Ministrat e drejtësisë nga një numër vendesh anembanë botës do të mblidhen në Londër në mars për të forcuar mbështetjen për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës (ICC) në hetimet e saj mbi krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë, tha qeveria britanike të shtunën.
Në takimin e marsit, i cili do të organizohet nga sekretari britanik i drejtësisë Dominic Raab dhe homologu i tij holandez Dilan Yesilgoz-Zegerius, do të marrë pjesë dhe kryeprokurori i ICC-së, Karim Khan.
“Pothuajse një vit pas pushtimit të paligjshëm, komuniteti ndërkombëtar duhet të japë mbështetjen e tij më të fortë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në mënyrë që kriminelët e luftës të mbahen përgjegjës për mizoritë që po shohim,” tha Raab, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.
Takimi do të përpiqet të rrisë mbështetjen financiare dhe praktike globale për ICC-në dhe përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që gjykata të ketë gjithçka që i nevojitet për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës, thuhet në deklaratë.
Rusia, e cila i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak”, ka mohuar të ketë shënjestruar civilët dhe të ketë kryer krime të tjera lufte.
Moska nuk e njeh ICC
Ukraina dhe Perëndimi thonë se Moska nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e quajnë një luftë pushtuese të stilit perandorak.
Khan hapi një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë vitin e kaluar.
Ekspertët ligjorë thonë se juridiksioni i gjykatës shtrihet vetëm në shtetet anëtare dhe vendet që kanë rënë dakord për juridiksionin e gjykatës, gjë që ka bërë Ukraina, por jo Rusia. Moska nuk e njeh ICC.
“Është e qartë për ne: këto krime nuk mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Yesilgoz-Zegerius, duke i përshkruar raportet dhe imazhet që dalin nga Ukraina si “të tmerrshme”. /tesheshi.com/