U deshën 19 faqe të tekstit të marrëveshjes ndërmjet Shkupit dhe Athinës, të cilat tregojnë se do mund t’i jepet fund mosmarrëveshjes 27-vjeçare mes dy vendeve. Si Aleksis Tsiprasit edhe Zoran Zaevit ju desh të përballen me një vendim të vështirë në vendet e tyre. Të dy u akuzuan prej qarqeve nacionaliste si “shitës” të atdheut. E megjithatë shprehja “eppur si muove” i shkon përshtat asaj çfarë po ndodh gjer tani për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme si për Maqedoninë ashtu dhe për Greqinë.
Të gjitha këto zhvillime politike kuadrojnë me një panoramë më të madhe. Dakordësia ndërmjet presidentit të SHBA-ve, Trump, dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, për t’i dhënë fund përplasjes mes dy vendeve dhe programit bërthamor të Phenianit, kanë krijuar një atmosferë sipas së cilës, të gjitha mosmarrëveshjet mund të zgjidhen përmes bisedimeve. Ky model, më shumë i imponuar prej fuqisë së SHBA-ve, sesa mundësisë që ka Pheniani për të kundështuar, po kthehet në një “mainstream” politik ndërkombëtar edhe për shumë vende të tjera. Nga kjo gjë, nuk mundën të shpëtojnë as bisedimet e filluara më herët mes Athinës e Shkupit.
Leximi i situatës së krijuar prej vitesh mes dy vendeve shkon përtej koncepteve ideologjike të së majtës dhe së djathtës. Ajo ndërfutet thellë në analet e nacionalizmit ballkanas. Pikërisht këtu s’duhet të harrojmë se ishte “çështja maqedonase” ajo që nënshkroi aktin e lindjes së terrorizmit ndërkombëtar me atentatet e shumta të vitit 1903-1905 ndaj bankave, hekurudhave dhe mjeteve të tjera të transportit në Shkup dhe rrethina. Të gjitha këto të dokumentuara në muzeumet e kryeqytetit maqedonas, ashtu siç nuk mund të harrohen as spastrimet etnike që bën grekët në fshatrat bullgaro-maqedonase, maqedonase, shqiptare, e ato shqiptaro-maqedonase.
Ballkani kahera është quajtur “fuçi baruti”! Një sinonim i cili e ka shoqëruar këtë gadishull për një kohë të gjatë. Luftërat evropiane, kryesisht ato me Perandorinë Osmane, aty lindnin dhe aty mbylleshin! Pra diku larg Evropës! Në disa territore ku njerëzit quheshin të “pacivilizuar”. Kuptohet se ky perceptim, i ngjashëm me atë grek për jo grekët, “barbarët”, është marrë prej kulturës helene. D.m.th, Evropa ka gjetur një përcaktim tek të “pacivilizuarit”, që ka lindur dhe është përdorur po në Ballkan, për popujt që nuk ishin ballkanas. Me kohë, rrota e historisë, ja ka kthyer kusurin e kësaj fjale ballkanasve.
Perceptimi se marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit janë të brishta, është mëse i saktë. Po i njëjti perceptim vlen edhe për faktin se shtetformimi në disa prej vendeve ballkanike ka qenë i ngadaltë. Edhe ritmet për të kapur lokomotivën evropiane të BE-së kanë qenë të ngadalta. Probleme të pazgjidhura, të ngecura në “ngricën” e Luftës Ftohtë, tashmë janë rikthyer në vëmendjen e politikës ballkanike, të imponuara për t’i dhënë drejtim prej Brukselit dhe Uashingtonit.
Çështja e zgjidhjes së diskutimit të emrit të Maqedonisë, një kusht i vënë ndaj Shkupit për t’u pranuar në BE dhe NATO, ka qenë tema më e nxehtë e muajve të fundit. Është fakt se Maqedonia, një përcaktim shumë i gjerë, pasi humbi në rrjedhën e shekujve, doli sërish në arenën ballkanike e atë ndërkombëtare në fillim të shek. XX. Në një gadishull që po ziente nga pasojat e luftërave të fillim-shekullit, çështja maqedonase zuri vendin e saj dhe arriti t’u imponohet për zgjidhje Fuqive të Mëdha. Trajtimi që ju bë kësaj çështjeje pak më vonë, la të hapur një diskutim të gjatë, i cili ende sot nuk ka marrë zgjidhje. Për këtë arsye, Greqia, duke lobuar fuqishëm në Bruksel e gjetiu, ka kërkuar që para se Shkupi të anëtarësohet në BE e NATO, të zgjidh çështjen e diskutueshme me Athinën për emrin e Maqedonisë.
