Një deputet i parlamentit të ri ka fituar mandatin me 7 mijë deri në 9 mijë vota në qarqe të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa në Tiranë duheshin më shumë se 11 mijë vota për të nxjerrë një deputet.
Në një analisë të bërë nga Instituti i Studimeve Politike kuptohet diferenca e madhe mes votave që janë dashur në rrethe dhe në kryeqytet, ku parti si PDIU dhe LIBRA mbeten pa një deputet dhe pse morën mbi 12 mijë dhe mbi 9 mijë vota respektivisht.
Tabela e ISP-së ilustron numrin e votave për një mandat, bazuar në vendimet e KQZ. Nëse përqindja e pjesëmarrjes në votime do të kishte qenë më e lartë (p.sh, sa më 2013), kufiri për një mandat do të rritej nga 9 në 13 mijë vota në varësi nga qarku. Me rënien e pjesëmarrjes ra edhe niveli i pragut minimal për mandat. Siç shihet nga tabela, në Vlorë mandati i fundit u mor me 7.7 mijë vota, kurse në Tiranë me mbi 11 mijë vota. PDIU mori mbi 12 mijë vota në Tiranë, LIBRA mbi 9 mijë, por asnjëra nuk siguroi mandat parlamentar. Sepse u penalizuan nga pragu 3%. Dhe për pasojë, penalizimi për të vegjlit përkthehet në privilegj për të mëdhenjtë.
Analisti i ISP-së Afrim Krasniqi ngre disa pyetje mbi këtë formulë të sistemit zgjedhor që kërkojnë përgjigje në reformën e re zgjedhore.
“A ka sens që një votë në Vlorë apo Lezhë të ketë vlerën e 1.5 votave në Tiranë, Dibër e Korçë? A ka sens që brenda të njëjtit shtet të kemi deputetë që zgjidhen me 7 ose 11 mijë vota, ndërkohë që humbasin ata me 12 apo 10 mijë vota? A është normale që 19 mijë vota në Korçë dhe 12 mijë vota në Gjirokastër, Shkodër e Vlorë të prodhojnë në çdo rast vetëm nga 1 mandat parlamentar? Përse 19 mijë vota në Korçë prodhojnë 1 mandat, kurse 19 mijë vota në Berat prodhojnë 2.4 mandate? Një mandat në Kukës shkoi 18 mijë vota, më i larti në Shqipëri për partitë e mëdha, kurse PD me 23 mijë vota në Vlorë apo PS me 27 mijë vota në Gjirokastër marrin 3 herë më shumë mandate! Cili është shpjegimi që PD me 44 mijë vota në Shkodër merr 5 mandate, kurse me 46 mijë vota në Fier merr 4 mandate? Apo që PS me 73 mijë vota në Durrës e 65 mijë vota në Vlorë merr të njëjtin numër mandatesh, kurse me 73 mijë në Elbasan merr 1 mandat më pak? Si është e mundur që PDIU me 29 mijë vota në Durrës merr po aq mandate sa LSI në Durrës me 8 mijë vota më pak? Ka detaje të tjera të shumta që tregojnë se vota në Shkodër, Kukës, Tiranë, Durrës, Lezhë, Elbasan, berat, Korçë, Vlorë, etj, nuk ka gjithnjë vlerë të barabartë, që konkurrenca për mandat nuk është kudo e njëjtë dhe as e ndershme dhe që detajet, skemat taktike, kalkulimet lokale janë më të rëndësishme sesa parimi kushtetues i zgjedhjeve të lira e të ndershme”– shkruan Krasniqi./tesheshi.com/