ama.
Në këtë pikëpamje, e djeshmja, dështimi në të, janë resurse, një lëndë e parë psikologjike e destinuar për punë të mëdha, që mbi të gjitha sfidojnë dhe kohën. Dhe nëse duhet një provë reale për këtë, ajo është Xara në cepin jugor të Shqipërisë. Një “sikur” i njeriut aty nga mesi i dytë i viteve ‘90 bëri atë që sot aty të ndodhet një mrekulli e punës së ndershme, e vizionit dhe e këmbënguljes për ta bërë realitet atë. Dhe sot është sa koha për të thënë “ah, sikur e gjithë Shqipëria të ishte bërë si Xara”, po aq për të thënë se “ajo mundet të bëhet si Xara”. /tesheshi.com/