Sipas mediave ruse, janë tri çështje ballkanike që ende nuk janë zgjidhur: ajo maqedonase, serbe dhe shqiptare. Prandaj për këtë arsye, – thotë Kostandin Nikiforov, studiues i popujve sllavë, – “Ballkani nuk mund të jetë i qëndrueshëm…”. Kuptohet që ky është këndvështrimi moskovit i situatës në Ballkan, që njëkohësisht tregon barometrin se Moskës nuk i intereson zgjidhja e asnjërës prej këtyre çështjeve. Nga ana tjetër Ushingtoni dhe Brukseli e kanë bërë të qartë, se zgjidhja e shpejt e çështjes së emrit i hap rrugën Shkupit për t’u pranuar, ashtu siç ndodhi me Malin e Zi pak kohë më parë, në Aleancën e Atlantikut Verior.
Për t’i hedhur edhe më shumë kripë gjellës greko-maqedonase, opozitat nacionaliste në të dy vendet ka nisur protestat. Në Greqi, Kisha ka bashkuar forcat e saj me nacionalistët ekstremistë neonazistë dhe ka kërkuar që emri i propozuar i Republikës së Maqedonisë Veriore të mos pranohet e as mos përmendet se mund të ofrojë zgjidhje për problemin. E njëjta situatë por më pak dramatike po zhvillohet edhe në Maqedoni. Kreu i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në protestën e fundit në qytetin e Manastirit e shpalli Zoran Zaevin si “tradhtar të interesave kombëtare maqedonase”.
Në një situatë kaq të vështirë, ndërhyrja e Uashingtonit dhe Brukselit është e domosdoshme. Do jetë shumë e vështirë që pa presionin ndërkombëtare situata të marrë drejtim. Në këtë rast presioni bie më shumë mbi Maqedoninë sesa mbi Greqinë, por sërish, nacionalistët grekë kanë treguar se nuk do të lëshojnë pe. Në një prej sencave të fundit të parlamentit grek, deputeti neonazist i Agimit të Artë, Kostandinos Barbarius lëshoi thirrje antikushtetuese për rrëzimin e qeverisë greke me dhunë, për vet faktin se ajo po negocionte me Maqedoninë dhe kishte një marrëveshje për emrin e kësaj të fundit.
Arrestimi i Kostandinos Barbariusit prej policisë greke për thirrje ekstremiste dhe rrëzim të rendit kushtetues janë një sinjal i fortë se Athina tashmë e ka pranuar emrin e ri, atë të Republikës së Maqedonisë Veriore si të vetmen mundësi për të arritur një zgjidhje të dyanshme të kësaj çështje. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Shkupi do dorëzohet para protestave, apo do vazhdojë përpara për të finalizuar në parlament marrëveshjen e arritur.
Zgjidhja e çështjes maqedonase, ashtu si ajo e Kosovës që nuk ka më kthim, i pret hovin diplomacisë ruse për ndikim të mëtejshëm në çështjet e Ballkanit. Tashmë Serbia, në pamundësi për të futur hundët në Maqedoni dhe Kosovë, limitohet të mbesë e pafuqishme në një Ballkan që po ndryshon me ritme të shpejta. Njëkohësisht pranimi në një të ardhme të afërt i Bosnje-Hercegovinës në NATO e më pas në BE, do t’i japë shumë shpejt drejtim edhe “çështjes së serbëve të Bosnjes”, e cila pretendohet si një rast i pazgjidhshëm.
Inkuadrimi në NATO i Ballkanit Perëndimor është zgjidhja përfundimtare e disa problemeve që krijonin hapësira për keqinterpretime prej qarqeve të caktuara si dhe për ndërhyrje në punët e bredshme të këtyre vendeve si nga fqinjët e “paftuar” ashtu dhe prej diplomacisë moskovite. Realiteti i krijuar dhe përvijuar me një Ballkan që nuk krijon më hapësira për t’u kthyer në katalizator konfliktesh, në radhë të parë ndihmon vet shtetet që të përmirësojnë marrëdheniet në kuadrin e sapo krijuar dhe ndan njëherë e mirë politikat e vjetra prej atyre pro-perëndimore. /tesheshi.com/