Nga Saimir Sulaj, Uashington
Arben Taravari është mjek dhe i është bashkuar politikës në Maqedoni me dëshirën për t’i ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, dekadave të fundit. Në qeverinë e re të Zoran Zaev, përfaqësuesi i partisë Lëvizja për Reforma – Partia Demokratike Shqiptare, që drejtohet nga Zijadin Sela, zoti Taravari mban portofolin e ministrit të Shëndetësisë. Por veç reformave në shëndetësi, në mesin e maqedonasve, Taravari shihet si “ai që shkakton probleme”. Shkakton probleme sepse e ngre zërin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën Ish-Jugosllave të Maqedonisë dhe kërkon barazi shoqërore dhe ekonomike.
Në një intervistë për portalin tesheshi.com gjatë një vizite të suksesshme në SHBA, zoti Taravari tregon se ka marrë mbështetjen e zyrtarëve të lartë amerikanë për përmbushjen e zotimeve që çuan në formimin e këtij koalicioni qeveritar dhe se nëse këto zotime nuk përmbushen, partia e tij do të dalë nga koalicioni. Kjo do të çonte në rënien e qeverisë, e cila qeveris me një shumicë shumë të brishtë.
Taravari, ju jeni në përfundim të një vizite disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku keni pasur disa takime të rëndësishme në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit. Ç’mund të na thoni më shumë për këta takime? Me kë u takuat dhe për çfarë biseduat?
Takimet ishin të natyrës politike një pjesë dhe pjesa tjetër, ajo dërmuese, ishin takime me institucione të shëndetësisë për bashkëpunim të metejshëm profesional ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në pjesën politike u takuam me disa kongresmenë në Kongresin e SHBA-së. Gjithashtu patëm një takim edhe në Departamentin e Shtetit. Gjithashtu u takuam me një nga përfaqësuesit politikë të senatorit McKee. Pastaj patëm disa takime në fushën e shëndetësisë në disa spitale në Washington, në spitalin George Washington, si dhe në shkollën e mjekësisë së këtij spitali. Kishim disa takime të rëndësishme edhe në New York në disa fakultete të mjekësisë dhe në qendra shëndetësore. Shpresojmë që së shpejti të kemi një memorandum bashkëpunimi, ku disa mjekë të Maqedonisë të vijnë këtu me qëndrime disa javore dhe disa mujore në SHBA, ose disa ekspertë amerikanë të vijnë në spitalet e Maqedonisë. Gjithashtu folëm për mundësinë e mbajtjes së telekonferencave dhe të lidhjeve nëpërmjet Skype për raste të veçanta mjekësore, të cilat nuk mund të zgjidhen atje.
Çfarë u tha konkretisht në takimet me kongresmenët dhe me zyrtarët e Departamentit të Shtetit? Çfarë përshtypjesh kishin nga qeveria e re dhe nga situata e tanishme në Maqedoni dhe çfarë këshillash morët nga ta?
Takimet mendoj se ishin shumë të frytshhme për ne. Të dy kongresmenët që takuam, Dana Rohrabacher dhe Dan Donovan japin përkrahje të padiskutueshme për qeverinë e re, e cila quhet qeveri reformatore. Gjithashtu edhe prej Departamentit të Shtetit morëm disa udhëzime dhe sugjerime që të vazhdohet procesi reformues në Republikën e Maqedonisë: të depolitizohet administrata, ligji të funksionojë dhe institucionet të jenë të pavarura, të ketë pavarësi të mediumeve dhe liri të të folurit në mediume.
Këto janë edhe zotime të kësaj qeverie e cila ka nisur punë përpara shtatë-tetë javësh. Ka përkrahje pa rezerva nga ata, gjithashtu edhe për ne si parti relativisht e re, që jemi krijuar para dy vjetësh e gjysmë. U quajtëm si parti vendosëse në qeverinë e re, që duhet të vendosim standarde të reja të funksionimit dhe të sjellim një frymë të re politike në Republikën e Maqedonisë. Partia jonë që drejtohet nga Zijadin Sela është cilësuar si një prej faktorëve kyç për ekzistencën e qeverisë dhe kështu janë numrat për fat të keq. Ju e dini që qeveria e re ka një shumicë shumë të brishtë, me vetëm 62 deputetë. Praktikisht pa dy deputetë, të cilët i kemi ne si parti, kjo qeveri nuk mund të ekzistojë.
Ju keni takuar kongresmenin Dana Rohrabacher. Para disa muajsh, në një intervistë për ne, kongresmeni Rohrabacher sugjeroi ndarjen e Maqedonisë. Pati ndonjë diskutim të tillë dhe çfarë mendimi keni ju për këtë?
