Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Është pashmangshme që të mos e lidhësh emrin e Mërgim Lushtakut, me atë të babait të tij, Sami Lushtaku, ish-kreu i komunës së Skënderajt, që aktualisht mbahet i dënuar në burg me një akuzë që për familjarët nuk qëndron. Por as vetë Mërgimi nuk e mohon “praninë e babait” tek identiteti i tij politik. Madje e ka për krenari ta pohojë këtë, duke e shoqëruar dhe më këshilla të vyera ët cilat ai ia ka dhënë. Mërgim Lushtaku është në listën e “luftës” si kandidat për deputet; por shfaq një befasi për qasjen karshi politikës, duke e patur Zotin-Udhërrëfyes, kjo falë dhe këshillave të të atit, Sami Lushtaku….
Kandidimi juaj ka një të veçantë: faktin që jeni i biri i një figure të njohur të luftës, e që sot gjendet në burg. Në protagonizmin tuaj politik, sa do jeni Mërgimi e sa Samiu?
Pa dashur të zgjerohem shumë, njeriu reflektohet dhe merr tipare nga familja, rrethi, shoqëria. Njeriu trashëgon nga prindi, përpos faktorit gjenetik edhe shumë vlera. Sami Lushtaku, babai im, siç dihet, ka qenë i angazhuar në luftë, në çlirimin e atdheut nga zgjedha serbe, dhe më pas ka qeverisur me Komunën e Skënderajt. Angazhimin tim politik nuk do ta quaj protagonizëm, por një shërbim obligativ ndaj vendit, për të mirën e fëmijëve dhe të familjeve të qytetarëve të Kosovës, aq sa do të ma mundësojnë dispozitat ligjore që parashihen për deputetin e Kosovës. Do të jem Mërgim Lushtaku, deputet i Kuvendit të Kosovës, anëtar i legjislativit të Kosovës, kurse Samiu, si kryetar i komunës, ka pasur angazhim të një natyre më ekzekutive. S’janë e njëjta gjë besoj.
Bisedoni herëpashere me babain mbi politikën e Kosovës dhe çfarë u thotë ai?
E vizitoj shpesh babanë. Është e natyrshme se ndjehet i mërzitur sepse mbahet padrejtësisht në burg, e para dhe e dyta, kjo bëhet edhe më e dhimbshme, për faktin se ai po mbahet në burg, në kohën kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, i cili ka qenë edhe qëllimi i kontributit të tij në luftë dhe i bashkëluftëtarëve të tij në kuadër të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çlirimi dhe liria e Kosovës. Bisedojmë edhe për politikë. E tërë pakënaqësia që ai shfaq nuk bëhet për inate personale apo për ndonjë hakmarrje politike, por me qëllim dhe dëshirë që ta sheh në gjendje më të mirë Kosovën, Skënderajn dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Çdo vërejtje a kritikë politike që ka dhënë babai ka pasur këtë qëllim, duke e mbajtur gjithmonë në mendje edhe amanetin e shokëve, shumë nga ata edhe dëshmorë, dhe bashkudhëtarëve të tij të luftës e të lirisë për bërjen e Kosovës, për lirinë e shqiptarëve në trevat e tyre. Shpesh më thotë, se “kudo që jam, të jem i drejtë dhe t’u bëj mirë njerëzve, kjo është edhe tradita e familjes sonë. Nëse nuk e bën këtë, s’të duhet politika dhe as ti s’i duhesh politikës. Mos na korit. Nëse nuk punon me i bashku njerëzit që janë të përçarë, nëse nuk e vë në shërbim politikën që qytetarët të kenë dobi prej saj, ma mirë merru me ndonjë gjë tjetër.”
A ju ka mbështetur ai në nismën për të kandiduar dhe a ju ka përcjellë ndonjë këshillë?
