Nga Ermir Gjinishi
“Në luftë nuk vritet vetëm jeta”, thotë profesori i Boston University Isaac Asimov. Pas 100 ditë lufte me Hamasin, Izraeli ndodhet përballë sfidave të cilat prekin të gjitha aspektet e sigurisë së një shteti. Në një kohë kur politika botërore po rrit presionin kundrejt viktimave civile palestineze në tentativa për një armëpushim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, ndarjet e brendshme, kriza ekonomike, shqetësimi i ushtarëve ndaj premtimeve për t’u kthyer në familjet e tyre përballë insistimit të qeverisë së Tel Avivit për një luftë të gjatë, si dhe e ardhmja e paqartë e qeverisjes së Gazës, janë vetëm një pjesë e efekteve të konfliktit.
Në një analizë botuar në gazetën më të madhe izraelite Yedioth Ahronoth, asnjë nga tre objektivat e listuara prej qeverisë Netanyahu në tetor 2023 nuk janë realizuar. Megjithëse ushtria arriti të futet në rajone si Jabalia apo Khan Yunis, ku nuk kish depërtuar as para vitit 2005 kur Izraeli u largua nga Gaza, sipas ushtrisë izraelite vetëm 15% e aseteve të Hamasit janë shkatërruar. Krerët e tij nuk janë eleminuar. Jahya Al-Sinwar, Marwan Issa dhe Muhamed Daif mbeten të lirë. Shpërbërja e Hamasit nuk është arritur. Përveç shkëmbimeve të burgosurve nga të dy palët, ushtria izraelite nuk ka mundur të lirojë asnjë peng. 129 pengje izraelite vazhdojnë të mbeten në duart e rezistencës palestineze. Deklaratat e shefit të shtabit izraelit Herzi Halevy “nuk ka zgjidhje magjike për këtë luftë” nuk mund të sfumojnë kompleksitetin e situatës e cila ka dëmtuar rëndë imazhin e ushtrisë, as zemërimin e opinionit publik në Izrael.
“I burgosur lufte është ai që përpiqet të të vrasë dhe pastaj kërkon nga ty të mos e vrasësh”, thotë Uinston Çërçill. Ndryshe nga deklaratat zyrtare të qeverisë, Yedioth Ahronoth raporton mbi 12.500 mijë ushtarë të plagosur rëndë në gjymtyrë nga 7 tetori 2023 që janë të paaftë për punë. Ndërsa numri kërkesave për status invalidi që kërkojnë mbështetje nga shteti pritet të shkojë në 20 mijë. Pavarësisht pikëpyetjeve për numrin e ushtarëve të vrarë, shkatërrimi i rreth 900 tankeve dhe mjeteve të blinduara të ushtrisë izraelite, paralajmëron shifra mjaft të larta humbjesh të cilat opinioni politik dhe qytetar izraelit nuk mund t’i përtypë lehtë. Washington Post vlerëson se humbjet në Gaza do të jenë shumë të rënda. E përditshmja amerikane i referohet të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë palestineze për 23 mijë të vrarë dhe rreth 60 mijë të plagosur civilë palestinezë deri më sot.
“Luftrat nuk paguhen kur ndodhin, fatura e tyre vjen pas”, thotë Benxhamin Franklin. Aspekti financiar i luftës është një tjetër sfidë. Kosto e deritanishme e luftës është 60 miliardë dollar. Ushtria izraelite shpenzon 272 milion dollar në ditë. Pagesat e rezervistëve në total që nga fillimi i luftës arrijnë në 2.5 miliardë dollar. Kompesimi i civilëve arrin në dhjetëra miliarda ndërsa biznesi do të kompensohet me 2.7 miliardë për këto tre muaj. Por dëmet më të mëdha janë në “Kibbutzet” rreth Gazës që vlerësohen në 5.5 miliardë dollar. Në veri, për shkak të bombardimeve të Hizbullahut, dëmet financiare arrijnë në 1.6 miliardë dollar. Ndërkohë që numri i banorëve të evakuar është rreth 200.000 dhe kujdesi për ta kushton miliarda, buxheti i shtetit parashikon një defiçit prej 30 miliardë dollarësh, i cili do të kërkojë shkurtime buxhetore dhe rritje taksash deri në 18 miliardë dollar duke ndikuar në cilësinë e jetës dhe uljen e shërbimeve për publikun izraelit. Veç këtyre, sipas gazetës ekonomike Calcalist të Tel Avivit, humbjet në ekonomi mund të arrijnë në 50 miliardë nëse lufta vazhdon për 5-19 muaj të tjerë. Në Gaza, gjysma e ndërtesave dhe 2/3 e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht. E gjithë infrastruktura, sistemi shëndetësor, ai shkollor etj, thuajse janë shkatërruar tërësisht. 1.8 milionë njerëz janë zhvendosur në jug të Gazës dhe përballen me mungesa bazike për jetën. Kostoja financiare akoma nuk mund të llogaritet, por sipas DW mendohet të shkojë mbi 50 miliardë euro, faturë të cilën vendet e Gjirit kanë refuzuar ta mbulojnë pa patur një zgjidhje përfundimtare me dy shtete dhe një autoritet qeverisës palestinez në Gaza.