Jo. Ne biseduam me kongresmenin, por biseduam më shumë për qeverinë e re. Tashmë edhe ata janë të kënaqur që ka nisur puna e qeverisë së re dhe që kërkon një ndryshim më radikal krahasuar me qeverinë e kaluar. Kongresmeni preferon që të vazhdohet me hapata eurointegruese dhe Nato integruese. Së paku në NATO të anëtarësohemi sa më shpejt dhe gjithashtu të kemi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu edhe për bashkësinë europiane me shpresë që shumë shpejt të fillojnë negociatat për anëtarësim.
Ju sapo përmendët që qeveria e re e Maqedonisë, koalicioni qeveritar është tepër i brishtë dhe mjafton që dy deputetët e partisë suaj të tërhiqen nga koalicioni dhe Maqedonia zhytet sërish në një krizë politike. Në formimin e qeverisë së re, shqiptarët janë vendimtarë për herë të parë dhe janë faktor kyç në jetëgjatësinë e kësaj qeverie. Pati një deklaratë të përbashkët të shqiptarëve për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, barazisë shoqërore dhe ekonomike, por edhe respektimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës shqipe. Si po shkon deri tani ky proces? A po shkohet drejt realizimit të këtyre zotimeve që ju keni marrë përpara shqiptarëve?
Dua të deklaroj për opinionin se deklarata shqiptare, ajo që nisi me takimin e parë të liderëve shqiptarë të Maqedonisë në Tiranë dhe mandej vazhdoi me nënshkrimin e këtij dokumenti më 7 janar në Shkup, ishte një document prej katër faqesh. Vetëm në faqen e parë flitej për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Kurse tri faqet e tjera të këtij dokumenti flasin për zhvillim rajonal të barabartë në të gjithë nivelet në Republikën e Maqedonisë, integrimin në NATO, në BE, gjyqësor i pavarur, liria e mediumeve. Ajo që është praktikisht pjesë e programit qeveritar. Me plot përgjegjësi them se një pjesë e madhe e kësaj deklarate është pjesë e programit qeveritar. Nuk dua të them se janë të gjitha pikat e çështjes së shqiptarëve, por…
A është gjuha shqipe gjuhë zyrtare sot në Maqedoni?
Jo. Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare për fat të keq. Për të qenë gjuha shqipe gjuhë zyrtare duhet të vendosin 81 deputetë. Tash për tash, për ta ndryshuar këtë duhen dy të tretat e numrit të deputetëve në Parlament.
E dinit më parë këtë gjë? Para se të dilnit me këtë deklaratë?
Po.
Por si mendonit që t’ia arrinit?
Është e pamundur. Ne e kemi thënë që kur të kemi numrat. Sikur të gjitha partitë shqiptare të hynin në këtë qeveri, së bashku me LSDM do të kishim vetëm 69 deputetë. Domethënë na mungojnë 12 deputetë për ta votuar.
Si mendoni t’ia arrini kësaj?
Tash nuk mund të arrihet ndryshimi i kushtetutës dhe këtë e di çdo shqiptar. Përderisa është e pamundur, duhet të gjendet një zgjidhje e përkohshme. Për shembull duhet një ligj i ri për përdorimin e gjuhës shqipe që e avancon shumë përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.
A keni shpresa që të arrini një marrëveshje të gjerë, së bashku me partinë tjetër të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE?
VMRO ju e dini që ka probleme dhe telashe të brendshme. Partia e Nikolla Gruevskit është përpara një ndarjeje të brendshme, pasi kemi një Prokurori Speciale e cila po heton shumë raste për udhëheqësit e VMRO-DPMNE. Në këtë periudhë shpresojmë që në VMRO të ndodhin ndryshime radikale. Pikësëpari të ndryshohet kryetari i asaj partie dhe të burgosen disa prej funksionarëve të asaj partie, për të cilat Prokuroria Speciale ka ngritur raste që duhet të përpunohen dhe të ekzekutohen me gjyqe e të mbarojë me burgim të disa politikanëve. Kjo me të vetmin qëllim që të dihet që çdo politikan që shpërdoron detyrën dhe funksionin e tij, do t’i ndodhë njësoj siç u ndodh sot funksionarëve të VMRO-së. Kështu që nuk ka hapësirë për bisedime me VMRO-në që ata të votojnë ligjin për përdorimin e avancuar të gjuhës shqipe.
