Çdo individ dhe shoqëri ka vlerat e veta, në bazë të të cilave ndërton botëkuptimin e vet, hapësirën e vet jetike, mënyrën e vet të jetesës. Vlerat janë parime që na mundësojnë menaxhimin e sjelljeve tona për të realizuar veten si individë në kontekste dhe mjedise të ndryshme. Ato janë bindje dhe kritere që na mundësojnë të preferojmë, të pranojmë dhe të zgjedhim një gjë karshi tjetrës, ose një sjellje karshi tjetrës, përgjatë gjithë fazave të jetës. Vlerat janë burime të satisfaksionit dhe përplotësimit, të cilat drejtojnë sjelljet tona. Ato janë pjesë e identitetit tonë si persona që shfaqim kursin tonë të veprimit në shtëpi, punë, ose në ndonjë fushë tjetër të jetës, në çastet e kënaqësisë ose të krizës. Vlerat na tregojnë si të sillemi apo të mos sillemi kur ballafaqohemi me dëshira ose impulse, kur jemi vetë ose me të tjerët; janë kompas që na ndihmon të sillemi në mënyrë konsistente, pa marrë parasysh situatën. Për shembull, kur e përdorim transportin urban, disa ia lëshojnë vendin një gruaje shtatzënë, e disa të tjerë jo. Të parët besojnë në vlerën e kortezisë dhe në konsideratën ndaj të tjerëve, pa marrë parasysh në janë të huaj ose jo. Në mesin e atyre që nuk e lëshojnë ulësen e tyre janë fëmijët (të cilët ende nuk e kanë rrokur këtë vlerë), njerëzit më të vjetër, që i japin përparësi komforit të tyre, ose ata që i japin përparësi kënaqësisë së tyre. Pra, vlerat janë norma të sjelljes që na ndihmojnë të ndjehemi mirë lidhur me vendimet e marra. Vlerat mundësojnë arritjen e asaj në çka njerëzit besojnë, dhe për të janë të gatshëm të ndërmarrin një veprim të caktuar. Vlerat janë motivues i fortë për veprim, madje edhe në kohët e rrezikut, janë entitet aq i fuqishëm, saqë akceptuesi i tyre shpërfill kërcënimin e presionit. Vlera përbën një dispozitë të arritur psikike për të vepruar apo për të synuar një qëllim të caktuar në përputhje me të kuptuarit subjektiv të së mirës. Vlera është një e mirë e formuar në procesin e ndërveprimit social të individit, një e mirë që motivon, që përcakton objektiva të ardhshëm, dhe konform tyre e rregullon aksionin individual e atë kolektiv. Vlerat shoqërore, të cilat formohen në kuadër të një shoqërie, pranohen në mënyrë si-kolektive, përbëjnë kritere që reflektojnë mënyrat e zbatimit të ideve dhe të rregullave të caktuara. Marrë në përgjithësi, vlerat bazohen në pëlqim, etikë dhe besim. Vlerat tregojnë se cilat sjellje janë të mira e cilat të këqija. Ato mund të jenë heteronome, pra, të vijnë nga një istancë suprahumane, dhe autonome, që formohen në kuadër të vijës historike. Njeriu disa vlera i gjen të gatshme në shoqërinë në të cilën lindet, disa të tjera i përvetëson në saje të arsyes vetjake. J. Trusted, vlerat morale i quan si vlera sociale, pra, vë shenjë barazie mes të parave dhe të dytave.
Vlerat shoqërore kanë këto funksione:
- E përforcojnë solidaritetin social.
- Janë determinuese të rrugëve të mendimit dhe të veprimit; në saje të tyre njerëzit paraprakisht dinë se si do të sillen në kushte të caktuara.
- Shërbejnë si orientuese për zgjedhjen dhe jetësimin e rolit shoqëror.
- Përcaktojnë statusin social.
- Realizojnë trysni shoqërore dhe kontrollojnë sjelljet e njerëzve.
- Ndihmojnë ndërtimin e identitetit social të njeriut.
Në aspektin sociologjik, koncepti i vlerës përcakton edhe peshën e një gjëje, të një fenomeni, të një grupi dhe individi brenda shoqërisë. Një gjë mund të mos ketë rëndësinë e njëjtë në dy shoqëri të ndryshme. P.sh., në një shoqëri të robëruar, liria përbën vlerën më të lartë, kurse, në një tjetër, vlerë superiore mund të jetë diçka krejtësisht tjetër, që për shoqërinë e parë mund të jetë irrelevante. Vlerat materiale dhe ato shpirtërore shpeshherë janë të ngërthyera në njëra-tjetrën. Për shembull, një orë me qystek e mbetur nga gjyshi mund të ketë edhe vlerë materiale, edhe shpirtërore. Ngjashëm qëndron puna edhe me veprat historike. Një person që i ndihmon me para një të riu që s’ka mundësi të shkollohet, që ia paguan semestrat, në realitet ka bërë një veprim të vlefshëm në të dy aspektet. Vlerat përfaqësojnë idealet e një shoqërie, si vëllazëria, toleranca, barazia, familja, atdheu, respekti, sinqeriteti, etj. Nganjëherë shoqëritë mund t’i shndërrojnë në vlera edhe gjëra që në fakt përbëjnë antipodin e tyre, si p.sh., racizmi (në periudhën e fashizmit), ksenofobia (në Europën e sodit), huliganizmi (“vlerë” rinore), “big brother kultura”, etj. Vlerat shoqërore, kombëtare dhe universale përbëjnë vlera të pranuara nga pjesa dërrmuese e shoqërisë, për të cilat supozohet se kanë për qëllim mirësinë dhe prosperitetin e shoqërisë; ato janë kritere kolektive ideale. Të njëjtat nuk i tolerojnë tendencat dhe sjelljet që prishin unitetin dhe solidaritetin ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë, ndërsa nxisin për sjellje që plotësojnë nevojat sociale.
