Tërheqja e trupave amerikane nga lindja e Eufratit dhe totalisht nga Siria, konsiderohet si një fitore dhe si një triumf i jashtëzakonshëm i aleancës dhe i marrëveshjes midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Sipas disa analistëve dhe burimeve nga Shtëpia e Bardhë, kjo lëvizje erdhi pas një telefonate që zhvilluan ndërmjet tyre presidentët Trump dhe Erdogan. Kjo tërheqje çoi Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis drejt dorëheqjes. Në të njëjtën kohë dhe në prag Krishtlindjesh, Presidenti amerikan shpalli edhe fitoren historike të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj kundër ISIS-it. Megjithëse kërcënimi i ISIS-it nuk ka mbaruar, pasi sulmet e tyre në Siri dhe Irak vazhdojnë, por dhe gjetkë në Europë. Presidenti amerikan e bëri këtë deklaratë historike që për hir të së vërtetës nuk pati jehonë në arenën ndërkombëtare.
Tërheqjen e trupave amerikane nga Siria e priti mirë edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili është shprehur se kjo është mënyra e duhur për të patur paqe në Siri. Ndërkohë, mesa duket konflikti i shtetit të Iranit me ShBA-në dhe vendet e Gjirit ka arritur kulmin; “lufta e ftohtë” e deklaratave mes Uashingtonit dhe Teheranit është pothuajse e përditshme e SHBA, Izraeli dhe vendet e Gjirit po kërkojnë masa më të ashpra dhe garanci absolute për sa i përket marrëveshjes së prodhimit të armëve bërthamore nga Teherani, garanci këto që nuk po arrihen në tavolinë.
Shtëpia e Bardhë kërkon gjithashtu edhe minimizimin e rolit të Iranit në Siri, kufizimin e ndikimit të Iranit në Irak, Liban, Bahrein e më gjerë, e për këtë u vendosën sanksione kundrejt ushtrisë militante të Hezbollahut dhe gjithashtu ushtrimin e presionit ndërkombëtar për mundësinë e arritjes së paqes në Jemen, pas trazirave të mëdha që janë shkaktuar atje për shkak të përleshjeve mes rebelëve Huthi dhe qeverisë legale, e cila tashmë ka rënë. Në këtë kuadër, edhe shumë vende europiane pas marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe grupit 5+1, marrëveshje e cila ishte rezultat i negociatave të ndërlikuara dhe të vështira të cilat i dhanë suksese palëve nënshkruese të kësaj marrëveshjeje.
Ndryshimi i kursit politik të SHBA-së u prit me refuzim nga vendet europiane. E megjithatë, këto të fundit kanë ndërmarrë disa nisma presioni kundrejt Teheranit zyrtar, duke larguar nga vendet e tyre disa diplomatë iranianë, sikurse ishte dëbimi i disa diplomatëve nga Franca, pasi u vërtetua se ata ishin të përfshirë në përpjekjet për vrasjen e disa opozitarëve iranianë.
Gjithashtu edhe Holanda me Belgjikën kanë përzënë nga vendet e tyre diplomatë iranianë, çka ka sjellë ashpërsimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të Europës me Iranin. Por njëherazi, vendet europiane janë të gatshme për vazhdimësinë e marrëdhënieve paqësore me Iranin, si dhe vazhdimin e marrëveshjes bërthamore, por edhe refuzimin e saksioneve të njëanshme të ShBA.
Gjithashtu edhe Shqipëria ka kohë që është bërë palë në konflikt. Ajo u bë palë në momentin që priti opozitën iraniane në Tiranë, jo pak por të gjithë banorët e kampit Ashraf të Irakut.
Dëbimi i disa ditëve më parë të ambasadorit iranian në Tiranë dhe një diplomati tjetër, u bë me arsyetimin se ata ishin të përfshirë në përgatitjen e disa sulmeve terroriste në Shqipëri dhe eleminimin e opozitarëve iranianë në vend.
Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare vjen në një moment kur protestat studentore në vend janë duke ushtruar presion tek ajo për plotësimin e disa kërkesave, por edhe presioni i opozitës që është gjithmonë i vazhdueshëm.
