Në zgrip të afateve ligjore dhe pasi artikuluan akuza pa fund ndaj njëri-tjetrit, kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha janë ulur përballë në tryezën e thirrur nga presidenti Nishani për të gjetur zgjidhje për krizën politike ku zhytet vendi me bojkotin e zgjedhjeve nga opozita.
Në tryezën e kreut te Shtetit, janë ulur Rama shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe nga ana tjetër Basha me Edi Palokën. Diskutimet nën monitorimin e Presidentit Nishani vijojnë prej orës 10: 15 minuta.
I pari në Presidencë ka mbërritur kryeministri Rama i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe Sekretari i ri i Përgjithshëm i Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi, të cilët preferuan që rrugën ta bëjnë në këmbë. Por në takim janë vetëm Rama me Ruçin.
Pak minuta më vonë ka mbërritur kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.
Një ditë më parë, Basha tha se nuk kishte diskutuar me presidentin për modalitetet e takimit, por nënvizoi se nuk hiqte dorë nga kushti i qeverisë teknike pa Edi Ramen kryeministër. Nga ana tjeter burime nga mazhoranca bënin me dije se kryeministri Edi Rama ishte i gatshëm të takohej që mbremjen e së martës me liderin e partisë Demokratike, Lulzim Basha. /tesheshi.com/