Laurent Fabius nuk do të jetë më në krye të diplomacisë franceze, siç ka njoftuar vetë gjatë ditës së djeshme.
Ish-kryeministri më i ri Francës në mesin e viteve ’80, tashmë prej katër vitesh me detyrën e ministrit të Jashtëm, Fabius ka vendosur të dorëhiqet, edhe në kuadër të një rifreskimi të qeverisë franceze në ditën në vijim.
Ai pritet të bëhet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, çka e pohoi dhe vetë kur deklaroi se detyrën mund ta merrte në mars nëse gjërat do të shkonin siç janë planifikuar.
Por pak më parë se të lajmërojë dorëzimin e postit, Laurent Fabius ka folur për konfliktin në Siri, duke u treguar i ashpër si me SHBA-të, Rusinë dhe Iranin.
Ai i ka akuzuar Rusinë dhe Iranin për bashkëfajësi në brutalitetin e regjimit të Esadit. Po ashtu ka shtuar se sulmet ajrore ruse po vënë në shenjë më shumë grupet opozitare të moderuara se ISIS-in.
Sa për SHBA-të, Fabius ka deklaruar se nuk sheh një angazhim shumë të fuqishëm nga ana e Uashingtonit.
“Ka fjalë, por aksionet janë diçka tjetër,” do të nënvizonte Laurent Fabius.
Shqetësimi në lidhje me Sirinë vazhdon të rritet, pasi forcat e regjimit të Esadit po rrethojnë Halepin me ndihmën e rusëve dhe iranianëve. Luftimet në terren kanë bërë që mijëra sirianë të vërshojnë drejt kufirit turk. /tesheshi.com/