Replikë me shkrimin: “Rama, ndërhyni urgjentisht në mbrojtje të islamit…’’- M.Nano
Tabloja:
Pas vizitës së shumë pritur dhe mirëpritur të Presidentit turk, Erdogan, siç edhe pritej, pati një kakofoni provinciale mediatike të tipit ‘’lëvizja e rradhës ishte evenimenti ditës’’ (Kadare: Qyteni “N”). Ardhja e çdo autoriteti turk përbën ekstazë intelektuale për disa patriotë fanatikë me afilacione të deklaruara për të kaluarën komuniste. Po ashtu edhe për analistët e varur dhe paguar prej gylenxhive, por të pavarur nga pjesa tjetër e shoqërisë, pa dyshim dhe të atyre që kanë projekte me shtetin turk apo marrin fonde prej gjetiu.
Turqia nuk është armik:
Mirëpo heqja e paraleles midis të gjitha këtyre rreshtimeve në fakt përbën një padrejtësi të madhe ndaj realitetit tonë kombëtar.
Së pari; sepse Turqia po kontribon për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës, çka bie ndesh me tezat patriotisto-komuniste që riciklohen akoma nga bilbilët e porositur mediatikë.
Së dyti: sepse Turqia po investon për forcimin ekonomik të shtetit tonë me investime, po ashtu edhe për hapjen e gjuhës shqipe, e cila kulmon me hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në Ankara.
Hoxhallarët e stimgatizuar shtet-formues si burim frymëzimi:
E pra, qenka e shkruar që hoxhallarët shqiptarë që në krye të herës të anatemohen dhe stigmatizohen nga shoqëria nga njëra anë dhe nga besimtarët e komunitetit e tyre nga ana tjetër. Fjala bie, Hafiz Ali Korça në librin e tij; “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” e vë në dukje këtë gjë kur thotë;
“…kur luftoja për gjuhën shqipe quhesha latinxhi, përbuzesha e dënohesha me vdekje nga muslimanët, kurse tani që u formua një Shqipëri e unë përpiqem për Islamin, duke hapur edhe një medrese, filluan të më thonë fanatik’’ – aludon për jo muslimanët.
Po ashtu Ibrahim Dalliu rrëfen në kujtimet e veta se ka hequr njësoj si Hafiz Ali Korça dhe se është burgosur për qëndrimet e tij qoftë nga turqit, qoftë nga rebelët e Haxhi Qamilit.
Rebelimi i muslimanëve karshi tyre vinte për shak të qëndrimit që shumë hoxhallarë si Ibrahim Shkupi, Vehbi Dibra, Sherif Langu, Ferid Vokopola, Valdrin Dibra, Hafiz Ali Korça, Ibrahim Dalliu etj. mbajtën për gjuhën shqipe, shkëputjen nga Turqia dhe pavarësinë e shtetit shqiptar.
Këta hoxhallarë janë busulla jonë e orientimit patriotik dhe frymëzim për të kontribuar sadopak në shtet-bërjen e këtij vendi, mirëpo këto dogma të thëna e stërthëna nuk janë fokusi këtij shkrimi. Kjo për sa i përket së shkuarës, ndërsa në kohën moderne, në të cilën dinamizmi dhe ndryshimi i konjukturave dhe strukturave gjeo-politike ndryshon çdo ditë, bën që hoxhallarët shqiptarë të kenë “aleancat e tyre’’.
Ku dallojnë palët:
Etaloni dallues midis aleancave të dobishme për vendin nga ato të padobishme është transparenca. Fjala bie, nëse sot analizojmë aktivitetin e grupit FETO, gjejmë se ata e kanë kthyer Komunitetin Musliman Shqiptar në një vegël që e përdorin për interesat e tyre dhe e cila kulmoi me deklaratën e ish-kreut të KMSH-së, asokohe Skënder Bruçaj, kur deklaroi tek zëri Amerikës se Shqipëria duhet t’i shkëpusë marrëdhëniet me Turqinë, sepse Erdogani na qenka diktator. Kjo përbën edhe precedentin e parë në historinë e shtetformimit shqiptar ku kreu një organizate fetare cënon laicitetin dhe “fut hundët’’ në punët e shtetit dhe politikës së jashtme.
