Në Samitin e presidentëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt para tri ditësh në Brdo afër Krasnjës të Sllovenisë, mori pjesë edhe presidenti, Hashim Thaçi, krah presidentit të sapobetuar serb, Aleksandar Vuçiç. Dhe siç ka ndodhur edhe herë të tjera Thaçi dhe Vuçiç kanë pasur një përplasje verbale.
Sipas asaj që ka thënë Vuçiç, përplasja ndërmjet Thaçit dhe tij ka qenë e ashpër, më e ashpra deri më tash.
Ai në një moment tha se krah i kishte dalë presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, derisa në anën tjetër, Bujar Nishani i Shqipërisë e kishte mbështetur Thaçin.
Dhe ky ballafaqim verbal u vlerësua si konfrontim shqiptaro-sllav.
Megjithatë, pak dihet nga ajo që realisht ka ndodhur.
Në fotografitë që i sjellë lajmi.net, Thaçi dhe Vuçiç shihen të tensionuar edhe gjatë shëtitjes së liderëve në oborrin ku mbahej Samiti.
Në këto fotografi Thaçi shihet sikur e qorton Vuçiçin, derisa ai ul kokën dhe vazhdon të ecë i nervozuar.
Përplasjen në këtë samit e konfirmoi edhe vetë presidenti kosovar, i cili tha që Vuçiq e ka të vështirë ta kuptojë, por duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur.
Thaçi i kishte thënë Vuçiçit se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe se nuk mund të paramendohet anëtarësimi i Serbisë para Kosovës.
Thaçi dhe Vuçiç janë përplasur edhe herë të tjera si në Samite Ballkanike dhe Evropiane, e po ashtu edhe në dialogun e Brukselit./tesheshi.com/