Në një takim me me anëtarët e Task Forcës Qendrore, Prefektët, Drejtorët e Policive Vendore, Drejtorët e Kufirit dhe përfaqësues nga Task Forcat Vendore, ministri i Rendit Sandër Lleshaj përçoi ndër të tjera dy mesazhe; një që lidhet me vijimin e tentativave për të kultivuar kanabis, e një që lidhet me kërcënimet e opozitës për moslejim të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
“Çdo fidan që kapet në Shqipëri deri në 15 qershor është meritë e juaja, drejtuesve të policisë, çfarë kapet pas 15 qershorit, është përgjegjësi e secilit prej jush e drejtpërdrejtë. Kjo datë ndan përgjegjësinë dhe në funksion të kësaj detyre duhet të organizohet puna në nivel vendor dhe qendror”, ishte mesazhi për çështjen e kanabisit.
Ndërsa për zgjedhjet dhe tentativën e paralajmëruar për t’i bllokuar ato, Lleshaj tha:
“Policia është jashtë palëve. Janë disa detyra. Policia është aty për të bërë detyrën e papërfshirë me partitë dhe diskutimin politik. Askush nuk mund të cënojë procesin, janë e drejtë e qytetarëve. Askush nuk duhet të ketë të drejtë, mundësi apo shans që të prekë integritetin e një procesi që është thelbi i demokracisë së vendit”. /tesheshi.com/