Minimi i procesit të paqes përgjatë këtyre dekadave të sjell ndër mend thënien e Tomas Man se “lufta është ikja burracake nga zgjidhja e prolematikave të paqes”. Ndërkohë që konflikti vazhdon, me sa duket nuk është numri i viktimave ai që do përcaktojë fitimtarin. Shifrat e luftës janë rrënqethëse por dilema më e madhe mbetet çfar vjen më pas. Daniel Levy, anëtar i delegacionit negociator izraelit në Marrëveshjen Taba me palestinezët kur Ehud Barak ishte kryeministër, gjithashtu anëtar i negociatave të Oslo II me Yitzhak Rabin, në analizën e tij me titull “Izraeli po e humb luftën” në revistën The Nation, bashkohet me një numër në rritje analistësh të çështjeve strategjike në paralajmërimin se Izraeli, pavarësisht dhunës katastrofike, mund ta humbasë këtë luftë. Si analogji të llogjikës politike që vizaton konturet e një sulmi rebel, Levy e vendos agresionin e Hamasit më 7 tetor në retrospektivë me rastin e ofensivës “Tet” të rebelëve vietnamezë më 1968 të cilët pushtuan 100 pozicione dhe qendrën komanduese të forcave amerikane. Pavarësisht se vietnamezët e humbën betejën dhe sakrifikuan pjesën më të madhe të infrastrukturës politike dhe ushtarake, ofensiva “Tet” ishte një moment përcaktues në tërheqjen e SHBA nga Vietnami.
Prognoza Levy përputhet me aksiomën bazë të luftës guerile që citon Kisingeri, se “guerilët fitojnë nëse nuk humbin, ndërsa ushtritë tradicionale humbasin nëse nuk fitojnë“. Konstatimi se duke provokuar Izraelin derisa të nisi sulmin e tij, Hamasi mund të ketë arritur shumë nga qëllimet e tij politike, është realitet i pakontestueshëm. Ai tashmë është autoriteti i vetëm negociues jo vetëm në Gaza por dhe në Bregun Perëndimor. Referuar sondazheve, 80 % e palestinezëve e konsiderojnë autoritetin palestinez të korruptuar, ndërsa 60% e të anketuarëve e cilësojnë atë vegël në duart e Izraelit dhe minues të aspiratave të shtetit palestinez.
Marrëdhëniet e tensionuara të Izraelit me OKB, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të disa vendeve të Amerikës Latine dhe Afrikës, thirrjet e Makron dhe kryeministrit kanadez Truedeau “nëse Izraeli nuk ndalon bomardimet ndaj civilëve rrezikon të humbasë mbështetjen e një pjese të vendeve perëndimore”, janë kalkulime të pallogaritura të humbjeve politike. Nënvlerësimi i samiteve të Ligës Arabe apo OBI ka dobësuar mundësinë e aleancave rajonale në funksion të armëpushimit dhe uljes në tryezën e bisedimeve. Aktivizimi i grupeve militare në Irak, Jemen apo Siri, si dhe rritja e intensitetit të përplasjeve me Hesbollahun, nuk shkojnë në favor të objektivave të kabinetit Netanyahu. Neglizhimi i Saudisë, Egjiptit, Turqisë dhe Iranit, për zgjidhjen e konfliktit mund të çojë në refuzimin e një konsensusi rajonal për zgjidhjet e negociuara jashtë tyre, çka do ta ndizte edhe më tepër tensionin në Lindjen e Mesme. Në këtë rutinë të paralajmëruar, Izraeli dhe Hamasi po ripërcaktojnë kushtet e konkurencës së tyre politike duke ju referuar jo situatës që ekzistonte para 7 tetorit, por asaj që ekzistonte para vitit 1948. Nuk është e qartë se çfarë do të vijë më pas, por nuk do të ketë kthim në gjendjen që ishin palët deri në 7 tetor. /tesheshi.com/