Një ditë e një viti që vjen
Cingërron telefoni, ku ta dish për të satën herë, dhe e zgjon. “Mirëmëngjes, keni porositur zgjimin”, i thotë një zë plot gjallëri nga Telekombi i Prishtinës, pasi kishte ngritur përgjumshëm receptorin. Kishte fjetur vonë. Nuk ishte ëndërr: mbrëmë kishte parë në Teatrin e Operës e Baletit të kryeqytetit të Republikës së Kosovës “Valsin e pranverës”, pastaj me kolegët gazetarë të “Rilindjes” kishte ndejur e ngritur ndonjë gotë në restorantin “Kulla” në teracën mbi katin e gjashtëmbëdhjetë të Pallatit të Shtypit. Pastaj në dhomën e hotelit “Bozhuret” kishte shfletuar e lexuar botimin e mbrëmjes të gazetës “B” (‘Bujkut” të dikurshëm) derisa e kishte zënë gjumi. Ishte gazetar nga Tirana dhe kishte ardhë të raportojë për një kohë nga Prishtina.
Hapi televizorin. I pëlqente shumë të shikojë programin e Televizionit Shqiptar të Prishtinës që në atë orë jepte këngë dhe valle të ansamblit folklorik “Rugova”, po edhe priste padurim të shoh Teletekstin në Televizionin Shqiptar të Tiranës, ku me siguri do të emetohej lajmi i tij i parë që kishte dërguar nga Kosova nga zyrat e Agjencisë Shqiptare të lajmeve. Tek e kërkonte nëpër frekuenca kanalin e teletekstit iu kujtuan lajmet e një kohe të kaluar nga Kosova për pengesat serbe që i bëheshin depërtimit në Kosovë të sinjaleve te Radiotelevizionit Shqiptar…Nuk vonoi dhe në ekran u shfaq edhe lajmi i tij: “Në Kosovë filluan solemnisht punimet për ndërtimin e autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, në shtegun e rrugës së vjetër viaignatia Lis-Dardani…”
Këtë lajm, që një ditë më parë e kishin dhënë të përsëritur disa herë radio dhe televizioni, po e përsëriste atë mëngjes edhe Televizioni Shqiptar i Shkupit, duke e plotësuar informacionin me mundësitë e lidhjes me autostradën Durrës-Shkup-Sofje-Stamboll.
Informacione të gjera për fillimin solemn të autostradës, në praninë e udhëheqësve më të lartë shtetërorë nga Tirana e Prishtina, atë ditë botonin edhe gazetat. Sapo kishte dalur nga hoteli ishte ndalur në sheshin “2 Korriku” para shtandit të gazetave, që ishte shumë i gjerë dhe me shumë gazeta e revista të Prishtinës, Tiranës, Shkupit, po edhe me gazetat e revistat kryesore të shumë vendeve të botës.
Së pari mori “Rilindjen”, botimin në Prishtinë, pastaj “Rilindjen Demokratike”, “Albaninë”, “Lajmin e Ditës” dhe ca gazeta të tjera të Tiranës, siç i merrte edhe në Tiranë, si edhe “Flakën” e Shkupit.
U kthye në teracën e hotelit, porositi kafe e konjak “Skenderbeg” të Korçës dhe filloi të shfletojë shtypin e ditës…
Nuk arriti t’i shfletojë të gjitha. Më shumë u ndal në gazetën “Flaka” që botonte lajmin ekskluziv “Shkupi heq regjimin e pasaportave për shtetasit e Kosovës”. E ngriti me fund gotën dhe niset për ta dhënë këtë lajm sa më shpejt. Derisa po mendonte se do të jetë ky lajmi më i mirë që do të hyjë edhe në “pasqyrën e shtypit shqiptar”, tek ecte si në vrap e ndaloi polici dhe e qortoi vëllazërisht pse e kishte kaluar keq rrugën e automjeteve. Ballafaqimi me policion përsëri ia kujtoi pamjet e lajmet e kohëve të shkuara nga Kosova për policët serbë me pancirë që terrorizonin shqiptarët. Po, ishte tash një imazh krejt tjetër. Polici që mbante me kreni emblemen e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, pasi kuptoi se kend e kishte ndaluar dhe pse i ngutej, e pyeti në ka nevojë ta ndalë ndonjë automobil për ta dërguar më shpejt në zyrë…
Me të parën e mori në telefon Tiranën dhe e diktoi lajmin. Në atë orë iu kujtua se vetëm në vitin 1995 ishin bërë të mundshme, për herë të parë, lidhjet e drejtpërdrejta telefonike nga Prishtina në Tiranë. Ai telexi i vjetër, po aq i mirë, qe një kohë të gjatë ishte lidhje e vetme, edhe pse shumë e vështirë, prej nga dërgoheshin lajmet nga Kosova, i ngjante në atë moment më shumë në një rearitet muzeal.
