Prej ditësh, madje javësh, ka një sërë ngjarjesh që në njërën anë e nxjerrin zbuluar shtetin shqiptar në molepsjen e tij nga e keqja, nga inferioriteti, nga paaftësia e babëzia, e në anën tjetër po ashtu zbulojnë mjerimin shpirtëror e mendor të masës, turmës, që përfshin si qarqet pretenduese për intelektualizëm e opinionbërje, e po ashtu dhe të përhumburin në paditurinë e tij në rrugë të madhe.
Një shumë e madhe parash u mor me thasë në Rinas ndërsa po “ngarkohej” në avion. Lajme, komente, emisione të tëra, analiza për përgjegjësi të gjithkujt dhe të askujt e pasuan këtë ngjarje. Askush nuk doli të thotë se nuk ishte as vjedhje spektakolare, as trimëri hajdutësh. Ishte një bashkëpunim mes çmos njerëzish, mes çmos institucionesh. Një tallje ditën për diell me të qeverisurit si mos më keq. Një përvetësim i kursimeve nga kusarë të paguar me lekët tona.
Më tallëse është lënia e përgjegjësisë në derë të tjetrit, pikërisht nga ata që pretendonin se me masat e marra në aeroport do na shpëtonin prej terrorizmit ndërkombëtar!
E di si ngjan pretendimi i policisë se territori i aeroportit nuk qenka hapësirë e detyrës së saj ruajtëse, por e një firme koncesionare? As më shumë e as më pak, si ajo e një qytetari i cili pretendon që gruan e tij t’ia ruajë administratori i pallatit, e ai të mos ketë asnjë detyrim mbi paprekshmërinë e dëlirësisë së saj!
Reagimi? Zero! Krenaria e nëpërkëmbur e qytetarit? Zero! Askush nuk do t’ia dijë për telendisjen e shtetit prej shtetit, prej pushtetit. Gjithçka tjetër është butafori! Mos u gënjeni!
E kundërta ngjet me një ngjarje shumë më pak cenuese, po për qytetarin, për shtetin.
Një historian turk vjen e thotë atë që mendon pranë varrit të Skënderbeut. Diçka që nuk përkon me përkufizimin e kahershëm mbizotërues këtyre anëve. Zero është punëprishja e ditës për njerëzinë!
Një ortek sharjesh, denigrimesh, fyerjesh pa fund, thirrjesh për ta shpallur të padëshirueshëm; të gjitha për të!
Vetë historiani shpreh keqardhjen për keqkuptimin në llogarinë e tij në një media sociale. Por çfarë pason në të njëjtën faqe? Llum sharjesh, pisllëqe, një zhargon që bën me turp edhe qenien më modeste! Mungon tërësisht reagimi i arsyetuar, që fare mirë mund t’ia hidhte poshtë logjikën historianit.
Ç’reagim absurd! Më absurd është reagimi i mendjendriturve, që kërkojnë ta yshtin masën në udhën e palogjikshmërisë e të shmangies nga realiteti me terminologji komuniste.
Një sugjerim do të ishte me vend. Nëse veç lëvdatave nuk pranohet asgjë tjetër te aksh varr, e në qoftë e dënueshme çdo fjalë me ngjyrim jopozitiv, shteti e ka të thjeshtë të shkruajë një përkujtesë të tillë pikërisht në atë vend. Për t’i dalë përpara së “keqes”!
Duke i vënë karshi dy ngjarjet, njerëzia do duhej të reagonte me klithma e me çmos për bastisjen në aeroport e për milionat e ikura gjetiu, e duhej të tregohej më e arsyeshme e më logjike për fjalët e historianit. Sigurisht, edhe duke i dënuar komentet e tij.
Do të ishte krejt e drejtë që mos të pëlqeheshin fjalët e historianit me këndvështrim ndryshe, ama shpërpjestimi në reagim kundrejt një ngjarjeje shumë më fyese e më tallëse, si ajo e aeroportit, vë në pah, në rastin më të mirë, një hipokrizi tradicionale.
Krejt ndryshe ndodh me ministrin e Jashtëm grek e me zyrtarë të tjerë helenë. Historiani turk është shprehës veç i mendimit të tij, ndërsa këta grekërit na bartin e na përcjellin politikën e një shteti të tërë.
E jo veç këta të fundit, por sa herë kanë shkelur këmbën grekët këtejpari, veç rrëmujë kanë sjellë. Kanë folur ç’u ka dashur qejfi, as ua kanë fishkëllyer homologëve buzagaz, as ua ka ndjerë për Çamëri e për çështje çame.
Kanë kujtuar se kur mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme, kanë bërë diversion me përkatësinë fetare të çamëve, duke i ndarë në të mirë e të këqinj sipas fesë së tyre. E kështu! Më?
Meqë është çështje varresh, në fund e kanë mbushur dhe vendin me varre grekërish!
Reagimi? Zero! Edhe në është folur diçka, është thënë ashtu përciptas, por aspak nuk është reaguar siç duhej të reagohej.
Dhe nuk ndodh kështu një herë a dy herë. Gjithmonë! Grekët tregohen cipëplasur me ne, kurse buzëqeshja jonë sikur thotë se jemi të zënë në faj.
Turkut kufirin te thana, grekut as thanë e as kufi!
Kështu me reagimin e qytetarit, kështu me reagimin e shtetit.
Të kalojmë te e famshmja reformë në drejtësi. E reklamuar si vetë shpëtimi i Shqipërisë, mes rreshtave të saj gjendet dhe amendimi i një ligji kushtetues, ku shtohen fjalët “orientim seksual”!
E dini çfarë? Kur u pyet ministri i Drejtësisë në një emision televiziv për këtë ndërfutje të pakuptimtë të këtij amendimi në një reformë drejtësie, përgjigjja e tij ishte fare e sinqertë: se nuk e dinte aspak arsyen!
Askush nuk e ngre zërin nga politikanët, të kthyer në guakë kokulur. Pak e ngrenë zërin mes njerëzve, por thuajse asnjë prej opinionbërësve nuk bën dhe reagimin më të vogël.
Të presësh pastaj diçka nga masa është utopi. Reagimi vlen vetëm për mitet!
Në fund, dhe një tjetër shembull nga sjellja bashibozuke e shtetit dhe nga reagimi i ngjashëm, apo mosreagimi, i popullatës.
Javë më parë vdiqën dy fëmijë në segmentin rrugor pranë Kavajës, pasi një trafikndarëse e lënë si mos më keq ua preu jetën pa e nisur ende mirë. Shteti qe vënë i tëri në shërbim të dëshirës për të fituar të një subjekti privat.
Zemërimi qytetar? Afër zeros! Mos kërkoni më shumë, reagimi rezervohet për diçka tjetër!
Dhe shteti gjen e tallet përsëri, sepse e di se qytetarit nuk ia ndjen për të sotmen, por ngopet me lugën e së djeshmes.
Në të hyrë të Golemit e tërë rruga është vënë përsëri në shërbim të një tjetre pike furnizimi me lëndë djegëse për makinat.
Asnjë mësim i nxjerrë, asnjë skuqje faqeje! Rrethimi i rrugës është prishur, vozitësit paralajmërohen të ulin shpejtësinë… shteti në shërbim të privatit, në dëm të qytetarit!
Reagimi? As ia ndjen kujt!
Ky është shteti, që bën si do me qytetarin e vet. Ky është qytetari, që reagimin e ka të shpërpjestuar. Të dyja palët plotësojnë njëra-tjetrën, ngase janë të pandashme mes tyre në mentalitet. I fortë me të dobëtin, i dobët me të fortin. /tesheshi.com/