Edhe kryetari i partisë zoti Sela, por edhe unë e kam thënë që në qoftë se ky ligj nuk votohet në 100 ditët e para, LRPDSH nuk e sheh veten në atë qeveri. Por, për fat të mirë, edhe lideri i LSDM-së, ose kryeministri i sotëm, edhe ministra dhe anëtarë të BDI-së, partisë tjetër shqiptare që është bashkë me ne në qeveri, janë të të njëjtit mendim dhe e thonë se ligji për përdorimin e avancuar të gjuhës shqipe, duhet të kalojë në 100 ditët e para. Njëkohësisht të dërgohet edhe në Komisionin e Venedikut dhe të sillet si ligj me flamurin europian. Kemi një opozitë desktruktive që do ta tejzgjaste votimin e ligjit. Nëse do t’i ndiqnit seancat parlamentare në Maqedoni, do të vinit re se është një cirk i vërtetë. Opozita nuk është aspak konstruktive. Për gjëra të kota i zgjat diskutimet. Ata 50 deputetë të VMRO-së, që të kenë më shumë grupe parlamentare, janë ndarë në pesë grupe të ndryshme me nga 10 deputetë, me të vetmin qëllim që të problematizojnë çdo gjë që shtrohet për diskutim në Parlament.
A ka gjasa që të ndodhë sërish ajo që ndodhi më 27 prill në Parlamentin e Maqedonisë?
Shpresoj që jo. Shpresoj që porositësit e 27 prillit, por edhe porositësit e plot rasteve të montuara në Maqedoni, siç ishte rasti i Kumanovës, rasti Monstra, rasti i Brodecit dhe plot raste të tjera, ku shqiptarët ishin viktimë e një sistemi i cili si detyrë primare kishte viktimizimin e shqiptarëve, të hyjnë në burg dhe të përgjigjen për atë që kanë bërë. Kurse të gjithë të pafajshmit që gjenden në burg, ka prova se ata nuk kanë kurrfarë faji, sepse në përgjimet që dolën fakte që nuk mund të kontestohen prej askujt. Shpresoj që ne si qeveri ta bëjmë edhe këtë punë. Të lirojmë ata të burgosur të cilët janë pa asnjë faj nëpër burgjet e Republikës së Maqedonisë.
Ju si parti politike, nëse nuk përmbushen ato zotime që keni bërë te deklarata, që të punohet të paktën për përmbushjen e atyre zotimeve që janë të mundura, pasi siç ju e shpjeguat rasti i gjuhës shqipe është më specifik që kërkon angazhim më gjithëpërfshirës dhe të ndikuar nga ndërkombëtarët, mund të thoni se do të dilni nga qeveria apo do të prisni vendimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme?
Zgjedhjet lokale në Maqedoni mbahen më 15 tetor. Jemi tre muaj përpara zgjedhjeve. Gjuha është diçka që duam të reflektojmë për të si një qeverisje ndryshe. Nuk jemi si VMRO-ja dhe partneri i koalicionit të VMRO-së në atë kohë, BDI-ja. Kjo qeveri tregon se mendon për qytetarët, se mendon për barazinë ndërmjet dy etnive kryesore në Maqedoni dhe që të votohet në këtë aspekt avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe. Mandej kjo mbetet detyrë jona dhe e politikanëve që do të vijnë pas nesh, që kur të ketë numër prej 81 deputetësh, ajo të realizohet që të dyja gjuhët në Republikën e Maqedonisë të jenë të barabarta.
Unë shpresoj, ashtu si shumica e popullatës që pritshmëria është shumë e madhe se kjo qeveri do të sillet shumë më ndryshe. Para të gjithash, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, racore apo fetare, të trajtohen si qytetarë të barabartë. Në qoftë se në katër deri tetë vitet e ardhshme kjo arrihet të vendoset si standard, mendoj se të gjithë ne do të jemi krenarë që jetojmë në atë shtet.
Paralelisht me atë do të duhet të realizojmë pikësynime shumë më të rëndësishme se gjuha. Është barazia ekonomike në të gjitha rajonet e Republikës së Maqedonisë. Integrimi në NATO, integrimi në BE. Në qoftë se Maqedonia anëtarësohet vetëm në NATO, ju garantoj se do të ketë shumë investime. Sepse si sipërfaqe por edhe në aspektin ekonomik është shumë vend i përshtatshëm për shumë investues. Përse nuk vijnë ata investues? Sepse nuk kanë siguri.
Ju e përmendët më herët, por është edhe fakt që shqiptarët janë trajtuar gjithmonë si qytetarë të dorës së dytë në Republikën e Maqedonisë. Ju vini nga shoqëria civile, jeni mjek. Si ndiheni në qeverinë e re të Maqedonisë? A ndiheni rehat?
E them sinqerisht me ndjenjën time personale se shoh një energji pozitive. Me përjashtime të rralla, por besoj se ka frymë bashkëpunimi. Po të mos kishte shpresë dhe besim nuk do të isha aty. Në momentin se do ta shoh se nuk po shkon ashtu siç e kemi planifikuar, siç e kemi biseduar edhe me kryetarin apo me organe të tjera partiake, nuk bëhet nami. Ne dalim nga qeveria, dhe ka deputetë të tjerë që qeveria të vazhdojë punën. /tesheshi.com/