Nga Anshel Pfeffer*
Lufta hibride e zhvilluar dhe e praktikuar nga Rusia gjatë dy dekadave të fundit bazohet – ashtu si në krizën e Ukrainës – mbi propagandë, luftë psikologjike dhe sulme kibernetike, po aq sa në fuqinë konvencionale të zjarrit.
Shumica e raportimeve, si nga media ashtu dhe nga shërbimet sekrete, për praninë masive ruse në kufirin me Ukrainën janë çorientuese. Potencialisht, rusët kanë mbi 100 batalione gati për manovra tokësore në Ukrainë me mbështetjen e qindra avionëve luftarakë dhe helikopterëve sulmues, artilerisë, raketave, si dhe anijeve luftarake në bregdet. Por interesi i qartë i Presidentit rus Vladimir Putin është të përdorë sa më pak nga kjo forcë ushtarake. Vetëm duke i përqendruar të gjitha këto njësi në zonat e caktuara, aty ku mund të shihen qartë nga kamerat, ai ka arritur efektin e dëshiruar pa shkrepur asnjë plumb.
Rusia shihet edhe një herë nga të gjithë si një superfuqi që është në gjende fillojë një luftë botërore, po të dojë. Këto nuk janë më mbetjet mjerane të Ushtrisë së Kuqe të fuqishme njëherë e një kohë, ushtarët e së cilës shisnin armët e tyre për të blerë ushqime në vitet kaotike të epokës së afërt post-sovjetike. Putini ka treguar se ka një ushtri që ka kaluar nëpër një proces gjithëpërfshirës modernizimi dhe riarmatimi. Por, pasi e ka treguar këtë forcë, përdorimi i saj është çështje tjetër.
Publiku rus nuk është shumë ndryshe nga ai i vendeve të tjera. Ai nuk ka asnjë shtysë patriotike për të parë djemtë e vet të kthehen në shtëpi në arkivole.
Të gjitha fushatat ushtarake që ka nisur Putini – në Çeçeni, Gjeorgji, Krime, Ukrainën Lindore dhe Siri – janë mbështetur në praninë e bashkëpunëtorëve të milicive lokale, separatistëve dhe mercenarëve për të bërë pjesën më të madhe të punës në terren. Këto janë përforcuar nga grupe relativisht të vogla të operacioneve speciale ruse, ku numri i trupave ruse në terren është mbajtur në minimum. Në vend të kësaj, Rusia ka siguruar elementët që e ndryshojnë lojën, si bombardimet ajrore, raketat me rreze të gjatë, lufta elektronike dhe sulmet kibernetike.
Një pushtim tokësor rus në shkallë të gjerë, i llojit që administrata Biden dhe organizatat perëndimore të inteligjencës kanë paralajmëruar për javë të tëra, përputhet me shkallën e forcave të pozicionuara rreth Ukrainës. Por kjo nuk i përshtatet doktrinës së luftës hibride të zhvilluar dhe praktikuar nga Rusia gjatë dy dekadave të fundit, e cila mbështetet në propagandë, luftë psikologjike dhe sulme kibernetike, po aq sa në fuqinë konvencionale të zjarrit.
Raportimet kontradiktore gjatë dy ditëve të fundit mbi lëvizjen e njësive ruse larg kufirit, apo në drejtim të tij, janë të parëndësishme. Pasi nuk janë tregues të fundit të krizës apo të ndonjë sulmi të pashmangshëm. Ka më shumë kuptim të vëzhgojmë itinerarin e Ministrit rus të Mbrojtjes Sergej Shoygu. Të martën pasdite, në vend që të marshonte trupat e tij për sulmin që na thanë se do të bëhej në orën 3 të mëngjesit, ai gjendej në bazën ajrore ruse në Siri për të vëzhguar vendosjen e bombarduesve strategjikë atje dhe për të shpërndarë medalje.
