Duket se nuk ka fund fëlliqësia e retorikës islamofobe që vjen nga kandidatët republikanë. Tonaliteti i kohës së reflektimit pas sulmeve të Parisit është bërë aq helmatisës, sa nuk mund të kumtojë asgjë pozitive.
Ndër të fundit, kandidati prirës republikan tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë “absolutisht asnjë zgjedhje”, por vetëm të mbyllin disa xhami. Dhe, i pyetur nga një gazetar, ai la të kuptohej se nuk do ta kishte fare problem regjistrimin e muslimanëve, një gjë që shumë e kanë dënuar me forcë, duke e krahasuar me mënyrën si u trajtuan hebrenjtë njëherë e një kohë. (Pas kritikave të ashpra nga të dyja palët, ai u përpoq ta tërhiqte vërejtjen që bëri për regjistrimin.)
Dhe pas kësaj, dr. Ben Carson hoqi një paralele torturuese midis refugjatëve sirianë, që janë shumica muslimanë, dhe “një qeni të tërbuar që vërtitet në lagjen tënde”.
Robert McCaw, zëdhënës i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame i tha televizionit Al Jazeera se komentet e Carson-it ishin “të pamendueshme”, duke shtuar: “Ka vetëm një gjë që ju bëni me një qen të tërbuar- e vrisni.”
Në të vërtetë, ky është edhe problemi me retorikën e dalldisur dhe raciste: çdo shprehje i hedh një dru më shumë zjarrit, që të mund të digjet jashtë vatrës për të shkuar tek e paimagjinueshmja.
Dr. Martin Luther King Jr. paralajmëroi në fjalimin e tij të vitit 1967, “Amerika tjetër”: “Racizmi është djallëzor, pasi logjika e tij finale është gjenocidi”. Siç shprehet King-u:
“Nëse dikush thotë se nuk jam mjaftueshëm i mirë sa të jetojë ngjitur me mua, nëse dikush thotë se nuk jam mjaftueshëm i mirë për të ngrënë në një banak me mua, apo për të pasur një punë të mirë e të fisshme, apo për të shkuar në shkollë së bashku me të, vetëm për shkak të racës sime, ai po thotë me ndërgjegje ose jo se unë meritoj të mos ekzistoj.”
Nëse janë apo nuk janë të ndërgjegjshëm këta kandidatë për këtë “logjikë finale”, apo nëse në një farë mënyre e miratojnë atë, kjo nuk e bën gjuhën e përdorur prej tyre më pak të rrezikshme kur bie në veshët e minorancave të margjinalizuara, ose në veshët e atyre që kërkojnë vetëm një arsye për të maskuar rrugën e gabuar me të pasurit të drejtë.
Një studim i vitit 2013 nga universiteti Carnegie Mellon gjeti se, në pjesën më të madhe të shteteve republikane në vend, punëdhënësit mund të ishin më pak të prirur t’i intervistonin punëkërkuesit profili social i të cilëve tregonte se aplikantët ishin muslimanë”. Kësaj të dhëne i referohet instituti Pew.
Ashtu siç shpjegoi Pew: “Në dhjetë shtete me mbështetjen më të madhe për kandidatin presidencial republikan Mitt Romney në vitin 2012, 17 për qind e aplikantëve të krishterë morën telefonata për t’u intervistuar krahasuar me 2 për qind të kandidatëve për punë që ishin muslimanë. Nuk ka asnjë diferencë në marrjen e telefonatave mes të krishterëve dhe muslimanëve në 10 shtetet që dhanë mbështetjen më të vogël për Romney-n.”
Muajin e kaluar, mediat raportuan një sondazh nga Karolina e Veriut, ku, në një qendër votimesh, persona me lidhje me partinë Demokratike i anketuan votuesit në primaret republikane.
Rezultatet treguan se 72 për qind besonin se një musliman nuk duhet lejuar të jetë president i Shteteve të Bashkuara, dhe 40 për qind besonin se Islami duhet të jetë i paligjshëm në këtë vend.
Nuk është habi, atëherë, që sondazhi i vitit 2011 nga qendra kërkimore Pew nxori se vetëm 11 për qind e muslimanëve amerikanë e identifikojnë veten me prirje republikane, ndërsa 70 për qind e tyre shprehen pro demokratëve.
Për përforcim, një trajtesë e vitit 2013, e publikuar nga Qendra për Progresin Amerikan dhe shkolla e Ligjit e universitetit të Nju-Jorkut nxori përfundimin:
“Një tendencë shqetësuese po përhapet me shpejtësi në legjislaturat e shteteve në vend: në një përpjekje të fshehur keq për të nxitur sjellje kundër muslimanëve, ligjvënësit në 32 shtete ndërmorën ndalimin e ligjeve të huaja apo të atij ndërkombëtar. Ky ndalim bazohet në modelin e legjislacionit të hartuar nga aktivisti antimusliman David Yerushalmi, dhe që promovohet nga aktivistët të cilët nxisin frikën se ligjet dhe zakonet islame, që njihen si sheriat, mund t’i kontrollojnë gjykatat amerikane. Edhe pse propaganduesit e këtyre ndalimeve nuk mundën të citojnë një qëndrim të vetëm kur një gjykatë amerikane është mbështetur në sheriatin për të zgjidhur një konflikt, ndalesa për ligjet e huaja ka hyrë në fuqi në Oklahoma, Kansas, Luiziana, Tenesi dhe Arizona, ndërsa në Dakotën e Jugut u aktivizua ndalesa për ligjin fetar.
Ashtu siç shkruan Unioni Amerikan i të Drejtave Civile për këto ligje: “Pëpjekjet për t’i veçuar muslimanët e për të avancuar idenë e shëmtuar se çdo gjë islame është joamerikane janë të padrejta dhe diskriminuese, e duhet të refuzohen. Ligjet që veçojnë sheriatin dhunojnë Amendamentin e Parë, duke e trajtuar një sistem besimi si të dyshimtë.”
Ky demonizim i një besimi të vetëm fetar është një rrëpirë e rrëshqitshme. Ai ushqen diçka që është në kundërshtim me ambicien më fisnike të njerëzve më të mirë të këtij vendi: barazinë.
Sondazhi i qendrës Pew në vitin 2011 gjeti se midis muslimanëve amerikanë raportohet në shifra të konsiderueshme se ata shihen me dyshim (28 për qind), ofendohen me fjalë (22 për qind). 21 për qind thonë se ndahen veç nga sigurimi në aeroporte, ndërsa 13 për qind thonë se veçohen nga agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Në total, 52 për qind thonë se politikat e antiterrorizmit të qeverisë i ndajnë veçmas muslimanët në Shtetet e Bashkuara për t’i mbikëqyrur më me kujdes apo për t’i monitoruar.
Ne duhet t’i vendosim kapak kësaj gjuhe gërryese. E thënë thjesht, të jesh specifikisht antimusliman, të bën në një mënyrë edhe antiamerikan.
*Autori është kolumnist dhe redaktor në gazetën New York Times
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/