Presidenti Meta ka kthyer me dekret ligjin e financimit të aksit Milot – Balldren me PPP, duke e konsideruar atë si problematik.
“Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj;
Mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik krijon rrezik për cenim të financave të shtetit;
Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë;
Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces;
Riskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit;
Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, thuhet në argumentin e kreut të shtetit.
Eshtë ky akti i radhës i Metës si goditje ndaj qeverisë, brenda një klime përplasjesh me sfond tërësisht politik, nisur në fakt që para dy vitesh, kur PS shmangu koalicionin me LSI me anë të tezës së njohur të “tepsisë”, duke e shndërruar këtë të fundit në armiken kryesore të Ramës. /tesheshi.com/