Qindra sms-së të dërguara nga qytetarët, kanë detyruar Ministrin e Ambientit në qeverinë e Shkupit, Nurhan Izairi, që ta mbyll telefonin e tij celular. Ato vijnë nga Tetova, qytet që po jeton nën një smog mbytës. Thuhet se më e shumta e atyre çfarë shkruhet të mesazhe, është: “Dorëhiqu Ministër”, një formë kjo për të shprehur revoltën lidhur me ajrin e ndotur në Tetovë, që ka shkuar në nivele alarmante, për çka fajësohet gjigandi i prodhim të Kromit, i cili refuzon të vendosë filtra ekologjikë.
Aktiviteti është organizuar nga Lëvizja Qytetare “EcoGuerilla” , që thotë s$e do të vazhdojë edhe me forma tjera presioni.
“Eco Guerilla nuk kërkon mbylljen e Jugohromit. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë nga ministria e ambientit dhe qeveria të detyrojnë këta ndotës të vendosin filtrat ekologjikë”, thotë Arianit Xhaferi nga kjo lëvizje.
Nga ana tjetër, ministr Nurhan Izairi thotë se për të, është e papranueshme kjo formë e presionit, i cili shkon në bazë personale.
“Largimi im , nuk do e zgjidh problemin”, thotë ai.
“Edhe unë s’jam i kënaqur me respektimin e afateve ligjore për vendosje të filtrave, por sidoqoftë, të gjitha do të sqarohen në konferencë për media të cilën do ta thërrasë të Premten”, tha Izairi në një bisedë telefonike./tesheshi.com/