Shoygu dhe Putini kanë kohë. Batalionet dhe skuadriljet mund të lëvizin. Presioni maksimal mbi Ukrainën dhe qeveritë perëndimore do të mbetet i tillë në muajt e ardhshëm. Rusia do të ketë ende forca të mjaftueshme për të kryer grabitje të mëdha tokash në rajonin e Donbasit dhe përgjatë vijës bregdetare me Detin e Zi, edhe pse nuk ka ende nevojë që ato forca të përdoren.
Koha kur Putini vendosi të lajmëronte për një tërheqje “të pjesshme” nuk është e rastësishme. Ai nuk e bëri atë pas telefonatës me presidentin amerikan Joe Biden, apo pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron. Ai zgjodhi ta bëjë këtë ditën kur u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili gjatë gjithë krizës ka marrë një ton shumë më të butë ndaj Rusisë, duke refuzuar të angazhohet publikisht për një pezullim të tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2 në rast se Rusia vendosë të pushtojë Ukrainën. Kjo nuk do të thotë se diplomacia e Scholz-it ishte më e efektshme. Kjo tregon thjeshtë se Putini do të vazhdojë të përpiqet të bëjë gjithçka që mundet për të krijuar mosmarrëveshje midis udhëheqësve perëndimorë.
Është e vështirë t’i shpëtosh përshtypjes se, politikanët perëndimorë dhe të paktën disa nga ekspertët e inteligjencës dhe ushtarakët që i informojnë ata, ende i shohin gjërat sipas mentalitetit të luftërave të shekullit të kaluar kur vlerësojnë synimet e Putinit. Epoka në të cilën mobilizimi masiv i trupave çon në mënyrë të pashmangshme në luftë, siç ndodhi në vitin 1914 kur u fikën dritat në të gjithë Evropën, ka marrë fund që kur ushtritë filluan të përdornin mjetet moderne të komunikimit.
As sulmet të tipit “false flag” – si ai i organizuar nga nazistët në Gleiwitz (tani Gliwice) në kufirin me Poloninë në 1939 – nuk janë më të vlefshme si pretekst për një pushtim. Nëse rusët do të kishin tentuar të bënin diçka të tillë në vitin 2022, do të ishte çmontuar dhe ekspozuar në mediat sociale brenda pak minutash. Po kështu, klishetë e tjera të Luftës së Dytë Botërore që u përhapën, si fjala bie, se “Rusia nuk do të nisë pushtimin para se balta të ngrijë” – thua se në ditët e sotme rusët nuk kanë mjaftueshëm mjete luftarake me goma të gjera, apo thua se Ukrainës i mungojnë rrugët e asfaltuara.
Një pushtim rus i Ukrainës, nëse ndodh, do të jetë i ndryshëm në shkallë dhe metoda nga luftërat e mëparshme. Në fakt, kjo tashmë ka ndodhur dhe po vazhdon prej tetë vitesh, që kur rusët iu përgjigjën revolucionit të Maidanit në 2014 duke aneksuar Krimenë dhe duke inxhinieruar marrjen e enklavave në Donbas me anë të aleatëve të tyre separatistë.
Një konflikti me intensitet të ulët vazhdon që prej asaj kohe, larg syve të mediave, duke marrë jetën e mijëra ukrainasve dhe shtëpitë e qindra mijëra refugjatëve të zhvendosur brenda vendit. Dhe sikur të gjitha njësitë ruse të kthehen në bazat e tyre, konflikti do të vazhdojë kudo që Putini zgjedh të vazhdojë të minojë demokracinë e brishtë të Ukrainës. Pavarësisht nëse ai zgjedh apo jo të nisë një luftë të në shkallë të gjerë, ekzistenca e një demokracie pro-perëndimore në Ukrainë është e padurueshme për të dhe ai do të vazhdojë të bëjë çdo gjë që është e mundur që ta shuajë atë. /tesheshi.com/
*Anshel Pfeffer është një gazetar izraelit me origjinë britanike. Është korrespondent dhe kolumnist i gatetës së njohur izraelite Haaretz. Ai mbulon çështjet ushtarake, hebreje dhe ndërkombëtare. Po ashtu shërben edhe si korrespondent i Izraelit për The Economist.