Dy krerët “Fillimit të Ri” në Kosovës, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, ky i fundit dhe kandidat për kryeministër, janë duke e ndjekur rrugën e Thaçit, pasi po bëjnë premtime për rritje pagash në arsim në shifrën deri 30 %, duke injoruar e çuar në djall këshillat apo rekomandimet e FMN-së. Kjo e fundit ka paralajmëruar që partitë politike në Kosovës të kenë kujdes nga premtime të cilat janë të parealizishme dhe në shkelje të plotë të çdo logjike financiare.
Por krerët e “koalicionit të luftës” janë përfshirë nga ethet e premtimeve, të cilat edhe pa vërejtjet e FMN-së, dukshëm që po e kalojnë çdo cak.
“Me fitoren në zgjedhje, qeveria e re do të angazhohet dhe do të mundësojë zbatimin e plotë të Kontratës së re të arsimit, si dhe do të rrisë pagat për të gjithë mësimdhënësit 30 për qind”, tha Veseli pas nënshkrimit të memorandum mirëkuptimit me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Të njëjtën gjë po bëjnë dhe në sektorë të tjerë. “Fillimi i ri”, qartazi që nuk po ofron asnjë standart të ri në politikëbërje, por po shfaqet tejet i vjetër në stilin: “Premto gjithçka, mjafton pushteti!”. /tesheshi.com/