Veprimi i Shqipërisë bëri bujë ndërkombëtare, ai u përshëndet personalisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ky i fundit i dërgoi një letër kryministrit Edi Rama, ku midis të tjerash theksoi edhe një herë se Shqipëria është një partner strategjik i SHBAsë, në rrugëtimin e përbashkët në luftën kundër terrorizmit.
Opionini publik shqiptar ishte paksa i papërgatitur për një vendim të tillë. Raportet e qarkulluara në media, sipas të cilave anëtarët e lëvizjes opozitare iraniane që jetojnë në Shqipëri dhe drejtohen nga Marjam Rajavi, janë shprehur shpeshherë për frikën që u kanoset atyre në Shqipëri nga shërbimet e fshehta iraniane, deri në eleminim fizik.
Në fakt, Shqipëria është një vend mjaft i vogël përsa i përket pozitës në politikat ndërkombëtare. Pranimi i anëtarëve të opozitës iraniane në Shqipëri është një lëvizje e fortë e shtetit shqiptar, por që mund të krijojë probleme gjeopolitike në rajon, për faktin se vetë qeveritë e mëdha dhe vendimmarrëse në botë, mund të merren vesh, ashtu siç edhe mund të krijojnë shumë shpejt edhe konflikte.
Mjafton të përmendin largimin aktual të trupave amerikane nga Siria, “braktisjen” e Partisë Demokrate Kurde, e cila ishte aleatja më e madhe e aktoreve ndërkombëtarë në luftën në terren të ISIS-it, për të kuptuar që dinamika e vendimmarrjes në Lindjen e Mesme ndryshon në mënyrë të shpejtë dhe të paparashikuar nga vendet e vogla.
Kjo ndodhi pas një marrëveshjeje të rëndësishme mes aktorëve të mëdhenj rajonalë në Lindjen e Mesme dhe kthimin e Turqisë si aktorja më e besueshmme rajonale dhe ndërmjetëse e besueshme midis SHBA-së dhe Rusisë.
Analistët izraelitë dhe kurdët separatistë e konsiderojnë lëvizjen e fundit si një pabesi të SHBAsë dhe thikë pas shpine.
Ëndrra kurde për një shtet të pavaruar dhe autonom në kufi me Turqinë u varros njëherë e përgjithmonë.
T’i kthehemi dhe njëherë shpalljes “non grata” të diplomatëve iranianë. Ndërsa vendet e tjera të Europës kanë larguar pak muaj apo javë më parë diplomatë të dorës së dytë, për të njëjtat arsye Shqipëria largoi direkt titullarin e ambasadës së Iranit, një masë kjo dispropocionale, që mund të ketë efektet e veta në përshkallëzimin e tensioneve mes dy vendeve, në një kohë kur vendi ynë ka mjaft sfida të tjera, kryesisht të brendshme.
Ndërkaq, edhe mbi muxhahidinët pikëpamjet e fuqive perëndimore kanë ndryshuar në varësi të konjukturave ndërkombëtare. Siç dihet, muxhahedinët iranianë janë një lëvizje opozitare në mërgim, që synojnë rrëzimin e Republikës Islamike të Iranit.
Lëvizja u themelua në vitin 1965 nga një grup studentësh me prirje të majta, për t’u shndërruar më vonë në një organizatë nacionaliste, që kishte si mision rrëzimin nga pushteti të Shahut të Iranit, Muhamed Reza Pahlavi. MEK luajti një rol aktiv në protestat brenda vendit.
Shumë pjesëtarë të saj u ekzekutuan e u burgosën, por rezistenca e tyre çoi në rrëzimin e mbretit në vitin 1979. Por pas Revolucionit Islamik, lëvizja hyri në konflikt edhe me regjimin pasues fondamentalist të Ajatollah Khomeinit, dhe u vu në shënjestër të sulmeve të Hezbollahut.
Në fund të vitit 1981, shumë anëtarë dhe mbështetës të saj u larguan jashtë vendit, dhe qendra e tyre kryesore e strehimit u bë Franca. Në vitin 1986, lëvizja e zhvendosi bazën e operacioneve në lindje të Irakut, por situata ndryshoi me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003. Forcat amerikane sulmuan objektivat e tyre, arritën më pas një armëpushim dhe pas çarmatosjes u vendos që ata të mbaheshin në kampin Ashraf, një ish-bazë ushtarake irakiane.