Kanë qarkulluar zëra që kinse Sami Lushtaku dhe familja e tij janë hidhëruar me Partinë Demokratike të Kosovës dhe udhëheqësinë e saj. Nuk është e vërtetë. Nëse ai ka shfaqur ndonjë pakënaqësi, e përmenda më lart, se për çfarë qëllimi e ka bërë. Patjetër se, kandidatura ime për deputet të Kuvendit të Kosovës, me PDK-në, është bërë edhe me miratimin dhe mbështetjen e tij. Ndjehem me fat që kam një prind me të cilin këshillohem dhe më mbështet në rrugën time, si të shkollimit dhe edukimit por edhe tani të angazhimit politik. Por, më duhet të shpreh edhe falënderimin edhe për lidershipin dhe strukturat e PDK-së gjithandej, me në krye KadriVeselin, për besimin e dhënë që bashkërisht të realizojmë platformën e Fillimit të Ri. Këshilla që babai im më jep gjithmonë është se “me besimin në Zot, bëhu i drejtë dhe ndihmoji njerëzit, kurrë nuk do të humbësh, pavarësisht zërave dhe të intrigave që do të mund t’i sajojnë.”
Mërgim, çfarë nuk ecën diçka, apo dhe shumëçka në politikën kosovare, për çka ju mendoni se duhet rregulluar, edhe me kontribut personal?
Kosova ka kaluar një luftë me një pushtues të egër që e ka ndjekur historikisht, siç është Serbia. Gati dy dekadat e lirisë dhe fazës së tranzicionit e të shtetndërtimit të cilat e kanë përcjellë Kosovën, janë vite që duhet t’i shohim në dy aspekte ose këndvështrime. Nga njëra anë kërkesa e qytetarëve që me ritme të shpejta të vihen gurthemelet e shtetit, një mirëqenie e një ekonomi e zhvilluar dhe stabile, ndër të tjera. Kurse aspekti i dytë, politika sa është vënë në shërbim të interesave të qytetarëve për t’i përmbushur ato kërkesa. Sado që politikanët angazhohen për të shtyrë përpara politika në të mirë të qytetarëve, në menaxhimin e buxhetit e të parasë publike, në rastin e Kosovës, nuk është e mjaftueshme, sepse jemi një vend i cili, nëse e shohim nga perspektiva historike, ka qenë nën pushtim dhe kur një vend është nën pushtim ai ka varfëri të tmerrshme materiale e intelektuale. Dhe, dihet mirëfilli se Kosova ka qenë nën pushtim e në varfëri për dekada të tëra. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë në Kosovë këto dy dekada, por nuk është e mjaftueshme aq sa është punuar nga partitë politike. Për këtë fakt, PDK-ja ka nxjerrë platformën e Fillimit të Ri, ku ndër të tjera ka hapur dyert për energji dhe ide të reja që të shërbejnë për vendin tonë dhe qytetarët e saj. E përmenda edhe më lart, nëse do Zoti dhe qytetarët ma besojnë votën e tyre t’i përfaqësoj si deputet në Kuvendin e Kosovës, me tërë qenien time do të angazhohem të kontribuoj në Kuvend dhe në grupet punuese parlamentare që qytetarëve t’u ofrojmë ligje sa më të mira të mundshme dhe që përmirësojnë jetën e tyre. Bashkë me shumë miq, të cilët janë ekspertë të fushave të ndryshme, do të kem konsultim të vazhdueshëm për çdo akt ligjor dhe do të ofroj përvojat më të mira në përpilimin e ligjeve dhe të paraqes çdo shqetësim qytetar në institucionin më të lartë të vendit, Kuvendin e Kosovës.
Kush janë prioritetet e Kosovës në vizionin tuaj politik?
Kosova ka ende shumë për të bërë. Por, siç e parasheh edhe platforma e Fillimit të Ri, zhvillimi ekonomik është një prej prioriteteve kryesore. Në këshillim edhe me shumë ekspertë nga fusha e ekonomisë, do të propozoj mundësi të reja konkrete në këtë fushë. Gjithashtu, do të angazhohem për sjelljen e investitorëve të jashtëm në Kosovës, me fokus të veçantë, të njerëzve tanë të suksesshëm në Diasporë për t’i bindur që të ndihmojnë Kosovën në një formë tjetër tashmë, përmes investimeve që mundësojnë edhe hapjen e vendeve të reja të punës.
