Nga Gani Gashi
Një shtëpi dykatëshe, e ndërtuar në fillim të shekullit XX, që nga arkitektura e saj të bën me dije se është shtëpi aristokratësh, qëndron krenare dhe e heshtur në zemër të Mitrovicës.
Aktualisht njihet si shtëpia e shoqatës së Gjuetarëve, ndërsa të moshuarit e quajnë shtëpi e një doktorit hebre me nam.
Banorët e shtyrë në moshë të Mitrovicës, Skënderajt e Vushtrrisë, e kujtojnë mirë ish-mjekun, kirurgun, humanistin dhe poliglotin hebre, Nehmin Shefajn.
Ai shërbeu si mjek i vetëm në Mitrovicë e rajonin përreth, deri sa u morr nga forcat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të mos u kthyer më kurrë.
Sipas banorëve, mjeku ka komunikuar pas asnjë problem në shqip, serbisht, turqisht, dhe në gjuhën rome.
Studiues të çështjes hebreje në Kosovë thonë se Shefajn ka arritur aty në fillim të shekullit XX duke ardhur nga Bashkimi Sovjetik në kuadër të misioni ndërkombëtar të Kryqit të kuq.
Ai kishte lindur në vitin 1892 në Ostrog, të ish-Bashkimit Sovjetik, ndërsa në Kosovë mbërrin në kuadër të një misioni ndërkombëtar për t`u ardhur në ndihmë vendeve-viktimë të luftërave ballkanike si dhe të Luftës se Parë Botërore.
Kjo bëhet me dije studiuesi i njohur, Shevki Voca. Sipas tij, anëtarët e tjerë të grupimit mjekësor ku bënte pjesë dhe Shefajn, pas një vit qëndrimi në Kosovë u kthyen, ndërsa ai ndenji, ku së pari punoi në Prishtinë, e më pas kaloi në Mitrovicë.
Ndërsa, prof. Mulla Asllan ef Murati, Kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë dhe imami i xhamisë kryesore të qytetit, e kujton me respekt e vlerësim të madh duke thënë se mbi të gjitha ai ishte një humanist i madh që Mitrovica dhe Kosova duhet ta nderojë”.
Dhe si për ilustrim, Mulla Asllani kujton: “Pas plagosjes rëndë të Nazim Gafurrit, bashkëpunëtor i afërt i Hasan Prishtinës, në një atentat që e kishin organizuar serbët e asaj kohë në një kafene të Prishtinës, ngjarje e ndodhur aty nga viti 1925, shokët e sjellin Gafurrin për operim dhe shërim në Mitrovicë, pikërisht tek doktori hebre Neheim Shefajn. Por Shefajn, kontaktohet nga autoritetet serbe duke i kërkuar nga që ta helmojë Gafurrin dhe si shpërblim do të merrte një shumë të konsiderueshme parash si dhe një makinë luksoze të kohës, por që ai e refuzoi këtë pazar”
Dhe sipas Mulla Asllanit, ka qenë kjo arsyeja se përse ai ra në duart e gjermanëve, pasi ishin serbët ata që u hakmorrën duke e çuar në duart e tyre.
“Është mirë dhe na bën nderë që rruga në të cilën gjendet shtëpia e doktor Shefajnit, të marr emrin e tij, ndërsa që shtëpia e tij të kthehen në një qendër shëndetësore me emrin “dr. Neheim Shefajn’, e jo të jetë si është sot një kafiteri dhe shoqatë e Gjuetarëve”, ka thënë prof Mulla Asllan ef Murati, Kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë.
Në anën tjetër, në një kafene të qytetit të Mitrovicës, dy të moshuar, Aziz Behrami dhe Jonuz Halim, kishin ndezur nga një cigare dhe po pinin çaj mali duke u llafosur mes veti për problemet e përditshmërisë.
Dhe në çastin kur i pyet për doktorin hebre, nis e shprehen me konsiderata.
“Aha po, Shefajni ka pas shumë ‘itibarë’ tek populli shqiptar, nuk ka pas as çoban të dhive që nuk e ka njohur”, ka thënë Aziz Behrami, 88 vjeç.
“Më kujtohet kur gjatë Luftës së Dytë Botërore, hebrejtë u mblodhën nga gjermanët para shtëpisë së familjes Ramaxhiku që është në afërsi të ish-tregut të gjelbër të qytetit”, vijon rrëfimin Behrami, duke shtuar më pas:
“Ishte dimër dhe bënte shumë ftohtë, dhe tani më del para sysh doktori me një palltë të ngjyrë të zezë të veshur, kapele në kokë dhe me një valixhe në dorë, duke qëndruar anash turmës së tubuar nga gjermanët. Doktori qëndronte mu në cep të lumit Lushta, ku nga aty u dërgua për në Serbi për të mos e parë më kurrë”.
Qytetarë të tjerë mitrovicas doktorin hebre e mbajnë si shpëtimtarin e banorëve të Mitrovicës dhe rrethina, pasi që ishte i vetmi mjek në këtë anë.
“Shefajn në atë kohë ka shpëtuar banorët e këtij rajoni edhe nga epidemia e ‘lisë’ që në Kosovë ka mbytur shumë njerëz”, thotë Agim Deva.
“Në Janjevë u bë nami nga epidemia, ku vdiqën shumë njerëz, ndërsa banorët e Mitrovicës kanë shpëtuar me shumë pak pasoja, falë humanistit hebre, dr. Shefajn, i cili i mësonte banorët që të bëjnë një lloj vaksinimi natyral”, pohon Deva.
Sipas tij, kirurgu hebre udhëzonte banorët e rajonit të Mitrovicës që të përdorin gjembat e bagremit (akacia v.j) për të shpuar lëkurën”
Jeta e dr. Neheim Shefajnit përfundoi tragjikisht, si edhe e shumë hebrenjve tjerë nëpër të gjitha ato hapësira ku shkeli këmba e nazizmit gjerman.
“Doktori ndoshta do kishte mundur t`u shpëtonte përndjekjeve naziste, sikur mos i përkushtohej aq fort misionit të tij human”, thotë studiuesi i çështjes se hebrenjve të Kosovës, Shevki Voca.
Sipas tij, qytetarët e Mitrovicës i ishin mirënjohës ndaj shërbimeve që iu kishte bërë dr. Shefajni, dhe për këtë i kishin ofruar strehim dhe fshehje nga gjermanët.
“Njëri prej tyre ishte Mehmet Aliqi, që më tepër njihet si Hoxhë Banjska, i cili në atë kohë ka qenë imam shumëvjeçar në xhamin e Banjskës, por Shefajni nuk e kishte pranuar ofertën e tij për t`u fshehur”, nënvizon Voca.
Dhe ndodhi ajo çka nuk dëshirohej, ku në shkurt të vitit 1942, dr Neheim Shefajnin e burgosin në Mitrovicë, ku pas disa javësh e dërgojnë në Beograd në kampin famëkeq të Banjicës, në të cilën disa muaj u detyrua të punojë si mjek, deri më 8 maj të po atij viti kur pushkatua”, thotë Voca.
“Pas burgosjes, ditë më pas iu mor edhe gruaja e tij Hedviga me dy vajzat, të cilat u dërguan në llogoret diku në perëndim të Evropës dhe që nga atje nuk u kthyen më”, ka shtuar Shevki Voca.
Dhe e vetmja dëshmi që ka mbetur nga ky humanist hebre në Mitrovicë, është shtëpia e tij në të cilën është e vendosur shoqata e Gjuetarëve të zonës. /tesheshi.com/