Mirësevini në Uppsala, një qytet me 230,000 banorë, një orë me makinë nga Stokholmi. Uppsala u bë qyteti i parë në Suedi javën e kaluar që njoftoi masa më të ashpra për të luftuar koronavirusin, pasi spitalet në qytet janë nën presion për shkak të rritjes së numrit të njerëzve të infektuar.
Banorëve të Uppsala-s u është thënë të shmangin transportin publik dhe të mos shoqërohen me njerëz me të cilët nuk bashkëjetojnë. Në autobusët e qytetit u shfaqën postera që u bënin thirrje pasagjerëve të hyjnë “vetëm nëse u duhet vërtet”. Në koshat e plehrave thuhet: “Rreziku nuk ka mbaruar”.
Masat e paraqitura në Uppsala nuk janë aspak të ndryshme nga ato të prezantuara në qytete të tjera në të gjithë Evropën. Por ajo që e veçon Uppsala-n nga Manchester-I, Brukseli apo Parisi, është se gjithçka është mbi baza vullnetare.
Ashtu si në valën e parë të koronavirusit, kur Suedia miratoi një mënyrë të relaksuar për të luftuar COVID-19, me shkolla të hapura, kufij, kompani, tani me valën e dytë të epidemisë, kjo qasje përdoret nga komunitetet lokale.
Nuk ka oficerë policie që kontrollojnë përdorimin e transportit publik. Dyqanet dhe restorantet janë të hapura për të gjithë. Nuk ka ndalim të shoqërimit. Zyrtarët thjesht u tregojnë njerëzve atë që nuk duhet të bëjnë dhe ata shpresojnë se do ta pranojnë atë vullnetarisht.
Suedia mbetet ende një nga vendet e pakta në botë që nuk rekomandon mbajtjen e maskave, pasi beson se ato ofrojnë një ndjenjë false të sigurisë dhe minojnë përpjekjet për distancën fizike.
Për suedezët dhe të gjithë ata që do të monitorojnë nga afër se çfarë po ndodh në këtë vend skandinav, pyetja është nëse qasja e thirrjes së qytetarëve për të marrë përgjegjësi për veten e tyre do të “ndizet” dhe të ndryshojë trendin negativ të rritjes së numrit të të infektuarve, siç është regjistruar në Uppsala. Gjatë dy javëve të fundit, numri i të shtruarve në spital për COVID është rritur nga 4 në 33 pacientë.
“Kjo është hera e parë që përdorim këto rekomandime dhe tani do të shohim se sa efektive janë ato,” tha kryeepidemiologu suedez Anders Tegnell.
Qasja e Suedisë këtë pranverë ka ndarë publikun dhe ekspertët. Rezistenca ndaj mbylljes ka lejuar që virusi të përhapet në shtëpitë e të moshuarve ku më shumë se 5,500 sosh kanë vdekur, shumë më tepër se në vendet fqinje. Qeveria së fundmi shfuqizoi rekomandimin e saj të veçantë për izolimin e njerëzve mbi 70 vjeç dhe grupeve në rrezik, i cili ka qenë në fuqi që nga prilli, nga frika se ishin shumë të izoluar, gjë që mund t’i bëjë ata të dëshpëruar dhe të vetmuar.
Autoritetet suedeze kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se strategjia e tyre është zgjedhur për “një maratonë, jo një sprint”.
Ekspertët besojnë se qasja më pak drakoniane e Suedisë mund të përfitojë si nga shëndeti mendor, ashtu edhe nga edukimi i njerëzve. Politikanët suedezë besojnë se qytetarët që kanë një ndjenjë më të madhe kontrolli do të ndjekin rekomandimet më me zell dhe për më gjatë. /tesheshi.com/