Prej vitesh thuhet se Ballkani është në një momentum shumë të vështirë historik dhe politik, dhe po aq edhe social-ekonomik. Përballë tij shfaqen dy tabllo: E para është ajo e Paktit të Atlantikut të Veriut (NATO-s) që mbështetet fortë prej SHBA-ve dhe që ka pasur disa suksese të njëpasnjëshme; ndërkaq në tablonë e dytë gjendet “Evropa politike”, e përfaqësuar kryesisht prej BE-së. E kur them BE, mund të vë shenjën e barazimit me Gjermaninë. E për këtë kompromis sa linguistik aq dhe politiko-ekonomik, nuk besoj se mund të më kundërshtojë ndokush këto vitet e fundit. Them “Evropa politike”, sepse prej pothuajse një dekade, asgjë e mirë prej ekonomisë evropiane s’po troket në Ballkan, me përjashtim të huasë që iu dha Greqisë disa vite më parë nga BE dhe që po monitorohet në mënyrë strikte!
Përballë këtyre dy tablove, vendet ballkanike kanë reaguar diku pozitivisht e diku janë shfaqur si të përgjumura. Por, me ndërhyrjen e politikës së jashtme amerikane në Ballkan, tabloja e parë duket më e plotësuar, e kjo vërehet në aderimet e reja në NATO siç ishte rasti i Malit të Zi një vit më parë, dhe shtytjes së qeverisë maqedonase për të gjetur një kompromis me Greqinë për emrin e saj, në mënyrë që edhe ajo t’i bashkëngjitet Paktit. Nga ana tjetër tabloja evropiane është më e zymtë. Aty nuk shfaqet ndonjë shpresë e madhe se vendet si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria apo dhe Maqedonia e Kosova mund të çelin negociatat (fillimisht ndonjëri që ende s’e ka bërë), e më pas të anëtarësohen përpara 2022. Edhe pse presioni evropian ka ardhur duke u rritur, sërish pa mjetet financiare të BE-së, ai nuk gjen shtysë në terren. Pra e thënë ndryshe, për aq kohë sa BE-ja shfaqej si një alternativë politike dhe ekonomike, sytë e liderëve të Ballkanit ishin të drejtuar drejt saj. Për sa kohë që alternativa ekonomike është dobësuar, sytë e liderëve ballkanas janë hedhur drejt resurseve të reja.
A do jetë në gjendje NATO e BE – në rastin e Ballkanit, që diku bashkë e diku veçmas, të mbështesin njëri-tjetrin? Apo mungesa e njërit faktor do ndikojë negativisht edhe tek ecuria e tjetrit? Kjo është pak e vështirë të thuhet edhe pse NATO nuk është një aleancë e mirëfilltë politike, por sidoqoftë, ecuria pozitive e saj ka shërbyer si garanci për proceset e tjera integruese të BE-së në Ballkan. E megjithatë indiciet tregojnë se në “epokën Tramp” koordinimi do të jetë shumë i vështirë. Mbase kjo vjen edhe prej faktit se SHBA-të po mundohen të kthehen tek koncepti izolues i para dy shekujve “amerika për amerikanët”, gjë e cila nuk është edhe aq reale apo e mundur për t’u kryer në një botë globale dhe institucionalisht të lidhur me organizma si OKB, NATO etj. E përpara se kjo formulë origjinale amerikane të zbatohet, duhen “thyer” të gjitha lidhjet ndërkombëtare që SHBA-të i mbajnë të kyçura me pjesën tjetër të globit.
Nga ana tjetër duket sikur formula e përdorur më lartë do të vlejë vetëm financiarisht, e ky lloj izolimi do mund të quhet një “operacion për të mbrojtur financat amerikane”. Në fakt lëkundjet e saj kanë filluar të ndjehen që në kuotat që Uashingtoni do të jap për OKB, Çështjen Palestineze, e deri diku edhe për sigurinë ndërkombëtare. Në këtë pikë, ku mund të pozicionohet BE? Dhe a mundet që distancimi i SHBA-ve të ndikojë në zgjerimin e vakuumit që plotësohej në mënyrë reciproke për dekada të tëra prej të dyjave? Me një president si Donald Tramp është shumë e vështirë të parashikohen levizjet e ardhshme politike ndërkombëtare. Mbase do të duhet që Evropa të ndjek Amerikën, por dyshoj se kjo gjë mund të ndodhë. Liderët evropianë, e ndjejnë se elektorati po rrëshket tashmë herë djathtas e herë majtas në ekstremet përkatëse, e kjo do t’i shtyjë ata drejt një politike “izolacioni”, ku mbrojtja e vlerave nacionale do prevalojë mbi ato supranacionale. Kthimi tek vlerat nacionale, për sa kohë që reflektohet si diçka pozitive, për aq kohë mund të shprehet edhe në terma negativë. Ambiguiteti në këtë pikë do varet se sa shance kanë disa vende evropiane e ballkanike për t’u kthyer tek dashuri-urrejtjet e tyre të vjetra, si Rusia, Kina apo fantazma e ish-Jugosllavisë.