Në fakt kjo është vetëm maja e ajsbergut e cila vërteton pohimet e Turqisë ndaj tyre si organizatë së paku puçiste dhe strukturë paraleliste.
Për mos t’u zgjatur, gylenxhitë nuk i kanë transparente aleancat e tyre, sepse kjo gjë nuk do t’i lejonte ata që të qendronin një sekondë aty ku janë; ata varen kryekëput nga humori i një njeriu që ka dalë nga garancia mendore për shkak të moshës dhe me gjendjen e tij mendore varet kryekëput Komuniteti ynë Musliman Shqiptar. Fatkeqësisht, shqiptarët nuk e meritojnë këtë. Prandaj e vetmja pikë ku konvergojmë me autorin e shkrimit është ndërhyrja e shetit shqiptar për ta pastruar KMSH-në nga këto influenca enigmatike dhe kërcënuese për stabiltietin e vendit.
Aleancë me Turqinë, jo Erdoganizëm:
Nga ana tjetër, hoxhallarët shqiptarë që autori i etiketon si “erdoganistë’’, nisur nga ndjenjat patriote dhe legjitimiteti duan ta çlirojnë këtë organ përfaqësues të tyre nga kthetrat e axhendave të huaja dhe t’ia rikthejnë vendit atë si një pashaportë promotore e tolerancës fetare shqiptare në botë, por edhe si një ”rryp transmisioni’’ ekonomik të investimeve të Lindjes së Mesme në vend, për objektet e kultit, për projekte kulturore, pse jo dhe ekonomike.
Thënë kjo, aleanca me Turqinë dhe vendet e tjera të botës islame nuk i bën ata erdoganistë, sepse në këtë betejë ata nuk janë vetëm me Turqinë, edhe pse Turqia ka aksionet kryesore; ata janë në aleancë edhe me 20 e kusur shtetet e tjera islame, duke nisur nga vendet e Gjirit, Egjiptit, Libisë, apo çdo shteti tjetër që synon të kontribojë për muslimanët shqiptarë me bursa, projekte, ndërtimin e qendrave kulturore dhe objektet e kultit etj.
Hoxhallarët shqiptarë sot më shumë se kurrë janë me të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë, përfshirë dhe Turqinë, prandaj etiketimi tyre si “erdoganistë’’ vjen në të njëjtën valë logjike me akuzat që i bëhen kryeministrit shqiptarë për raportet personale me Erdoganin. Konsultimi me partnerët perëndimore përbën edhe argumentin e kësaj balance.
Pse duhet të ndërhyjë shteti:
Sot shqiptarët muslimanë, politikanë dhe çdo strukturë tjetër duhet të bëhen një dorë e vetme për të larguar gylenxhitë nga Komuniteti Musliman Shqiptar, jo sepse këtë e kërkon Erdogan, por sepse është interesi kombëtar i shqiptarëve për t’i rikthyer legjitimitetin këtij enti, frymën patriotike të hoxhallarëve të parë, promovimin e tolerancës fetare që na karakterizon dhe tërheqjen e fondeve të botës turko-arabe, gjë të cilat është bllokuar me uzurpiminn autokratik të këtij institucioni prej tyre.
Shteti ka qenë dhe do mbetet garanti mirëfunksionimit të çdo enti apo organizimi fetar dhe është po ky shtet përgjegjës për çdo sekondë vonesë në largimin e kësaj klike okulte dhe obskure nga ky ent që e ka çuar në stanjacion fenë islame shqiptare dhe fondet kulturore.
Ky vendim duhet të merret për shqiptarët! /tesheshi.com/