Disa orë para se negociatorët izraelitë të mbërrijnë në Katar për bisedime indirekte që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka quajtur kërkesat e reja të ngritura nga Hamasi palestinez “të papranueshme”.
“Ndryshimet që Hamasi kërkon të bëjë në propozimin e Katarit na u komunikuan mbrëmë dhe janë të papranueshme për Izraelin”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e kryeministrit izraelit.
Megjithatë, “pas vlerësimit të situatës“, Netanyahu “na urdhëroi të përgjigjemi ftesës për bisedime indirekte dhe të vazhdojmë përpjekjet për të rikuperuar pengjet tona, bazuar në propozimin e Katarit që Izraeli ka pranuar“, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “ekipi negociator do të udhëtojë në Katar të dielën për bisedime”.
Hamasi njoftoi të premten se ishte gati të fillonte negociatat mbi një propozim për armëpushim, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe të paraqitur nga Katari dhe Egjipti.
Çfarë parashikon marrëveshja, çfarë kërkon Hamasi
Sipas dy burimeve palestineze, propozimi përfshin një armëpushim për 60 ditë, gjatë të cilit Hamasi do të lirojë 10 pengje të gjallë dhe do të dorëzojë disa trupa pengjesh, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael.
Sipas burimeve palestineze, Hamasi po vendos si kushte tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës, dhënien e garancive për mospërsëritjen e konflikteve gjatë negociatave dhe caktimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare për OKB-në dhe organizatat e njohura ndërkombëtare.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të hënën, vlerësoi se një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit është e mundur “javën e ardhshme”. /tesheshi.com/