Kështu në plan të parë fillon të dalë e të na shfaqet alternativa ruse, ajo kineze dhe deri diku ajo e ish-Federatës Jugosllave. Që për të thënë të vërtetën, nuk është se janë alternativa të paperceptueshme. Rusia kahera ka qenë bashkëudhëtare e mbështetëse e disa vendeve ballkanike si Serbisë Rumanisë, Bullgarisë apo dhe Maqedonisë e Shqipërisë. Ndërkaq alternativa kineze, është një alternativë që ka hedhur rrënjë kudo dhe sidomos në Afrikë, ku në vitet e fundit është kthyer në investitorin më të madh të kontinentit. E duke qenë se Ballkani është një rajon tranziti, mund të shfrytëzohet fare mirë prej Pekinit për të stimuluar zhvillimin e infrastrukturës së domosdoshme, për ta përdorur më pas në favor të kompanive kineze e pse jo edhe për të shtrirë ndikimin e vet politik. Nga ana tjetër nuk duhet harruar Turqia, si një fuqi e re ekonomike e politike, e cila ka një lidhje pesë shekullore me Ballkanin dhe e cila ndjehet kulturalisht më afër se dy të parat. Ajo e ka shprehur hapur mbështetjen e saj në terma politik e financiar sidomos për Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë, Shqipërinë e Kosovën. Ndërsa kohët e fundit janë intensifikuar e përmirësuar ndjeshëm edhe marrëdhëniet e saj me Serbinë, Kroacinë e Bullgarinë. Por, ndryshe prej Rusisë e Kinës, Turqia ndjehet më e favorizuar për shkak të afrisë gjeografike si dhe proceseve kulturore të së kaluarës, si dhe pakicave turke në disa vende ballkanike.
Për një kohë shumë të gjatë inputet ekonomike kanë qënë një shtysë e fuqishme e ballkanasve për të ndjekur e kapur lokomotivën e BE-së, që do t’i shpinte ata drejt mirëqënies ekonomike e largonte prej konflikteve nacionale. Për sa kohë që kjo alternativë ishte e gjallë dhe e prekshme, si dhe me një qasje të gjerë në popull, atëherë dhe politikanët ballkanas, edhe të mos donin, të shtyrë prej ndikimit popullor nuk mund t’i shmangeshin rrugëtimit drejt olimpit evropian – Brukselit. Por kohët kanë ndryshuar, pragmatizimi po rritet dhe bashkë më të edhe platformat konservatore të djathta e ato të ekstremit të majtë. Proceset integruese që zbutën për disa dekada mëritë mes shteteve evropiane dhe shërbyen si model për vendet ballkanike kanë filluar të zveniten. Aq më tepër që dalja e Britanisë nga BE, paralajmëroi se diçka jo fort e mirë po vjen.
E gjendur në këtë momentum historik, BE-së i duhet të shfaqet si alternativë afatgjatë, e jo vetëm si një manual procesesh e plotësimi standardesh. Ndaj, një qasje më e mirë e saj në vendet ballkanike do ndihmonte në rritjen e mbështetjes për proceset – e stërgjatura – evropianizuese; moszgjatjen e negociatave; dhe pranimin sa më parë të atyre vendeve në Ballkan që nuk kanë shijuar ende disa prej fryteve të Unionit. Ndryshe politikanët apo liderët ballkanik do shfaqen pragmatist (si e vetmja gjë që e bëjnë shumë mirë), e presioni i tyre me alternativat e reja do përkthehej politikisht si “ajo çfarë s’më jepet” (prej teje – BE), më ofrohet diku tjetër. Në fakt disa liderë ballkanas edhe e kanë bërë këtë gjë në të kaluarën e afërt!
Në këtë pikë, ndokush në Bruksel mund të pyesi se ku qendron morali i trysnisë apo pragmatizmit të liderëve ballkanik karshi BE-së, kur kjo e fundit i ka mbështetur për vite të tëra? Por s’duhet harruar se për liderët ballkanas anëtarësimi në BE praktikisht është një kufizim pushteti, krahasuar me “alternativën ruse”, e cila shfaqet me prirje autoritarizmi. Prandaj ilustrimi i tyre është se duke u kthyer në lidhje e vjetra, çfarëdo qendrimi të marrin nuk është antikombëtar e duke qenë kështu, çdo qendrim i tyre është i moralshëm brenda asaj që është morale në marrëdheniet ndërkombëtare. Një paradigmë e gabuar, por e gatuar mirë në tryezat e supës ballkanike! /tesheshi.com/