Lëvizja Socialiste për Integrim nisi premtimet e fushatës elektorale nga një tryezë për bujqësinë e organizuar me fermerët dhe specialistët në Suk 1 të Fierit. Në tryezë u diskutua për programin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim të bujqësisë dhe çështjet që fermerët e pranishëm vlerësonin të rendësishme për zhvillimin e sektorit.
Kryetari i LSI-së Petrit Vasili tha se objektivi i kësaj partie është 5-fishimi i buxhetit të shtetit në fushën e bujqësisë.
“Objektivi kryesor që ne kemi vendosur është 5-fishimi i buxhetit të shtetit në fushën e bujqësisë, duke arritur në nivelin e 250 milionë eurove në vit. Pra, një 5-fishim i cili është rrënjësor dhe transformues për këtë fushë kaq të rendësishme të jetës sonë ekonomike dhe shoqërore, pasi lidhet me fatet e mijëra njerëzve”, theksoi ai.
Sipas kryetarit të LSI-së, ky shtim buxheti hap 50,000 vende të reja pune, sjell dyfishim të prodhimit kombëtar në fushën e bujqësisë dhe dyfishon të ardhurat e çdo familjeje dhe çdo fermeri. /tesheshi.com/