Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në kohën e sotme aktet e terrorizmit: gjenocid, masakra, apo vrasje të personave të veçantë ndodhin kudo në botë.
Jo rrallë edhe opinioni shqiptar është tronditur fort nga vrasje me armë apo nga atentate mafioze me shpërthim tritoli në zona të ndryshme të vendit, madje mu në mes të rrugës, teksa kjo e fundit ndërkohë gëlonte nga plot makina të tjera e qytetarë…
Si shkak i të gjithë këtyre makabriteteve kanë vdekur krijesa të ndryshme njerëzore, kanë mbetur të plagosura rëndë ca të tjera si dhe, sipas rastit ka pasur dhe të atilla që kanë pësuar dëmtime jo dhe aq të lehta…
Plumba që derdhen si breshër mbi koka e trupa dhe tritol që shpërthehet me një siguri dhe qetësi iblisiane, në emër të një hakmarrjeje a kush e di çfarë…
Pumba e tritol, që më tepër se gjak në rrugë, derdhin në zemrën dhe shpirtin e çdo shqiptari një dhembje që shkon tëhu thellësisë…
E ç’mund të quhen vepra të tilla, përveçse akte të pastra terroriste?…
Njerëz të pafajshëm vriten barbarisht, kjo dihet. Siç dhe dihet që vendet ku nxitet urrejtja mes grupimeve të ndryshme shoqërore për arsye tërësisht artificiale, zhyten në gjakderdhje të tmerrshme e të pajustifikuara. Këto ngjarje që nxjerrin në pah anën më të errët të qenies njerëzore, në vendet me histori, kultura e struktura shoqërore të ndryshme, mund të kenë shkaqe dhe burime nga më të çuditshmet. Sidoqoftë, është mëse e qartë dhe tepër e dukshme se shkaku themelor është largimi nga morali i mbështetur në dashuri, respekt e tolerancë, për të cilin ka urdhëruar Zoti në Kur’an. Gjithmonë theksoj se si pasojë e mungesës së fesë, gatuhen individë dhe lindin grupime shoqërore që nuk njohin frikë ndaj Zotit dhe që besojnë se nuk do të japin ndonjëherë llogari për veprat e veta. E nën ombrellën e sigurisë se nuk kanë kujt t’i japin llogari për asgjë, ata e kanë të lehtë të priren për të vepruar pa mëshirë, moral dhe ndërgjegje, duke bërë padrejtësi të panumërta…
Imam Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë:
“Assesi mos mendo se padrejtësia që bëhet në këtë botë do të humbasë. Patjetër që çdo krijese do t’i kthehet e drejta në Ditën e Kiametit”. (Sherh Rijad Es-Salihin, 2/40)
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë:
“Sa përgatitje e keqe për botën tjetër është padrejtësia ndaj njerëzve”. (Sijer A’lam En-Nubela’, 10/41)
Ka thënë Shejkhul-Islam Ibn Tejmijjeh (Allahu e mëshiroftë!):
“Eshtë obligim që e folura të jetë me dije dhe drejtësi, e jo me injorancë dhe padrejtësi; ngase drejtësia është obligim mbi të gjithë, prej të gjithëve dhe në çfarëdolloj situate. Dhe padrejtësia është kategorikisht e ndaluar, nuk lejohet fare, në asnjëlloj situate”.
Në Librin e Tij Famëlartë, në Kur’an, Allahu i Madhëruar thotë:
“… Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira (bashkëpunoni në bamirësi e devotshmëri) dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër”. – Kur’an: Surja El-Ma’ideh (Sofra e shtruar), ajeti 2
“O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Padyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju”. – Kur’an: Surja El-Ma’ideh (Sofra e shtruar), ajeti 8
Dënimi me vdekje sipas ligjit islam
Kur’ani na mëson:
“Thuaju: “Ejani t’ju lexoj se çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni”. – Kur’an: Surja El-En’Aam (Bagëtitë), ajeti 151
Kushti “përveçse kur e kërkon drejtësia”, pra vetëm kur është me vend, që theksohet në Kur’an, nënkupton dënimin për tri krime:
- Vrasja e padrejtë (pa faj);
Për secilin që argumentohet krimi i vrasjes, obligohet shpagimi shpirt për shpirt dhe e keqja për të keqe, ngase iniciatori është shkaktar i këtij dëmi.
“Në ligjin e barazisë në ndëshkim, ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni”. – Kur’an: Surja El-Bekareh (Lopa), ajeti 179)
- Kurvëria (imoraliteti) publike e personit dhe e dëshmuar nga katër dëshmitarë (njerëz) të besueshëm;
Dënimi me vdekje lejohet nëse laviri dhe lavirja janë të martuar. Dëshmia individuale e katërfishtë para gjykatësit është e barabartë me dëshminë e katër dëshmitarëve.
