Presidenti Meta ndërfuti elementë të përplasjes së tij me kryeministrin Rama edhe në Tropojë, teksa qe për tjetër arsye e me tjetër person.
Në shpalljen e kongresmenit Eliot Engel si “Qytetar Nderi” në Tropojë, e njëherësh vënien e emrit të tij rrugës Gjakovë-Qafë Morinë-Tropojë, prej nga dhe Engel udhëtoi nga Prishtina drejt Veriut të Shqipërisë, Meta u përbetua për aleancë mes tij dhe Amerikës.
“Kudo, në të gjithë botën se kam ndjerë kujdesin e përpjekjet e tij për njohjen e Kosovës. Sot, në praninë e tij dua të theksoj diçka shumë të thjeshtë: Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane! U përpoq komunizmi për pesëdhjetë vite, të shuante çdo ndjenjë pro-amerikane, por ja që nuk ia arriti dot, për shkak se historia e dy vendeve dhe kombeve tona është shumë e thellë dhe është e pa rrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë, për t’i përçarë shqiptarët, në emër gjoja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, tha Meta.
Ky mesazhi i radhë i tij ndaj Uashingtonit, vjen pas një përplasje mes tij dhe zyrtarëve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila ka në thelb kundërshtitë për Reformën në Drejtësi. /tesheshi.com/