Kultura e ndryshimeve shkakton lindjen e vlerave të tjera jashtë atyre ekzistente. Demokracia, liberalizmi, të drejtat e njeriut, individualizmi, shteti kombëtar, efektiviteti, kualiteti total, ndërmarrësia, shoqëria e dijes-informacionit, kultura e konkurrencës, përbëjnë vlera që janë prurje të ndryshimit të ri. Të gjitha këto vlera kanë marrë përmasa thuajse universale. Sot, kur flitet për vlera universal, nënkuptohen të drejta dhe liri të cilat njeriu i fiton që nga lindja, gjykime vlerore ideore, morale dhe sociale, që garantojnë jetën brenda kritereve të caktuara. Përveç vlerave universal, ka edhe syresh kombëtare, apo partikulare, gjë që ndërlidhet me relativizmin kulturor. Vlerat kombëtare ose partikulare kanë të bëjnë me ndjesinë, mendimet dhe bindjet e një bashkësie të caktuar. Për shembull, besa “legjendare” shqiptare, apo dashuria ndaj vatanit dhe flamurit tek turqit. Shënohet dallim mes vlerave të një kamboxhiani dhe një gjermani, mes një arabi dhe një argjentinasi, mes një qytetari dhe një fshatari, mes vlerave të mishëruara nga një plak dhe ato të pranuara nga një adoleshent.
Njeriu, si qenie sociale, e ka të domosdoshme që t’i marrë parasysh vlerat, bindjet, qëndrimet dhe matricat e sjelljes shoqërore. Adaptimi ndaj jetës shoqërore është një proces që vazhdon përgjatë gjithë jetës. Ky proces e mundëson qeniesimin e njeriut si qenie sociale dhe vazhdimësinë shoqërore. Vlerat e përbashkëta janë faktorët kryesorë që e gjenerojnë dhe e kontinuojnë solidaritetin shoqëror. Ato janë shumë të rëndësishme për strukturën dhe rendin shoqëror. Institucione si familja, e drejta, arsimi, ekonomia, koha e lirë, politika, formësohen nën ndikimin e vlerave shoqërore, të cilat përcillen prej një brezi në një tjetër.
Duhet shënuar se me vlerat e pandryshueshme absolute merren filozofët, teologët dhe eticienët. Më parë thamë se vlerat janë kategori e ndryshueshme. Nuk janë të njëjta vlerat e periudhës së shoqërisë agrare, të asaj industriale dhe të sotmes, shoqërisë informatike. Solidariteti social në Shkupin e viteve 1920 dhe ai sot, në vitin 2014, me siguri se shënon një vijë të madhe ndryshimi; individualizimi e ka bërë të vetën, dhe shkupjanët e sodit janë më individualistë sesa ata të para një shekulli. Shoqëria urbane i tjetërson vlerat e shoqërisë tradicionale. Në një bisedë joformale, pas përmbylljes së Shkollës Verore të FOCIC-it (21-25 maj 2014), pas një pyetjeje të një pjesëmarrëseje nga lugina e Preshevës se si turqit arrijnë edhe të ecin ekonomikisht, por edhe t’i ruajnë vlerat e tyre tradicionale, prof. Ferhat Kentel së pari u përgjigj se një konstatim i tillë s’është i saktë, duke bërë një portretizim interesant mes rrokaqiejve në Erzurum dhe vlerave të dikurshme turke, duke shënuar se jeta në apartament e ngulfat kulturën autentike tradicionale, se turqit po bëhen pjesë e varganit kapitalist gjithnjë duke mundur unin e tyre vetjak.
Veçoritë bazë të vlerave janë këto:
- Vlerat shoqërore njihen, pëlqehen dhe respektohen nga pjesa dërrmuese e shoqërisë, si p.sh., drejtësia, atdhedashuria.
- Ato kanë fuqi specifke në ruajtjen e strukturës dhe rendit shoqëror. Disa ligje fuqinë e marrin nga vlerat shoqërore.
- Vlerat shoqërore i rregullojnë marrëdhëniet shoqërore. Pranimi i aksioni social për pozitiv varet nga përputhja e tij me vlerat sociale.
- Një pjesë e vlerave shoqërore aprovohen nga shumë shoqëri apo kombe, pra, janë universale, si p.sh., vlerat që pasqyrohen nga “Deklarata universale e të drejtave të njeriut” e vitit 1948, e aprovuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Vlerat paraqesin nevojat njerëzore të shoqërisë të lidhura ngushtë me zhvillimin socio-ekonomik, të cilat, sipas Ronald Inglehart-it (2005, 2008), paraqiten si vlerat materialiste dhe postmaterialiste. Me vlerat materialiste, Inglehart-i paraqet vlerat themelore të një shoqërie, si ekonomia e qëndrueshme, siguria e përgjithshme, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa me vlera postmaterialiste paraqiten vlerat intelektuale, liria e shprehjes së mendimit. Vlerat bazike u lejojnë anëtarëve të një organizate ose të një grupi social të ndërveprojnë në mënyrë harmonike. Vlerat ndikojnë në formimin dhe zhvillimin e individëve dhe e bëjnë më të lehtë arritjen e qëllimeve tek të cilat nuk mund të arrihet në mënyrë individuale. Faktet flasin se mirëqenia e një bashkësie varet nga rregullat e përbashkëta që e drejtojnë sjelljen e anëtarëve të saj; përndryshe, e njëjta nuk do të funksionojë në favor të shumicës. /tesheshi.com/