Ministri i Diasporës Pandeli Majko tha se me mënyrën e zgjedhur nga opozita për të diktuar atë që nuk i takon, po mbjell një precedent negativ në politikë.
Gjatë një interviste në Top Talk, Majko tha se po u zgjidh kriza siç e kërkon opozita, edhe ata nje ditë, socialistët, në kushte opozite do dorëzojnë mandatet.
“Çfarë precedenti po hap Shqipëria? Nëse kemi këtë precedent që opozita nuk hyn në zgjedhje për X kryeministër, kthehet në model pastaj. Opozita duhet të pyesë veten se çfarë ndodh pas kësaj. Ja e morën pushtetin. Pas 6 muajsh dorëzojmë ne mandatet dhe themi nuk e duam këtë kryeministër. Mendoj se jemi klasë politike që po mbyll ciklin e vet dhe është e sigurtë që në zgjedhjet që vijnë dikush do të lërë jo vetëm karrigen e politikës. Prandaj është ky polarizim në këtë moment”, tha Majko.
Gjithsesi ai bëri thirrje për uljen e palëve për dialog, pasi siç tha, “në fund të fundit të gjithë kemi fëmijë e mbesa dhe ky është vend ku do të jetojmë të dyja palët. Duhen menduar punët me gjakftohtësi”. /tesheshi.com/