Ministri i Rendit Sandër Lleshaj e cilësoi regjimin iranian si sponsorizues terrorizmi në botë, gjatë një komentimi të rastit më të fundit kur qeveria shqiptare vendosi dëbimin e dy diplomatëve të Teheranit, mes tyre dhe vetë ambasadorin.
Në studion e Real Story-t në Vizion Plus, Lleshaj tha se mu për këtë arsye nuk mund të jepen as detaje të mëtutjeshme se ç’ishte planifikuar të ndodhte në Shqipëri, për të cilën u dëbuan diplomatët. “Përkujdesja ndaj sigurisë na bën që të jemi të kujdesshëm për detajet. Irani njihet si një ndër financuesit e terrorizmit në botë. Ne bëjmë maksimumin për parandalimin e ngjarjeve”, tha ministri Lleshaj.
Ai gjithashtu vlerësoi faktin e marrjes nga Shqipëria të një numri opozitarësh iranianë – të quajtur ndryshe dhe muxhahedinë – për të cilët tha se po strehohen jo në emër të një axhende politike por për arsye humanitare.
“Dëbimi i Ambasadorit të Iranit, u përgezua nga SHBA. Ju e dini se ne kemi marrë përsipër që të strehojmë në Shqipëri një numër të madh iranianësh meqë Iraku ishte në luftë. Strehimi i MEK ne Shqipëri ka bërë që në Tiranë të transferohet përplasja mes rezistencës dhe qeverisë së Iranit. Me këtë vendim, Shqipëria është më e sigurt se dje. MEK janë pranuar për arsye humanitare, qeveria jonë nuk ka asnjë axhende politike me ta, janë pranuar dhe në sajë të një tradite humanitare që ka populli shqiptar. Anëtarët e MEK nuk jane kercenim për ne”, tha kreu i Rendit. /tesheshi.com/