Pasi mbaroi me lajmin që i erdhi si befasisht, nisi të mendojë për punët që i kishte paraparë: një rportazh për Prishtinën, pritjen në Ministrinë e Informatave të Republikës së Kosovës, pyetjet për intervistën me presidentin e Republikës së Kosovës…
E para ishte reportazhi, dhe një sheti nëpër Prishtinë ishte e domosdoshme. Kishin ardhë ta shoqërorin edhe kolegët nga ky qytet, dhe bashkë me ta së pari u nis të vizitojë Muzeun më të ri të kryeqytetit, ku më parë ishte selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, mandej e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Presidencës së Republikës së Kosovës, ku zhvilloheshin gjithë ato veprimtari kombëtare e atdhetare…Kishte parafytyrimin e asaj shtëpie të vogël-muze, ku janë bërë aq shumë punë të mëdha.
Rrugës i ranë në sy mbishkrimet, të vëna aq bukur e aq me përkushtim, shqip. Po, në ndonjë dyqan, a ndonjë vend tjetër, pa edhe mbishkrime në gjuhën serbe. Në Kosovë të gjithë i kanë të garantuara të gjitha të drejtat, askush nuk trajtohet si minoritet, se askujt nuk ia dëshirojmë këtë ndjenjë e këtë trajtim ne shqiptarët, që aq shumë kemi hequr e jemi diskriminuar nën etiketën e minoritetit që na e kishin vënë, edhe pse, si edhe sot, përbënim mbi nëntëdhjetë përqind të popullsisë dhe ishim autoktonë në trojet tona etnike, prandaj secili flet dhe shkruan në gjuhën e vet pa asnjë pengesë, i shpjeguan kolegët. I sugjeruan ta lexojë Kushtetutën e Kosovës.
Duke u larguar nga Muzeu ktheu aty afër në zyrat e Stadiumit të Qytetit për të marrë buletën për ndeshjen e futbollit midis ekipit kombëtar të Kosovës dhe atij të Gjermanisë, që do të luhet të nesërmen.
Tek shkonte në kuartin e ambasadave të takohet me personalin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, e pastaj në Pallatin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, që kishte paralajmëruar një mbledhje të rëndësishme pas tre ditësh, i bënë përshtypje të veçantë kupollat e dritshme të Bibliotekës Kombëtare në Kompleksin Universitar, ndërtesa e renovuar e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Përmendorja e martirëve të lirisë e demokracisë dhe Memoriali i Skenderbeut, në qendër të qytetit të Prishtinës si në sheshin e gjerë të Tiranës.
Për një çast u ndal para reklamave të kinemave dhe kur pa repertuarin fare nuk u hamend që atë mbrëmje ta shohë filmin për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të xhiruar nga “Kosovafilmi”, me aktorë nga të gjitha hapësirat shqiptare.
Nga Pallati i Parlamentit dhe i Qeverisë doli edhe me lajmin se në minierën e “Trepçës” në Stantërg fillon eksploatimi i xehes edhe në horizontin e dymbëdhjetë dhe me paralajmërimin e projektit se Elektroekonomia e Kosovës do të ndërtojë termocentrale të reja në malin e Qyqavicës e jo në tokat e bukës siç ishin ndërtuar ato më parë.
Me parafytyrimin e thellësive me ar e të lartësive më dritë dhe të fushave det me kallinj buke shkonte të shkruajë për Kosovën, po, edhe këto, edhe jeta e njerëzit ishin Shqipëria, që do të bëhet…
Gëzuar viti që vjen dhe ajo ditë që do të vijë! Ishte ky urimi shqiptar i përsëritur nëpër vite e shekuj, që po dëgjohej edhe në atë mbrëmje gëzimi bashkë me cakërrimën e gotave në lartësinë e ‘Kullës”…
Botohet me lejen e autorit – /tesheshi.com/