Nga David Child
Politika ka ndikuar në identitetin e një numri klubesh futbollistike spanjolle, nga Barcelona te Reali, te Atletik Bilbao.
Kur FC Barcelona fiton me tre gola e sipër në fushën e vet, mijëra ndjekës futbolli ngrihen zakonisht në këmbë në “Camp Nou” duke duartrokitur ekipin e tyre të dashur.
Megjithatë, në mbrëmjen e 1 tetorit 2017, asnjë mbështetës i vetëm nuk u ngrit të festojë një gol të tretë të Barcelonës ndaj Las Palmasit në stadiumin e famshëm që mund të mbajë 99.354 shikues.
Pse? Sepse atje nuk ishte qoftë dhe një mbështetës i vetëm!
Rajoni verilindor i Spanjës, i Katalonjës, kishte mbajtur më herët atë ditë një referendum të debatueshëm për pavarësinë, gjatë së cilit kishte patur përleshje të ashpra midis policisë dhe votuesve.
Në kundërpërgjigje, FC Barcelona zgjodhi ta mbyllë stadiumin për publikun si shprehje e pakënaqësisë së plotë për ndërhyrjen e ashpër të pretenduar ndaj qytetarëve prej forcave të sigurisë kombëtare.
Autoritetet e Ligës nuk kishin pranuar një kërkesë të mëhershme nga klubi për ta shtyrë ndeshjen.
“Ishte aq e habitshme që [Barcelona] po luante një ndeshje ndërsa vetëm pak kilometra jashtë stadiumit njerëzit po vuanin,” i deklaroi Al Jazeera-s Victor Bolea, një tifoz i Barcelonës gjatë tërë jetës.
“Gjendja ishte e tmerrshme më 1 tetor… Edhe nëse stadiumi do të kishte qenë i hapur, nuk mendoj se atë ditë do të kishin shkuar shumë mbështetës,” shtoi Bolea, i cili votoi në favor të pavarësisë.
Por vendimi i Barcelonës për t’i mbyllur dyert në atë mbrëmje të diele ishte dëshmia më e fundit se futbolli dhe politika janë të lidhura ngushtë në Spanjë.
Politika i ka dhënë trajtë identitetit të një numri klubesh spanjolle të futbollit, përfshirë Realin e Madridit, rivalin kryesor të Barcelonës.
I krijuar fillimisht në vitin 1902 si Klubi i Futbollit i Madridit, Reali i Madridit erdhi në jetë në 1920-n, kur mbreti asokohe i Spanjës, Alfonso XIII, i dha ekipit të drejtën për ta përdorur fjalën “real”, me kuptimin “mbretëror”, në emrin e vet dhe një kurorë mbretërore në emblemën.
Lidhja historike e klubit me familjen mbretërore vijon të formësojë thuajse një shekull më vonë mënyrën si është perceptuar midis tifozëve rivalë të Barçës, sipas Jimmy Burns-it, gazetar dhe autor i La Roja: A Journey Through Spanish Football.
“FC Barcelona dhe shumë prej mbështetësve të saj rrojnë në Katalonjë, një rajon në të cilin një numër i mirë njerëzish e çmojnë veten si të ndryshëm politikisht dhe kulturalisht nga pjesa tjetër e Spanjës… Ata e shohin Realin e Madridit si ekipin që përfaqëson pjesën tjetër të Spanjës,” shpjegon Burns për Al Jazeera-n.
Përndryshe, disa orë pas vërshëllimës së fundit në “Camp Nou” më 1 tetor, mijëra mbështetës të Realit të Madridit u shfaqën teksa e denonconin referendumin më të fundit katalanas duke i valëvitur flamujt spanjollë gjatë një ndeshjeje në fushën e tyre kundër Espanjolit.
Ama, disa mbështetës të Realit të Madridit e mohuan që klubi të jetë dhënë pas simbolizmit politik në Spanjë.
“Tifozët e Realit të Madridit nuk duan që klubi të përfshihet në politikë,” tha për Al Jazeera-n Luis Camps, një madrilen për më shumë se dy dekada.
“Klubi është një kompani e fuqishme me shumë lidhje … por këto lidhje nuk janë përdorur për ta kthyer Realin e Madridit në një simbol [politik].”
“Më shumë se një klub”
Ndërkohë që Reali i Madridit ka qenë i bashkëshoqëruar historikisht me monarkinë dhe i lidhur, anektodikisht, me gjeneralin spanjoll Francisco Franco, ashtu si gjatë përfshirjes së tij të përfolur në dërgimin e argjentinasit Alfredo Di Stefano në klub në vitin 1953, Barça është parë gjerësisht si një mjet për t’i dhënë shtysë identitetit rajonal.
Shumë mbështetës të FC Barcelonës nxjerrin flamuj katalanas dhe banderola pro ndarjes gjatë ndeshjeve në “Camp Nou”.
Një numër gjithashtu zgjedhin të këndojnë për “pavarësinë” pas 17 minutave dhe 14 sekondave të para të çdo ndeshjeje, në shenjë kujtimi për fundin e rrethimit të Barcelonës në vitin 1714, gjatë luftës së secesionit spanjoll.