Ky grupim, që më parë ishte klasifikuar si një organizatë terroriste nga SHBA për shkak të vrasjes së personelit amerikan në Iran gjatë viteve 1970, dhe për shkak të lidhjeve me ish-diktatorin irakien Sadam Husein, u hoq nga lista e zezë. Por me tërheqjen e amerikanëve nga Ashrafi në vitin 2011, nisën aktet e dhunës mes tyre dhe ushtarëve irakianë. Muxhahidinët u zhvendosën në kampin Liria, jashtë Bagdadit. Për shkak të pasigurisë për jetën, lindi edhe nevoja e zhvendosjes së tyre nga Iraku drejt vendeve të tjera, mes të cilave ishte edhe Shqipëria. Pas disa muajsh negociatash me SHBA-në, qeveria Berisha ra dakord për strehimin e një pjese të tyre, dhe një vit më pas u strehua grupi i parë prej 210 muxhahedinësh.
Me ngritjen e qendrës së posaçme në Manëz pranë Durrësit, numri i tyre ka mbërritur në rreth 3200. Që 6 vite më parë, zyrtarë dhe mediat shtetërore në Iran, e paralajmëruan Tiranën zyrtare për rreziqet e këtij hapi, sipas tyre të pamenduar, që ishte hedhur me pranimin e muxhahidinëve, që ishin refuzuar nga shumë vende të tjera të Lindjes së Mesme apo Europës. Në të njëjtën linjë ishte edhe deklarata më e fundit e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, që i sugjeroi Shqipërisë të mos bëhet pjesë e lojërave të mëdha përsa i përket terrorizmit dhe elementëve të kësaj natyre, pasi këto janë çështje të një konflikti midis SHBA-ve dhe Iranit.
Jetojmë në kohë të trazuara përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Prandaj, lipset të ketë një konsensus të gjerë politik mbi elementë të kësaj natyre, përsa i përket pritjes së opozitarëve nga vende të ndryshme të botës, e shpresoj që konteksti i pritjes të jetë vetëm human dhe jo me kontekst politik.
Negociatori amerikan, Robert Guy Torricelli, ish-senator dhe ish-kongresmen, tha dy vite më parë në një intervistë për një media shqiptare, se Shqipëria u përzgjodh për vendosjen e muxhahidinëve për disa arsye: lidhjes së fortë Shqipëri-SHBA, faktit që është një vend me shumicë muslimane, afërsisë sipas tij kulturore dhe klimës së përafërt. I pyetur se sa do të qëndrojë këtu ky komunitet, zyrtari amerikan nuk dha asnjë afat, ndërsa nuk ngurroi të parashikojë se do të qëndrojnë edhe për shumë kohë. “Asnjëherë nuk dihet se kur më në fund do të marrë fund diktatura në Iran. Ne shpresojmë së shpejti, por mendoj se duhet të planifikojmë që anëtarët e MEK do të jetojnë këtu për një kohë të gjatë”- u shpreh ai. Kjo do të thotë që sfidat që bart prania e tyre në Shqipëri, disa prej të cilave të paralajmëruara, do të vazhdojnë të ekzistojnë për një kohë të pacaktuar. Ndaj lind vetiu pyetja: mos vallë Shqipëria 6 vjet më parë, pranoi të marrë përsipër një barrë shumë më të madhe, nga sa mund ta përballonte? Këtë do ta tregojë koha, por leksioni që mësojmë nga ngjarje të tilla është që kujdesi me lojërat gjeopolitike, duhet të jetë maksimal. Pasi ka edhe elementë të tjerë të cilët mund të lidhen gjithashtu me rajonin, i cili është gjithashtu i trazuar për shkak të marrëveshjes së re e cila pritet të nënshkruhet midis Kosovës dhe Serbisë.
Një marrëveshje, që për shumicën e politikanëve kosovarë dhe shqiptarë është e pamundur të arrihet, dhe është madje e paarsyeshme. Por politikat e sotme nderkombëtare, janë në një vrull të përshpejtuar dhe ndryshojnë shumë shpejt.
Le të shpresojmë që këto veprime të qeverisë shqiptare, përsa i përket marrëdhënieve të ndryshme ndërkombëtare, të jenë në dobi edhe të kauzës së shqiptarëve. Por edhe të minimizimit të konflikteve, dhe pasojave që mund të vijnë nga këto vendimmarrje. /tesheshi.com/