Gjyqtarja Fildes Hafizi u vra mesditën e së enjtes nga ish-bashkëshorti i saj në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ndërsa dëshmitë dhe publikimet pas ngjarjes së rëndë, tregojnë se krimi mund të parandalohej. Kjo edhe për faktin se viktima kishte ngritur një shqetësim jo vetëm ndaj drejtuesve të sistemit të drejtësisë mbi atë çka mund të ndodhte, por kishte kërkuar ndihmë edhe nga Ambasadori amerikan në Tiranë.
Referuar publikimeve pas krimit, rezulton se gjyqtarja shqetësimet që kishte i kishte ndarë me miq dhe kolegë të saj.
Mikja e ngushtë e gjyqtares, Fildes Hafizi, ka rrëfyer se i dinte shqetësimet e 39-vjeçares dhe kishin folur shpesh për to.
Në një prononcim për News 24, Majlinda Baçi thotë se Fildez ndihej e braktisur dhe e zhgënjyer, ndërsa e vlerëson si një grua të jashtëzakonshme.
“Fildesi ishte një grua e mirë dhe një nënë e jashtëzakonshme. Kjo ngjarje tregoi se dështuam të gjithë, jo vetëm shteti. Fildesi më fliste shpesh për shqetësimet e saj. Ajo ndihej e braktisur dhe e zhgënjyer”, tha Baçi. /tesheshi.com/