Euralius ka sulmuar ashpër KLD-në, duke bërë të ditur se ky institucion po mbron gjyqtarët e korruptuar.
Në një dokument zyrtar që i është dërguar Komisionit Europian, Euralius merr shkas nga mbledhja e fundit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku nuk u shkarkuan gjyqtarët e kapur në flagrancë në vendime mjaft të rënda.
Sipas raportit: “Shumica e anëtarëve të të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë dy viteve të fundit, kanë votuar kundër kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarëve për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës, për cenimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe diskreditimin e figurës së gjyqtarit. Sipas shumicës së anëtarëve, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të reja për pushtetin gjyqësor, KLD nuk ka më tagër ligjor për të shkarkuar gjyqtarët.
Megjithatë, KLD ka votuar pro masave disiplinore më të buta ndaj gjyqtarëve, si paralajmërim për shkarkim nga detyra, por jo shkarkim nga detyra. Nga ana tjetër, KLD i ka mbrojtur gjyqtarët e akuzuar për shkelje të rënda në detyrë edhe para se të miratohej reforma në drejtësi, kur ky institucion kishte për detyrë ndëshkimin e gjyqtarëve abuzues”.
Sulmet ndaj KLD-së janë natyrisht edhe një kritikë e qartë dhe direkte e Bashkimit Europian ndaj kreut të këtij organi, i cili është pikërisht Presidenti i Republikës, Ilir Meta. /tesheshi.com/