Konvertimi kombëtar (maqedonizimi) i rekasve ortodoksë
Rajoni i Rekës gjendet në Maqedoninë Perëndimore, ndërmjet Mavrovës dhe Dibrës nga njëra anë dhe kufirit të Shqipërisë e Kërçovës në anën tjetër. Gjeografikisht, rajoni i Rekës kufizohet me shpatet jugore të malit Sharr në veri dhe pjesët veriore të malit Deshat në jug; Korabi dhe Malet Kërçin shënojnë kufirin perëndimor, ndërsa Bistra dhe Stogova atë lindor.
Rajoni e merr këtë emër për shkak të lumit Radika dhe degës së tij (Malla Reka). Për shkak të relievit shumë të ashpër, me majat e shumta më të larta se 2.500 metra, dikur komunikimi në mes vendbanimeve është realizuar nëpërmjet rrjedhave të lumenjve. Rajoni ka disa pjesë, si Reka e Epërme, Reka e Poshtme, Reka e Madhe, Reka e Vogël. Reka e Epërme përfshinte dikur 16-17 fshatra, si Brodec, Krakornicë, Bogdevë, Vërben, Tërrnicë, Vollkovi, Tanushë, Nistrovë, Bibaj, etj. Sot, pothuajse të gjitha këto fshatra janë të braktisura. Këto dhera kanë qenë të populluara me popullatë shqiptare muslimane dhe ortodokse. Për këta të fundit, shqiptarët ortodoksë të Rekës, opinioni maqedonas plason qëndrimin se kanë qenë maqedonas me gjuhë amtare shqiptare (shih: cac.org.mk), që përbën një absurd më vete, një contradictio in adjecto.
Reka e Poshtme mbulon zonën nga gryka e lumit Ribnicë deri te lumi Radika në lokalitetin Ura e Boshkut. Shumica e fshatrave të gjalla dhe të zhvilluara janë të vendosura këtu: Zhirovnica, Vërbjani, Rostushe, Bitushe, Jançe, Trebishtë, Velebërdo, Skudrinje, Prisojnica dhe Vidushe. Rajoni i Rekës së Vogël përfshin territorin e rrjedhës së Lumit të Vogël, Tresonçe dhe Gari, si dhe një pjesë të malit Stogovë. Në këtë hapësirë janë të pozicionuara fshatrat Gari, Tresonçe, Llazaropole, Sellcë, Osoj, Mogorçe. Reka e Madhe shtrihet nga gryka e lumit të Vogël deri te ura e Gorenicës. Popullata e Rekës së Poshtme, së Vogël dhe të Madhe, është maqedonase (mijakët) dhe torbeshe. Reka e Epërme, e zbrazur thuajse tërësisht, është truall shqiptar, i banuar nga rekalinjtë e cilësuar si “shkretë”. Sot rajoni i Rekës ka diku te rreth 10.000 banorë, veprimtaria kryesore e të cilëve janë blegtoria dhe gurbeti. Njerëzit nga Reka janë të famshëm si afreskë – piktorë, si gdhendës druri, si muratorë, si mjeshtër tjegullash dhe mozaikbërës. Është interesant fakti se në vitin 1920 ka pasur një tubacion që e transportonte qumështin nga fshatrat më të mëdha të Rekës drejt qumështoreve. Atëbotë djathrat nga rajoni i Rekës përmes Portit të Selanikut arrinin deri Amerikën e Veriut. Reka para Luftës së Dytë Botërore ka pasur 2.5 milionë dele dhe numër të njëjtë të dhive, si dhe më shumë se 150.000 kuaj. Ato përbënin një potencial të fortë ekonomik dhe vegël për një jetë të mirë për më shumë se 17.000 banorët e asaj kohe. (cac.org.mk)
Sot rekalinjtë janë shkapërderdhur nëpër Maqedoni dhe më gjerë, duke jetuar diku tjetër si shqiptarë, ose diku si të tjetërsuar kulturalisht-kombëtarisht. Në Maqedoni ka shumë shqiptarë të deshqiptarizuar, të maqedonizuar. Një e vërtetë empirike është se establishmenti sllav-maqedonas dhe maqedonizma e kanë shfrytëzuar në mënyrë pragmatike fenë, gjegjësisht ortodoksinë, për t’i bërë për vete shqiptarët ortodoksë, për t’i maqedonizuar, proces ky që vazhdon edhe sot e këtë ditë, me pjesën minore të mbetur me një mikroidentitet shqiptar në mbamendje. Nga ana tjetër, pushteti maqedonas ka shfrytëzuar edhe ofertën për pozita, status, prestigj e të mira financiare, për të ushtruar trysni për kalim gradual nga një komb në tjetrin, pra, për konvertim kombëtar të shqiptarëve ortodoksë në maqedonas. Sot ka figura të rëndësishme të jetës publike të Maqedonisë që janë me prejardhje shqiptare