- Dalja nga Islami pas pranimit të tij me qëllim që t’i kërcënohet xhematit mysliman (bashkësisë së myslimanëve);
Islami nuk obligon askënd që me dhunë të hyjë në të, por në të njëjtën kohë refuzon manipulimin me fenë. Në Kur’an thuhet:
“… Besojeni në mëngjes atë që u është zbritur besimtarëve, por në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta edhe ata do ta braktisin”. – Kur’an: Surja Al-‘Imran (Familja Imran), ajeti 72
Profeti Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), e përkufizon dënimin me vdekje në këto tri raste dhe thotë:
“Gjaku i myslimanit lejohet vetëm në tre raste: shpirt për shpirt, i martuari që bën prostitucion dhe ai që largohet nga feja e vet dhe e braktis xhematin”. (Transmetim unanim)
Por, theksojmë se këtu bëhet fjalë për shoqërinë islame, ku zbatohet ligji islam si dhe dënimin me vdekje në këto tri raste nuk e aplikojnë individët, por personat e caktuar ligjërisht për këtë qëllim. Dhe kjo, sepse në të kundërtën mund të rrezikohet qetësia e të mbizotërojë kaosi dhe çdo person do ta luajë rolin e gjykatësit dhe të ekzekutuesit. Vetëm në rastin e vrasjes së qëllimtë, që shpaguhet me marrjen e hakut, Islami lejon të afërmit të bëhen “ekzekutues” në praninë e personave të veshur me autoritetin ligjor për këtë qëllim, në mënyrë që të qetësohen shpirtrat e tyre dhe të shuhet zjarri i hakmarrjes. Në këtë kontekst, Zoti Fuqiplotë thotë:
“Mos ia merrni jetën njeriu, gjë që Allahu jua ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta! Nëse dikush vritet padrejtësisht, ne i kemi dhënë pushtet trashëgimtarit të tij (të kërkojë shpagim). Por edhe ai të mos e teprojë në vrasje, ngaqë është i ndihmuar (nga ligji dhe drejtësia islame)”. – Kur’an: Surja El-Isra’ (Udhëtimi natën), ajeti 33
Vrasjet dhe masakrat e njerëzve të pafajshëm
Nëse i referohemi imtësisht logjikës argumentuese të sqarimeve të mësipërme, është mëse e dukshme se ç’mëkate të mëdha janë vrasjet dhe masakrat e njerëzve të pafajshëm…
Zoti na bën të ditur në vargun e mëposhtëm kur’anor se si do të dënohet kjo fytyrë mizore e terrorizmit në jetën e ardhshme:
“Rrugë (fajësimi) ka vetëm kundër atyre që shtypin njerëzit dhe ngrejnë krye padrejtësisht duke kaluar çdo kufi (mbjellin ngatërresa) në tokë: për këta do të ketë një ndëshkim të dhimbshëm”. – Kur’an: Surja Esh-Shura (Kriteri i së Vërtetës), ajeti 42
E gjithë kjo tregon se organizimi i akteve të terrorit kundër njerëzve të pafajshëm është në kundërshtim të plotë me Islamin dhe asnjë që i thotë vetes mysliman i vërtetë nuk duhet të kryejë kurrë krime të tilla. Përkundrazi, myslimanët kanë përgjegjësi për pengimin e këtyre njerëzve, duke ndalur “mizorinë në tokë” dhe duke sjellë paqe e siguri për të gjithë njerëzit e botës, pavarësisht religjionit të cilit i përkasin. Islami jo vetëm që nuk mund të pajtohet kurrsesi me terrorin, por ai duhet të shihet si zgjidhja dhe rruga kryesore për parandalimin e tij, ku lind e ku perëndon.
