Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se u takua në pikën kufitare të Kapshticës me oficerët e FRONTEX që operojnë në bashkëpunim me Policinë Kufitare për sigurinë dhe menaxhimin e kufirit.
“Me kënaqësi të veçantë vizitova sot Pikën Kufitare të Kapshticës, ku së bashku me oficerët dhe punonjësit e tjerë të Policisë Shqiptare kryejnë shërbim edhe oficerë policie të FRONTEX nga shumë vende europiane. Bisedova me ta dhe kontatova me kënaqësi se niveli i bashkëpunimit është shumë i lartë, efektiviteti i punës së tyre është i lavdërueshëm”.
Sipas kreut të Rendit, Shqipëria është një përfituese e madhe nga bashkëpunimi me FRONTX.
“Prej këtij bashkëpunimi Shqipëria po përfiton shumë. Po përfiton në radhë të parë eksperiencë të jashtëzakonshme nga përvoja e Policive të ndryshme europiane, të cilat janë aktive në këtë operacion, por po ashtu Shqipëria po përfiton mbështetje të madhe në menaxhimin e kufijve të saj. Ky operacion, i pari që FRONTEX zhvillon në një vend jashtë BE-së, është një shans i mirë për të treguar nivelin e përgatitjes së Policisë shqiptare, pjekurinë e saj për të bashkëpunuar në nivel europian. Kjo e gjitha është në funksion të përpjekjeve të Shqëipërisë për integrimin në Bashkimin Europian”, shprehet Lleshaj. /tesheshi.com/