Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

LIGJËRIMI/ Tomor Alizoti: pse asnjë fjalë turpe, por pse shumë zhgënjim

Jo padrejtësisht por mizorisht dhe fëlliqësisht, Tomor Alizotit, të dërguarit të PD-së në Berat, njëherësh kandidat për këtë qark, iu vu në gojë një frazë e pathënë prej tij, nga ato banalet, gjatë një fjalëmbajtjeje me të rinj beratas në kuadër të zgjedhjeve të 24 prillit.

Qëllimisht apo pa dashje, fjala rrogëtar i është transformuar në tjetër gjë, duke abuzuar me nëpërdhëmbjen e tij në artikulim.

Por në pjesën tjetër të ligjërimit të tij, Alizoti, deri pak vite më parë një yll i shfaqur në publik i kulturës diplomatike dhe i artikulimit në trajtesa po diplomatike, le fort për të dëshiruar, për të mos thënë që është një zhgënjim.

Ia vlen të theksohet se Tomor Alizoti është një i djathtë race në PD, së paku nga trashëgimia familjare. Si ai, në PD pakkush është. Nga atributet që trashëgon, vetë Basha është shumë larg tij, te ajo linja klasike e djathtë.

Pema familjare e Tomor Alizotit është diç për t’u patur zili, nga ata që ndërtojnë krenarinë e tyre, sidomos politike, edhe në prejardhje. Dhe në këtë pikë, për këtë atribut, rrallëkush mund të krahasohet me pinjollin e Alizotajve, të cilët janë një copëz historie e këtij vendi.

Basha nuk e gëzon këtë atribut, si dhe shumë të tjerë në profilin politik, që i ka bosh hapësirat e krenarisë trashëgimore familjare e fisnore. Më rëndë akoma është Berisha në këtë pikë.

Por ç’ka ndodhur me Tomor Alizotin, ku fjalambajtja e tij para të rinjve beratas, ishte nën formimin e tij, duke qenë njëherësh i tij?

Qysh në çastin që vendos të angazhohet politikisht, duke u futur në PD, i jepet i gjithë artikulimit të rëndomë partiak, atij të cilin PD e ka dramatikisht kurrë të reformuar dhe sot në një degradim shqetësues në planin politik dhe shoqëror. Prej këtij çasti, Tomor Alizotit i bie ajo aureolë freskie mendimi dhe elegancë artikulimi.  Imazhi i tij simpatik nis e zbehet, deri sa as që nominohet në perceptimin e opinionit si një risi në politikë, aq më pak si emër bindës i diplomacisë së ardhshme shqiptare.

Thënë ndryshe: në vend që të investon dhe të dikton personalitetin e tij të forca ku aderon, e prish këtë personalitet duke infektuar me viruset e pazhdukshme të kësaj force.

Në mesazhet para të rinjve, ai e ngushton vizionin qeverisës të PD në një raport interesi militantesk. Nëse kredoja e forcës së tij është “Fiton Shqipëria” – jo e kritikueshme si gjetje – ai i drejtohet grigjës rinore duke jua vizatuar 25 prillin si qasje te të mirat e pushtetit – vende pune; rrogë, para – këto, në këmbim të votës.

“U në ju jap vetëm besën që po fituam, hapësirat tona janë maksimale.

Po bëjmë pak histori, që në kohën e Jul Cezarit kur ishte perandor, i priste njerëzit tek dera në bazë të votave: kush kishte më shumë, ishte në rresht të parë. Dilni ju në rresht të parë, që nesër të shkojmë te kryetari i PD që të kërkojmë hapësira për demokratët (shton më pas: dhe për shqiptarët)”, janë fjalët e Tomor Alizotit.

Ai vijon duke mbajtur gjithashtu një nivel të ulët ligjërimor, që, edhe pse i diktuar për këtë nga xhinsi njerëzor që ka para, një kulturë politike e ardhur nga shkollimi, gjithashtu dhe nga trashëgimia e tij fisnike, do nxirrte me patjetër krye. Por kjo nuk ndodh.

“Turruni sot, sot sepse ne kemi shancin, ta thyejmë në mes atë, dhe ta shkrijmë atë, sepse nëse Blendi Klosi do me bë miliona, ne luftojmë për punë. Ai lufton për të ruajtur milionat e eurove që ne si kemi kemi parë në ëndërr”, shprehet i riu Tomor Alizoti, duke huazuar fjalorin e vjetëruar të PD-së.

Eshtë pikërisht kjo që PD nuk e ka përfshirë kurrë në rivalitetin klasik politik me kundërshtarin e tij historik: formatin kulturor dhe etik.

Ky format, i cili e karakterizoi PD-në në fillesat e saj, duke thithur pjesën më qytetare të shoqërisë, nisi të humbte vit pas viti, e sot, mjafton treguesi elektoral, ku të gjitha qytetet e rëndësishme shqiptare, përfshirë Tiranën dhe përjashto Shkodrën, qeverisen në tre deri katër mandate nga PS, kjo pasi PD i ka qeverisur fillimisht në një apo dy mandate, e që sot janë të paimagjinueshme t’i rifitojë sërish si në fillimet e ’90-ës. /tesheshi.com/                  

auto pjese dak

Related posts