Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vërejtjen se “globeziteti”, ose obeziteti global, është një epidemi e re. “Mjekët tregojnë se shumë mënyra ushqimore perëndimore që përbëhen nga ushqimi i shpejtë janë të pashëndetshme. Ato rrisin kostot që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, si dhe kërkesën për të.” Diku rreth 1/4 e botës vuan nga mbipesha; numri më i madh i obezëve është në Perëndim, kurse i të pangopurve në Lindje dhe Jug, në veçanti në Afrikën Subsahariane. Me burime të pakta ekonomike dhe pabarazi në të ardhura, përplasja për ushqim na del si një fatkeqësi më e afërt sesa ndeshja për vlerat kulturore. Një përplasje tjetër mund të jetë ajo mes shoqërive me mënyra të shëndetshme dhe atyre të pashëndetshme të ushqimit. Njerëzit kanë të drejtën për të konsumuar skajshmërisht, por ndërkohë kanë edhe përgjegjësinë të pranojnë rezultatet dhe çmimet e zgjedhjes së tyre, sëmundjet potenciale, pasojat e shumta për shëndetin e brezave. Sikur që duhanit dhe alkoolit i janë caktuar taksa të larta, në të ardhmen mund të shfaqet “taksa e frikësimit” për salçiçet, suxhukët, sallamet, çizburgerët e majmë, jogurtët e djathrat pa shije, patatet e kripura dhe tako çipsat, pijet e lehta pa vlerë ushqimore, për hajet xhonkë të paketuara, nga shkaku se krijojnë “sëmundje të mënyrës së jetesës”, si diabeti, të zemrës, probleme të frymëmarrjes dhe kancer. (po aty)
Produktet ushqimore “perëndimore” kritikohen nga mjekët, nutricionistët, prindërit, por kot varësia prej tyre gjithnjë e më tepër po rritet. Kërkesa në rritje në përmasa botërore e trendy ushqimeve, pijeve, preparateve, krijon një tendosje gjithnjë e më të madhe lidhur me furnizimin me materiale natyrore që nevojiten për prodhimin e gjërave që i hasim në raftet e supermarketeve, por që jemi në dilemë t’i blejmë ose jo, kurse nga mediat na servohen si “perfektet”, pa të cilat s’bën as trupi, as higjiena, as familja, as shtëpia. Dilemat janë shumë të mëdha se si prodhohen Pantene, Coca-Cola, Nutella, Argeta, keçapet… Produktet ushqimore gjenetikisht të modifikuara janë një kokëdhembje tjetër e njerëzimit. Farëra të sterilizuara pas përdorimit të parë, fruta e perime të panatyrshme për nga vëllimi dhe shija, ushqime të ngrira, mish i kalbur nga Brazili (rasti Shqipëri)…
Sëra e problemeve të kohës sonë në raport me ushqimin nuk përfundon me kaq. Sipas Ergilit, “vrima e ozonit po zgjerohet. Nxemja globale shkon duke u rritur. Kushtet për prodhim bujqësor shkojnë duke u bërë gjithnjë e më të pafavorshme. Me shtimin e banorëve të shumë vendeve, rritet edhe kërkesa për ushqim. Kësisoj, ‘siguria e ushqimit’ po shndërrohet në çështje serioze globale.”
Ekspertët tërheqin vërejtjen lidhur me “luftërat e ardhshme për burime jetike”. Shumë analistë mendojnë se Pranvera Arabe është nxitur nga rritja marramendëse e çmimit të drithit që ndodhi vitet e kaluara. Sot flitet, bëhen analiza për pasigurinë ushqimore, për luftën për burime. Raportet flasin për konfliktet të cilat kanë përkeqësuar pasigurinë ushqimore, që po shkaktojnë tragjedi humanitare si pasojë e shkatërrimit të infrastrukturës, pengimit të akcesit në tregje, në mallra dhe shërbime. Sipas Russia Today, në të ardhmen kombet do t’i privojnë “armiqtë” e tyre nga uji, terroristët mund t’i dëmtojnë pendat, dhe shtetet që nuk do të arrijnë të garantojnë akces te uji do të shkatërrohen. Nuk jemi larg fazës së ashtuquajtur “terrorizmi i ujit” (water terrorism) dhe “luftërat për ujë” (water wars). Kjo ngaqë, sipas ODNI-t, në vitin 2040 nevoja për ujë do të rritet për 40% krahasuar me këtë të tashmen. Raporti shënon se një atak ndaj një pike të vetme të impiantit të ujit ose të shkripërimit të ujit detar mund t’i privojë qindra mijëra qytetarë nga uji i pijshëm. Nga ana tjetër, qeveritë do të duhet të implementojnë siguri jashtëzakonisht të kushtueshme (p.sh., roje në lumenj të gjatë me qindra kilometra). Guardian-i (9.2.2014) britanik citon drejtorin e Institutit të Paqësorit, sipas të cilit, brenga e sotme më e madhe është konflikti nënkombëtar, konfliktet mes bujqve dhe qyteteve për çështjen e ujit, mes blegtorëve dhe bujqve, mes atyre që janë më afër burimit të lumit dhe atyre që janë më poshtë rrjedhës lumore. Luftërat famëkeqe mes qytetërimeve, dhe ato për burime të naftës, po marrin një kahje tjetër, atë të konflikteve për burime ushqimore, në veçanti për ujë të pijshëm.
Konkluzioni: përplasjet e shekullit XXI do të jenë për ujë. Andaj, kujdes, shfrytëzojini kopshtet e vogla, mbillini vetë, dhe më tepër ndërgjegjshmëri në shfrytëzimin e ujit, këtij lëngu jetëdhënës, nga i cili është krijuar gjithçka e të cilin dita-ditës po na e cenojnë, po na e mbushin në pet-shishe “ekologjike”, dhe po na e shesin edhe atje ku uji është i i kristaltë dhe i pijshëm. /tesheshi.com/