Mersel Bilali është analist i njohur politik në Maqedoni e njëherësh profesor universitar. Në një intervistë për tesheshi.com, ai shprehet se gjendja në Maqedoni vështirë të ndryshohet për mirë pa ndonjë turbulencë. Më saktë, nuk u beson fort marrëvëshjeve politike. Aq më pak partive politike shqiptare, qofshin dhe ato opozitare. Beson me tepër në reagime popullore, ndaj dhe e shqetëson përgjumja e masave, dorëzimi i tyre përballë një pushteti kriminal…
Bisedoi: Artlind Reçi
Ka një tendencë në rajon për dekriminalizimin e politikës përmes Gjykatës Speciale në Kosovë apo në Maqedoni me anë të një Prokurori special. Si e vlerësoni këtë moment politik të investuar nga BE-ja?
Jam i mendimit se “Specialja” në Kosovë dhe Prokurori special në Maqedoni, janë derivat i mosfunksionimit elementar i institucioneve, e në këtë kontekst edhe i pushtetit gjyqësor në këto dy vende. Pasojat e rrezikshmërisë shumëdimenzionale nga nje paralizim i tillë nuk mund të limitohen territorialisht vetëm në kuadër të këtyre shteteve. Rrezikshmëia ka të bëjë me gjithë rajonin. Aty ku vendoset krimi i organizuar, aty zhvendoset paqja dhe siguria.
Pse dëshirohet t`i iket përgjegjësisë së “Marrëveshjes së Perzhinos”, ku duket sikur politikanët kanë një iluzion se do mbeten në pushtet gjatë gjithë jetës së tyre politike, sa mund t`i kushtoj kjo Maqedonisë?
Pushtetarët aktualë të Maqedonisë, si pjesa shqiptare ashtu edhe maqedonase (madje edhe një pjesë e gjoja opozitës shqiptare), janë thellë të zhytur në krim. Ata pushtetin e kanë praktikuar jo sipas ligjit, por sipas qejfit; kurse mbarë shtetin e kanë trajtua si diçka private e tyre. Shkeljet maramendëse të ligjeve, parimeve dhe normave të moralit, janë të pashembullta për botën aktuale. Mbi 5 miliardë dollarë janë shpërlarë nga ky shtet për 9 vite, që janë afro dy buxhete vjetore të tij. Kjo është për analizë të përgjithshme duke përfshi edhe atë mentale. Tani ata frikohen të shkojnë, kurse masat e gjëra kanë lepurin në bark që të mund t`i rrëzojnë. Nëse nuk do të kemi ndonjë ndryshim serioz, gjasat janë të mëdha për t`u ndeshur me destabilizim.
Si na gjeti kjo marrëveshje e fundit mes partive politike dhe faktorit ndërkombëtar, flas si na gjeti si shqiptarë?
Si shqiptar, për herë të parë nuk vlejmë gati asgjë. Asnjëherë në njëqind vitet e fundit nuk kemi pasur këso strukture inferiore representative. Madje as në 1945, as në 1963, aq më pak pas 1990. Shqiptarët në RM janë jetimë. Udhëheqësit e tyre komplet janë në shërbim të Gruevskit dhe të VMRO-së. Por, ndoshta si popull kaq meritojmë. Kur s`ke popull, progres mund të kemi vetëm nëse Zoti të fal ndonjë udhëheqës me moral. Tani jemi popull i vuajtur, i shpërngulur, i diskriminuar dhe shumë i varfëruar. Janë mu këto arsye që askush nuk na futi në Marrëveshje.
Pse edhe pas kaq abuzimeve nuk gjetëm forcë që të krijojmë një opozitë të vërtetë shqiptare?
Partitë e vogla janë pa përvojë. Edhe ata sikur i frikohen hapjes dhe mbeten të mbyllura. Kështu vështirë se do të na ngroh dielli. Mendoj se duhet urgjent të krijohet një FRONT politik, me parti, me OJQ, me inteletualë dhe me shumë punë që të mund ta rrëzojmë këte garniturë mafioze, pasi rrënjët e saj janë shumë të thella. Përndryshe, partitë e vogla do të mbajnë përgjegjësi për gjendjen, së paku për atë se kanë okupuar vendin e një opozite të mirëfilltë.
A besoni në marrëveshje historike maqedono -shqiptare?
Problemi tani nuk shtrohet në rrafshin etnik që të kemi marrëveshje shqiptaro-maqedonase. Tani dy partitë e mëdha shqiptare janë shndërrua në degë të VMRO-së. Popullata shqiptare një protestë nuk e organizoi para selive të BDI-së së Ahmetit dhe PDSH-së së Menduh Thaçit. Kjo është një tragjedi për ne. Politikanët tanë çfarëdo që të bëjnë askush nuk ua prish gjumin!
Ali Ahmeti ka dështuar historikisht. E bëri luftën për t`u pasuruar disa persona, e fakti që populli vuan është një fatkeqësi historike. Për fat të keq këtë e kam parashikua dhe ia kam thënë katër vite më parë. I pata thënë se sulmin më të madh do ta ketë nga ata që një kohë e patën shpallur profet. Unë do të përmbahem nga kualifikimet e rënda, pasi tani çdokush atë e kritikon dhe devalvon. Këtë unë e kamë bërë shumë më herët. Shqiptarët së pari duhet të mëkëmben ekonomikisht, arsimisht, kulturalisht dhe mandej të shifet ku dhe çka. Ndërsa sa i përket Thaçit, kurrgjë nga ajo që di çdokush. Si lider opozite t`i betohesh përjetë shefit të policisë së fshehtë është për vaj shekullor. Por, deri sa ka dele do të ketë edhe qethje.
Si e vlerësoni politikën e faktorit ndërkombëtar deri në këto momente?
Faktori i jashtëm do të bëjë lëvizje të kujdesshme. Atij më së shumti i intereson paqja dhe siguria, për tjetrën presim. Ata s`kanë pritur se edhe pas aq “bombave” përplot me krim popullata do të mbetet indiferente. Pra, vlejmë aq sa meritojmë. Nëse nuk krijohen turbulenca serioze kah tetori, nuk jam shumë optimist se ndryshojë gjë. /tesheshi.com/