A e ka justifikuar politika të djeshmen e luftës, patriotizmin dhe heroizmin e saj?
Nuk dua të shfaqem modest, por jam i vogël ta vlerësoj një gjë të tillë. Ajo që dua të them është se ka qenë akt trimërie që gjatë luftës të angazhohesh me tërë qenien duke e vënë edhe jetën në shërbim të atdheut, kurse tani patriotizëm e konsideroj faktin se njerëzit që i ke përreth të të shohin si shpresë duke të besuar t’i përfaqësosh dhe të kontribuosh në përmirësimin e kushteve të jetës për ta. Angazhimin dhe optimizmin e të rinjve në shërbim të ndërtimit të mëtejmë të vendit tonë e konsideroj heroizëm.
A mendoni se ka nga ata trima të djeshëm që sot nuk e justifikojnë të qënit në politikë?
Të them sinqerisht, favorizoj dhe më pëlqen të merrem me fenomene e jo me raste të veçanta individuale të njerëzve. Ka ndodhur një lloj metamorfoze te një grup njerëzish në Kosovë në aspektin e angazhimit. Shumë trima e luftëtarë të UÇK-së e kanë konsideruar se me përfundimin e luftës ka përfunduar edhe angazhimi i tyre i drejtpërdrejt për Kosovën sepse e kanë konsideruar se aq ka qenë kapaciteti i tyre intelektual e njerëzor. Disa të tjerë nuk janë mjaftuar me aq, dhe janë angazhuar në politikë. Mendoj se tani secila parti, ashtu siç ka bërë PDK-ja, duhet t’u japin hapësirë njerëzve të rinj për të dhënë kontributin e tyre qoftë në vendimmarrje por edhe në jetën institucionale në përgjithësi. Ka teori në studimet politike që thonë se pushteti t’i shtjerr energjitë dhe idetë. Kësisoj, angazhimi i njerëzve me energji dhe ide të reja i bën mirë partive në radhë të parë, dhe vendit në instancë të fundit.
A është dënimi i babait tuaj tregues i një politike që vuan nga parimet, nga morali?
Po e ritheksoj. Babai im mbahet në burg padrejtësisht sepse faktet që janë prezantuar kundër tij nuk janë relevante dhe të mjaftueshme të dëshmojnë fajësinë e tij. Besoj që secili qytetar, aty ku graviton dhe ka mundësi, duhet të luftojë dhe të angazhohet për drejtësi. E kam thënë edhe në prononcime të mëhershme se babai im po mbahet padrejtësisht në burg, sepse s’mund ta kuptoj se si mund të shpallet fajtor një i akuzuar që kinse ka vrarë një person gjatë luftës, të cilit nuk i dihet identiteti, nuk i është gjetur kufoma e të vrarit apo edhe të dënohet për përgjegjësi komanduese, vendim i cili për herë të parë aplikohet te rasti i babait tim. Nuk e di a meritojnë të emërtohen këto parime apo jo dhe çfarë lidhje kanë me moralin.
A do mundeni ju qe me protagonizmin tuaj si deputet, pra si personazh politik, të përgënjeshtroni atë keqgjykim që mund të rëndojë mbi babain tuaj?
Dua ta bëj të qartë. Qëllimi im për t’u angazhuar politikisht është që përmes pozitës së deputetit të kontribuojë në përmirësimin e mëtejmë të jetës së qytetarëve të bashkërisht me kolegët tjerë deputetë të bëjmë ligje të mira e të zbatueshme për popullin e Kosovës. Do të angazhohem jo vetëm për rastin e babit tim por edhe për të gjithë ata që u bëhet padrejtësi në vendin tonë, në Kosovë, për aq sa më lejon pozita dhe gjithmonë vetëm duke respektuar dispozitat ligjore.
Cila është arma juaj më e fortë?
Me besimin në të madhin Zot, duke qenë këmbëngulës për të kontribuuar për të mirën e përgjithshme me drejtësi.
Cila është aksioma juaj në politikë?
Përpiqem të ua dëshiroj dhe të veproj për të tjerët, ashtu siç kam dëshirë për veten time. /tesheshi.com/