Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që me kërkesë të Italisë të pranojë deri në pesë emigrantë nga anija “Diciotti”, e cila muajin e kaluar zbarkoi në ishullin italian të Sicilisë, duke u bërë shkak i një krize të radhës mes Romës e Brukselit apo Romës dhe Parisit.
“Qeveria, duke marrë parasysh parimet e humanizmit dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë, si dhe vlerat tradicionale të shoqërisë malazeze, e konfirmuar kjo shumë herë në historinë e kohëve të fundit, vendosi që Mali i Zi, me kërkesë të Italisë, të pranojë deri në pesë emigrantëve nga anija ‘Diciotti’”, njoftoi qeveria e Podgoricës.
Javën e kaluar, qeveria italiane nëpërmjet ambasadës së saj në Podgoricë, i bëri thirrje Malit të Zi për të marrë një numër të caktuar të emigrantësh, nga 140 prej tyre që zbarkuan në Sicili.
Ky vendim i fqinjit verior, pason atë të qeverisë “Rama” për të marrë 12 emigrantë po nga e njëjta anije, pa ia kërkuar kush por e përshendetur më pas nga qeveria italiane.
Pak më vonë ishte Brukseli që reagoi dhe tha se Shqipëria nuk mund ta ndërmerrte këtë hap, pasi sipas rregullave në fuqi të emigracionit, emigrantët duhet të lëviznin me vullnetin e tyre dhe jo me detyrim, drejt një vendi tjetër. Salvini e quajti këtë si “çmenduri”, ndërsa Rama nuk reagoi. /tesheshi.com/