Imam Shafiu, Zoti e pastë mëshiruar, tregon:
– Në Kur’an është një ajet nga i cili duhet të tmerrohen keqbërësit. Pasi e pyetën se cili është ky ajet, ai u përgjigj:
“… Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”. – Kur’an: Surja Merjem, ajeti 64
Ndërsa unë sjell edhe dy ajete të tjera:
“Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të mbrapshtive të tyre, nuk do të linte asgjë të gjallë në Tokë. Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast”. – Kur’an: Surja En-Nahl (Bleta), ajeti 61
“A mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri (se do të lihet i harruar, pa u ndëshkuar ose pa u shpërblyer për detyrimet e përcaktuara për të nga Allahu, Zoti i tij)”? – Kur’an: Surja El-Kijameh (Ringjallja), ajeti 36
Sa bukur e ka thënë Umeri r.a.:
“Fuqia në këtë botë është në pasuri, e ardhmja (Ahireti) është në veprat e mira”!…
Dënimi i çdo të keqeje në Islam
Zoti i ka urdhëruar njerëzit që t’i largohen çdo të keqeje. Shtypja, mizoria, vrasja dhe gjakderdhja janë të gjitha të ndaluara. Ai i përshkruan ata që nuk i binden kësaj urdhërese si “ndjekës të gjurmëve të djallit” dhe i akuzon si mbajtës të një qëndrimi që është përshkruar qartë si i mëkatshëm në Kur’an. Në disa nga vargjet e shumta kur’anore mbi këtë çështje, lexojmë:
- “… Ai i lë në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj,
- të cilët shkelin besën e dhënë Allahut, pasi e patën dhënë, ndërprejnë atë që ka urdhëruar Allahu për ta mbajtur lidhur dhe bëjnë ngatërresa në Tokë; ata janë njëmend të shkatërruar”. – Kur’an: Surja El-Bekareh (Lopa), ajetet 26-27
Në pamje të parë, ka shumë arsye, në dukje “bindëse”, për aktet e terrorit të cilat kanë marrë deri tani qindra-mijëra jetë. Ata që i kryejnë akte të tilla, ndjekin një rrugë që është e huaj për fenë:
“… Hani e pini nga begatitë që ju ka dhënë Zoti, por mos e teproni (mos përhapni çrregullim dhe prishje në tokë), se Ai nuk i do ata që e teprojnë”. – Kur’an: Surja Al-A’raf (Lartësitë), ajeti 31
“Dhe mos bëni çrregullime në tokë, pasi është vënë rregulli (të jetë bërë e begatë), ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është pranë punëmirëve (atyre që kryejnë vepra të mira)”. – Kur’an: Surja Al-A’raf (Lartësitë), ajeti 56
Ata që mendojnë se do të kenë sukses, duke shkaktuar shtypje, duke përhapur ligësi, duke bërë përmbysje të mëdha dhe duke vrarë njerëz, bëjnë një gabim shumë të rëndë. Zoti i ka ndaluar të gjitha aktet e ligësisë, përfshirë terrorizmin dhe dhunën, i ka dënuar ata që përfshihen në veprime të tilla dhe është shprehur në një nga vargjet e Kur’anit kështu:
81.”… Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.
- Allahu, me Fjalën e Tij e forcon të Vërtetën, edhe sikur ta urrejnë keqbërësit këtë”! – Kur’an: Surja Junus (Pejgamberi Junus), ajetet 81-82
Hipokrizia
Ekzistenca e hipokritëve që shfaqen në shoqëri në emër të Zotit dhe të fesë, por që në të vërtetë organizohen për të kryer ligësi, dënohet nga Zoti, siç tregohet qartazi në Kur’an. Një varg kur’anor flet për një grup prej nëntë personash që planifikuan të vrasin një nga profetët, duke u betuar në emër të Zotit:
- “Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.
- Ata i thanë (njëri-tjetrit): “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën”.
- Dhe kurdisën një kurth, por ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata.
- Tani shiko se si ka qenë fundi i ngatërresave të tyre. Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre.
- Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë”. – Kur’an: Surja En-Neml (Milingonat), ajetet 48-52
Ky ajet kur’anor flet për disa njerëz, të cilët betohen në emër të Zotit për të përforcuar veprat e tyre, mirëpo kjo nuk do të thotë se Zoti i miraton veprat e tyre. Në të njëjtën mënyrë edhe disa myslimanë mund të pretendojnë se gjithçka që ata bëjnë është në përputhje me fenë, mirëpo ka mundësi që ajo çka ata bëjnë të jetë tërësisht në kundërshtim me Vullnetin e Zotit dhe moralin e fesë. E vërteta e çështjes duhet parë në veprat e tyre. Nëse këto vepra synojnë të “shkaktojnë çrregullim dhe mosvendosje të drejtësisë”, sikurse shpallet në vargun e Kur’anit, atëherë duhet të jemi të sigurtë se njerëz të tillë nuk mund të jenë kurrë besimtarë të vërtetë dhe qëllimi i tyre nuk është shërbimi i fesë…
- “Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë.
- Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë.
- Në zemrat e atyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre.
- Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në Tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në Tokë!”.
- Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë”. – Kur’an: Surja El-Bekareh (Lopa), ajetet 8-12
Në lidhje me këto ajete, Shejkh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë:
“Këtu futet çdo njeri që fton për tek e kota, duke pretenduar se po fton tek e vërteta e po ashtu çdo njeri që fton në shkatërrim, duke pretenduar se po bën përmirësim. Dikush mund të thotë: “Me çfarë gjëje peshohet (njihet) përmirësimi nga shkatërrimi dhe e vërteta nga e kota”? Themi:
– Me kthimin te Libri (Kur’ani) dhe Sunneti (Tradita profetike)! Me anë të këtyre dyve njihet e vërteta nga e kota dhe përmirësimi nga shkatërrimi”. (Ahkam minel-Kur’anil-Kerim, vëllimi 1)
Ai që i frikësohet Zotit dhe që ka kuptuar moralin e Islamit, është e pamundur të mbështesë dhunën apo ligësinë, për më tepër të marrë pjesë në veprime që lidhen me to. Për këtë arsye, Islami është zgjidhja e vërtetë për problemin e terrorizmit. Kur bëhet i qartë morali sublim i Kur’anit, është e pamundur për njerëzit që ta lidhin Islamin e vërtetë me ata që mbështesin, apo bashkohen me grupet që synojnë padrejtësisht luftë dhe kaos. Zoti në Kur’an është shprehur qartë për ndalimin e ligësisë:
- “E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.
- Kur atij i thuhet “Kije frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehennemi (Ferri)! Eh, sa vendbanim i keq është ai vend”! – Kur’an: Surja El-Bekareh (Lopa), ajetet 205-206
Përgjegjësia e besimtarëve
Ata që nuk janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin përreth, përderisa ato nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, janë të zhveshur nga largpamësia për të kuptuar dhe njëherazi, mbështetur: bujarinë, vëllazërimin, miqësinë, ndershmërinë dhe shërbimin që feja u kërkon njerëzve të ofrojnë. Gjatë jetës së tyre, këta njerëz përpiqen të kënaqin egon e vet duke i shpërdoruar në mënyrë të rëndomtë mjetet, pa pasur aspak kujdes për kërcënimet që i kanosen njerëzimit. Sidoqoftë, në Kur’an, Zoti xh.sh. lëvdon moralin e atyre që përpiqen me mish e me shpirt për të sjellë mirësi në vendin ku jetojnë dhe janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin rreth tyre. Në një varg nga Kur’ani, na jepet një shembull metaforik për ata që nuk ofrojnë asnjë të mirë për të tjerët dhe për ata që veprojnë gjithmonë në rrugën e mirësisë dhe drejtësisë:
“Gjithashtu, Allahu krahason shembullin e dy njerëzve, njëri prej të cilëve është shurdh-memec, nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, kurdo e kudo që ta dërgojë, nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky me atë që urdhëron për drejtësi dhe ndjek rrugën e drejtë”?! – Kur’an: Surja En-Nahl (Bleta), ajeti 76
Është e qartë se ata që ndjekin “rrugën e drejtë”, janë ata që i qëndrojnë me përkushtim fesë së tyre, që i frikësohen Zotit xh.sh., që tregojnë respekt të madh për vlerat shpirtërore dhe që janë të mbushur me zell e dëshirë për t’u shërbyer njerëzve. Në përgjithësi, njerëz të tillë janë ata që i shërbejnë njerëzimit dhe sjellin përfitime të mëdha për shoqërinë. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme për njerëzit që të mësojnë rreth fesë së Zotit dhe të jetojnë sipas moralit të kërkuar nga shpallja e fundit hyjnore, Kur’ani.
“(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet (namazet), japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve”. – Kur’an: Surja El-Haxhxh, ajeti 41
Siç mund të shihet nga vargjet e mësipërme kur’anore është jashtë çdo mundësie që dikush që i beson me të vërtetë Zotit, të mund të bëjë një sy qorr apo një vesh shurdh, qoftë edhe përballë një veprimi që mund t’i shkaktojë dëmin më të vogël njerëzimit. Kurse dikush që nuk beson në Zotin dhe në jetën e pasosur, mund të kryejë lehtësisht çdo lloj të keqeje, përderisa mendon se nuk do t’i duhet t’i japë llogari askujt për veprat e veta…
Ata që kërcënojnë jetën e civilëve dhe veçanërisht të fëmijëve, duhet të pyesin vetveten:
– Çfarë krimi kanë bërë këto fëmijë? A është kryerja e akteve mizore ndaj njerëzve të pafajshëm diçka që do të kalojë pa u marrë në llogari?
Gjithkush duhet të jetë i bindur se Dita e Llogarisë do të vijë shumë shpejt, paçka se mund të mohohet…
Dhe atëherë, mjerë të këtillët!
Ebu Musa r.a. tregon se Profeti Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Allahu ia shtyn afatin keqbërësit, por, kur Ai e mbërthen atë, nuk e lëshon më kurrë”! (Buhariu)
Pastaj këndoi ajetin:
“I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër”. – Kur’an: Surja El-Hudë (Profeti Hud), ajeti 102.
*Drejtues fetar në Elbasan, studiues, aktivist dhe poet