e të cilët nuk janë të gatshëm që ta pranojnë të vërtetën për identitetin e tyre, gjithnjë nga frika prej linçimit individual e kolektiv. Disa kanë formuar familje të përziera, disa janë bërë pjesë e hierarkisë politike e intelektuale dhe nuk rrezikojnë statusin që gëzojnë, duke pasur parasysh tendosjen që ekziston në marrëdhëniet mes dy etnive madhore në RM, maqedonasve dhe shqiptarëve. Kjo ndjenjë për fshehje të së vërtetës përkatësinore forcohet edhe nga fakti se deklarimi i të vërtetës për përkatësinë shqiptare të një shqiptari ortodoks nënkupton rikthimin në taborrin oponent të maqedonizmës, për rrjedhim, një hap i tillë perceptohet si njëfarë tradhëtie superiore. Ndër personat që më kujtohen në këtë drejtim është një profesor universitar që hapur ma ka pranuar shqiptarësinë invizibile të tij, një pronar i një restoranti të mirënjohur në rrethinën e Shkupit, një akademik, e të tjerë. Ndërsa një person që mori guximin të deklarohet shqiptar, Branko Manojllovski, nga Kiçnica, tregon se shqiptar ka qenë kushëriri i tij, Vidoje Smilevski-Bato, presidenti i Maqedonisë për njëzet vjet, të cilit, sipas tij, “i vinte mirë të rrinte President e të jetë më rahat”, “rrogë të mirë”. Këtë pohim të tij ai e përgjithëson duke pohuar se, “ma rahat ju vinte t’jen maqedon. Ma rahat rronin aty ndërmjet insanve”, duke shtuar se, “asimilimi t’merr ndërkomb edhe t’mbytën”. Ai përmend edhe Branisllav Sinadinovskin, Mateja Matevskin, Zhivko e Filip Brajkovskin, Pero Gogucin, etj. (Gazeta Tema, 17.03.2013)
Manojllovski thekson se pika kohore më e rrezikshme ka qenë viti 1960, siç shprehet ai vetë, “në vaktit Titos, atëherë u botin shumë favrika, zu industrializacia, sit themi (industrializimi), edhe shumë të ri, shumë famile shkuatin ka qytetet. Edhe, kur ni grupë e vogël shkon përzihet me ni grupë e madhe, meniher asimillohet”.
“Popullata ortodokse shyptare jon nervoz, se jon martu me maqedon, me sërb me bugarë e me kto me kto, s’din kit bojn tash, mirëpo brenda në zemret e dinë se une e kom me hak…” (zeri.info)
Manojllovski tregon një rast kur me një shok maqedonas kanë shkuar te Vidoje Smilevski, te kryetari i asokohshëm i Maqedonisë, dhe nëna e tij kishte folur shqip me të, ndërsa Smilevski ia ka tërhequr vërejtjen se kjo mund t’i shkaktonte telashe: “Ky maqedoni shkon nesër aqe e thotë a e dini ju se shyptar e kemi na pretsedatellin e Maqedonisë? Si ashtu? Po nona e tij folte me ket budallën shyp!”
Ai tregon se një nga shkaqet e shpërnguljes dhe asimilimit ka qenë gjendja ekonomike, problemet ekzistenciale, për pasojë shqiptarët ortodoksë janë shpërngulur nëpër qytete dhe “mbas ni vakti, kadale kadale thonin mas fal shyp, se mbarre osht”.
Është shumë interesant fakti i cekur nga Manojllovski se maqedonishten dikur e kanë ditur vetëm meshkujt rekas, madje edhe në mesin e ortodoksëve shqiptarë: “Burrat e kanë ditë, se kanë punu, punonjin me sllavë, me … a grania jo, qe nona jeme nuk dinte dy llafe maqedonisht ja sërbisht. E mba mend kur e conim te mjeku, te doktori, si thonim. E pyete doktori maqedonisht: ‘Shto te bolli? Çysh t’dhem?’ e ajo thoshte ‘Barku mallo’, e unë i diftonja mjekut maqedonisht – ‘Stomakot ja boli’. Nuk dinte dy llafe maqedonisht, gjithë folte shyp.” (Gazeta Tema, po aty)
Mund të thuhet se shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë kanë qenë pjesë e komb-ndërtimit maqedonas, dhe kjo i ka bërë ata të shijojnë privilegje të shumta, të cilat i kanë shtyrë drejt ujërave të asimilimit. Si faktor tjetër kanë qenë edhe proceset e urbanizimit dhe të industrializimit, që e kanë tërhequr masën shqiptare nga trojet e veta drejt kulturës dominante sllave, e cila i ka kapërdirë. /tesheshi.com/