“[Klubi] është një prej platformave më të mëdha për t’i treguar botës se çfarë po ngjet në Katalonjë dhe çka duan të bëjnë njerëzit në rajon… [Ai] e ndihmon lëvizjen e pavarësisë katalanase,” rrëfen Bolea.
“Tifozët që vijnë çdo javë në stadium janë në përgjithësi për pavarësinë katalanase… [Ai] përfaqëson më shumë se një klub për ne.”
Edhe pse FC Barcelona ka qëndruar larg mbështetjes së hapur të shkëputjes së Katalonjës nga Spanja, klubi ka bërë të ditur se do të “vazhdojë ta mbështesë vullnetin e shumicës së popullit katalanas”, duke zgjedhur një përfshirje më të drejtpërdrejtë institucionale në dukje në politikë krahasuar me klubin rival të Realit të Madridit.
Gerard Pique, një lojtar aktual i FC Barcelonës, ka shkuar më tej dhe ka dhënë mbështetje publike për pavarësinë katalanase. Mbrojtësi, i lindur në Barcelonë, ka thënë se nuk do të luajë për Spanjën nëse çështja shihet si një problem nga trajneri i kombëtares.
Pique u tha gazetarëve pas ndeshjes së FC Barcelonës me Las Palmasin: “Ju votoni ‘po’, ‘jo’, ose e lini fletën të bardhë, por votoni. Ne nuk mund t’i mbronim idetë tona në kohën e Frankos. Unë jam dhe ndihem katalanas, dhe jam shumë krenar për njerëzit, për qëndrimin e tyre.”
Bilbao dhe Vendi Bask
Përveç rivalitetit mdisi Barçës dhe Realit, të njohur më së shumti si “El Clasico”, politika përzihet me futbollin në pjesë të tjera të Spanjës.
Atletik Bilbao, klubi mbizotërues në vendin bask të Spanjës, ka një politikë të hedhjes në fushë vetëm të lojtarëve të lindur ose të stërvitur si të rinj në rajon.
“Ideja e kësaj ka qenë për t’u përpjekur dhe për t’i dhënë ekipit një identitet kulturor e politik,” thotë Burns.
Rivaliteti i tyre me Realin e Madridit është quajtur “El Otro Clasico”, “Derbi tjetër”, dhe përfaqëson përplasjen e nacionalizmit bask me identitetin e centralizuar spanjoll. Tifozët e Atletik Bilbaos e valëvisin rregullisht flamurin bask, të kuq, të gjelbër dhe të bardhë, në shkallët e stadiumit të tyre, “San Mames”.
Ashtu si Katalonja, Vendi Bask ka kulturën, historinë dhe gjuhën e tij. Ai ka qenë arenë e politikës secesioniste të trazuar, dhe shpesh të dhunshme. ETA, krahu kryesor i armatosur i lëvizjes çlirimtare baske hoqi dorë zyrtarisht prej dhunës në vitin 2017, por pavarësia baske mbetet një synim politik i grupeve aktive secesioniste në rajon.
Klube të tjera në vendin bask, si rivali më i madh lokal i Bilbaos, Real Sociedadi, kanë zgjedhur të mos mbajnë një politikë të nënshkrimit vetëm me futbollistë baskë.
Kjo i është shtuar ndjenjës se qëndrimi i Bilbaos është gjithnjë e më tepër pa vend, si brenda vendit bask dhe Spanjës si një të tërë, sipas Burns-it.
“Kjo [politikë] ka patur një konotacion paksa shqetësues, racist, për të, që në botën moderne dhe në një demokraci është e papajtueshme,” vijon po ai.
“[Por] politika ka qenë sigurisht më elastike gjatë viteve të fundit, dhe tani keni brezin e parë të baskëve që përfshijnë emigrantë në ekip … dhe dalëngadalë ajo po zbutet.”
Një nga yjet aktualë të Atletik Bilbaos është Inaki Williams, i lindur në Bilbao nga prindër ganezë dhe liberianë. Roli i tij i spikatur në ekip është shenjë e mënyrës se si po evoluon perceptimi i klubit mbi identitetin bask dhe se si po bëhet më përfshirës në shekullin e 21-të.
Politikë e pazgjidhshme
Atletik Bilbao, Barcelona dhe Reali i Madridit janë tre prej katër klubeve më të suksesshme që nga krijimi i ligës së parë të futbollit të Spanjës në vitin 1928. Ato kanë fituar së bashku 65 tituj të ligës.
Por fuqia tërheqëse e tyre gjendet sa në identitetet respektive rajonale (në rastin e Bilbaos dhe Barcelonës) dhe në historinë famëmadhe (në rastin e Realit të Madridit), sa në arritjet e ditëve të sotme në fushë.
Dhe ndërsa La Liga bëhet një prej ligave më fitimprurëse të futbollit në botë, dhe tërheq audienca të jashtëzakonshme globale televizive, politika e saj e pazgjidhshme lokale duket se ka të ngjarë të mbetet aty.
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/