Që prej shpërthimit të bombës së CEZ-it, ku doli emri i Ilir Metës, përplasja ndërmjet kreut të LSI-së dhe kryeministrit të vendit po zhvillohet me taktika lufte të tërthorta, duke dhënë sinjale të kthimit dhe në betejë frontale.
Sokol Balla shkroi dje se lufta tashmë ka filluar, duke theksuar se Meta po e sulmon Ramën tek njerëzit e tij më të rëndësishëm në qeveri, siç janë ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por ditën e sotme kësaj liste iu shtua edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Janë pikërisht këta njerëzit që Meta nuk i do në qeveri. Dhe, si për ta vërtetuar këtë, mjafton të shikosh linjën e egër të ndjekur vetëm javët e fundit nga dy qarqe mediatike të gjendura pranë kreut të Kuvendit.
Gazetat Sot dhe Koha Jonë, të përvijuara prej një viti si media pranë mazhorancës, tashmë i kanë hedhur “gjylet” e rënda të artilerisë kundër njerëzve më të afërt të Edi Ramës. Gazeta Sot e ka hapur faqen e parë të numrit të 16 tetorit me një batare sulmesh ndaj Gjiknurit, Tahirit dhe Canit, që i kalojnë edhe caqet e përdorura në sulmin e përditshëm nga media e opozitës.
Por kjo është vetëm në njërën anë, Pasi, paralelisht, edhe media pranë Ramës i ka dhënë vend një lajmi që i djeg shumë kreut të Kuvendit. Dhe bëhet fjalë për vendosmërinë e Kastriot Ismailajt të DIA-s që të vazhdojë betejën me CEZ-in në arbitrazhin ndërkombëtar. Betejë që në thelb synon pikërisht hapjen konkrete dhe reale të një hetimi ndërkombëtar në sytë e mbarë opinionit publik. Çfarë ka më rëndësi është se bëhet fjalë për një proces, dhe jo thjesht për një hetim, i cili mund të zbehet rrugës.
Dhe pikërisht kjo lëvizje ka sjellë një sulm frontal prej kret të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskajt, i cili e paditi ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri, për marrëveshjen që shmangu arbitrazhin mes kompanisë çeke dhe shtetit shqiptar. Marrëdhëniet mes Bujar Leskajt dhe Ilir Metës kanë qenë gjithnjë të mira, madje një vit më parë kreu i Kuvendit ka deklaruar në programin televiziv Top Story se ai e përkrahte një mandat të dytë për kreun aktual të KLSH-së, të cilit i mbaron tani mandati aktual.
Por ç’ndodh mes kësaj mazhorance në luftë të hapur: Ilir Meta synon t’i largojë njerëzit e padëshiruar nga ai prej qeverisë Rama, ndërsa kryeministri nuk dëshiron t’u japë duart atyre që i cilëson si asete të organit të tij qeverisës. Teorikisht, Edi Rama nuk i ka numrat, dhe nuk mund të bëjë pa një pakt me Metën, që, nga ana e tij, në mos shkoftë gjer te zbatimi i plotë i kërkesave të tij, lë hapësirë për një marrëveshje “optimale”.
Por burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se Edi Rama ka qenë mjaft i qartë: o në këtë skemë që është vendosur në vitin 2013 sipas marrëveshjes së 1 prillit, ose një pakt i ri në kushtet e reja. Veçse sot ky pakt do të bëhej tërësisht në një situatë tjetër, dhe që varet shumë nga ndërkombëtarët, të cilët po e bindin Lulzim Bashën të bëjë me Ramën marrëveshjen e madhe jo vetëm të miratimit të reformës në drejtësi, por edhe të ndryshimit të Kushtetutës. Dhe që në thelb, si pikë të tretë dhe më kryesore, ka zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë një zgjidhje ndërkombëtare, por i dalë me votat e përbashkëta të Ramës dhe Bashës.
Dhe nëse ndodh kjo, atëhere do të kemi një konfigurim krejt të ri të politikës shqiptare, me një pol të fuqishëm, që do të sjellë kushte të reja edhe në kuadrin e një marrëveshjeje të rinovuar mes Ramës dhe Metës. Ndaj presioni i kreut të LSI-së bëhet para se kjo marrëveshje të nënshkruhet. Kjo, me qëllimin për ta kushtëzuar, apo për të hyrë në mes, edhe pse ai e ka parë veten gjithmonë të mënjanuar në marrëveshjet e mëdha. Ashtu ndodhi në 2002-shin mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës për zgjedhjen president të Alfred Moisiut, dhe mes Sali Berishën e Edi Ramën në vitin 2008 për ndryshimet kushtetuese dhe për krijimin e një “republike kryeministrore”. Para pak kohësh theksohej në faqen tonë se jemi para “luftës finale” midis PS-së dhe LSI-së, e cila nuk kujdeset shumë për të ashtuquajturat dëme anësore, por për terrenin dhe plaçkën që fitohet në fund. /tesheshi.com/