Angela Merkel ka marrë një tjetër lajm pozitiv para zgjedhjeve të shtatorit në Gjermani, ndërsa kristiandemokratët e CDU-së kanë dalë fitues në zgjedhjet rajonale në landin North Rhine-Westphalia.
CDU-ja ka fituar 34.5 për qind të votave në landin që ka shërbyer shpesh si tregues i prirjes në zgjedhjet e përgjithshme. Shifra e mësipërme u referohet exit poll-eve menjëherë pas mbarimit të këtyre zgjedhjeve lokale, dhe është dhënë nga transmetuesi publik ARD.
North Rhine-Westphalia është qeverisur më së shumti në pesë dekadat e fundit nga socialdemokratët e SPD-së, që në këto zgjedhje zbritën në 30.5 për qind.
Kjo ishte humbja e tretë për SPD-në që nga marsi i këtij viti; një shenjë se do të jetë e vështirë për socialdemokratët që t’ia presin rrugën Merkel-it drejt një mandati tjetër si kancelare.
SPD-ja e pranoi humbjen, dhe Martin Schulz, udhëheqësi i saj e kandidati për kancelar në zgjedhjet e shtatorit, do të deklaronte se, “Kjo është një ditë e vështirë për SPD-në dhe për mua personalisht. Ne humbëm zgjedhje në një land të rëndësishëm.” /tesheshi.com/