Në optikën e Spartak Ngjelës vetëm Azem Hajdari kishte të gjitha tiparet e një lideri pas viteve ’90, ndërsa sipas tij e ardhmja e vendit dhe e PD-së do ishte krejt ndryshe po të kishte udhëhequr Gramoz Pashko dhe po të zbatoheshin idetë e tij.
Bashkëbisedimi i avokat Ngjelës me studentët në“Shkollën Pranverore të Lidershipit” në Dhërmi organizuar nga Instituti Europian Pashko.
Duke qenë se Gramoz Pashko në vitet 70 ka qenë një nga nxënësit “kulturor” të avokat Ngjelës, çfarë mund t’ju thoje sot të rinjve nga tipi apo prototipi i Pashkos në rini?
Pashko ishte një nga studentët më me vullnet që kam takuar. E kishte nga ambicia apo e kishte nga ndonjë gjenerim i brendshëm unë nuk di tju them. Ai la një vit universitetin për të bërë një kurs jashtë kornizave të universitetit të Tiranës. Kur e takova, ai e kishte zgjedhur drejtimin e studimeve për shkenca ekonomike, dhe po të më kishte pyetur mua unë do t’i kisha sugjeruar diçka tjetër. Por ekonomia politike që bënin në atë kohë ishte Marksi dhe Adam Smith. Pra nuk ishte shkollë e keqe, por ishte shkollë formuese. Pashko më vonë u thellua shumë në studimet ekonomike në nivel teorish ekonomike, dhe kam përshtypjen dhe si pedagog do të ketë qenë shumë i mirë. Pasi dy leksione që i kam kërkuar unë, dhe kur i kam kontrolluar më vonë kur më duheshin ishin në nivele shumë të larta. Universiteti Europian i Tiranës e ka marrë si etalon dhe mirë ka bërë. Është themelues i partisë demokratike, por ata e hoqën për faktin se nuk e kuptonin. Pastaj përsa i përket raportit të tij me idetë dhe politikën kjo s’ka lidhje me shkencën, por si njeri i fushës akademike ishte në një nivel shumë të lartë. Sepse njihte mirë letërsinë, njihte shumë mirë pikturën, muzikën në të gjitha aspektet e veta. Pashko ishte enciklopedist, njihte mirë historinë, njihte në mënyrë perfekte gjenetikën, dhe gjuhët e huaja. Ai fliste në mënyrë të shkëlqyer italisht, frengjisht dhe anglisht. Këto gjuhë i njihte në nivele të larta të cilat ishin në funksion të jetës së tij akademike. Mua më vjen mirë që Universiteti Europian i Tiranës kërkon ta pozicionojë sa më lart.
Duke qënë se në pjesën e parë ju folët për cilësitë e një lidershipi, ju si mendoni, cili nga politikanët shqiptarë është me cilësitë e një lidershipi të suksesëshëm?
Unë kisha përshtypjen dhe me qënë se ai nuk jeton më, por Azem Hajdarin e kisha menduar si një lider të suksesshëm, por ai nuk arriti të vazhdonte në rrugën e tij sepse e vranë. Në momentet që ishte në pjekuri e sipër dhe kulturën po e merrte me vonesë, u vra. Po ai i kishte cilësitë. Kur e kam takuar unë Azemin unë i kam ditur këto cilësi që ju thashë, dhe ia konstatova. Ishte shumë i shpejtë në veprime. Nuk ishte anti-intelektualist, dhe luante mirë shahun e politikës. Por nëse do t’i përmbahemi të gjitha atyre cilësive që thamë më lart dhe parimeve të oksidentit, duke u kthyer tek pyetja mund të them se në Shqipëri nuk ka lider.
Meqënëse ju keni qenë një nga njerzit e afërm të zotit Pashko, sipas jush nëse ai do të kishte marrë drejtimin e partisë demokratike, si do ishte Shqipëria nëse lider i PD nuk do kishte qenë Berisha?
Tani ne “me sikur” nuk mund të ecim por unë mund tju them se Pashko e kishte bërë gati reformën ekonomike. Dhe unë e kam parë atë reformë dhe është një reformë e shkëlqyer, dhe më ka mahnitur. Meqenëse ka edhe ekonomistë këtu, gjëja që më ka pëlqyer më shumë dhe që i kishte krejtë origjinale, ishte projekti për konvertimin e monedhës dhe që sot ende nuk e kemi të konvertuar, do përdorte dy lloje lekësh. Lekun si ky i joni, që nuk e ha as qeni, dhe lekun e konvertuar. Dhe lekun e konvertuar pra të gjithë atë sasi lekësh që do hedhësh në treg duhet ta kesh të siguruar diku jashtë në një bankë, në ar apo në një monedhë të fortë, në mënyrë që të bëhet konvertimi i menjihershëm i lekut. Dhe ai e kishte bërë shum bukur pasi e njihte mirë programet kompjuterike. Dhe programin e kishte programuar vet. Mund të shikoje me detaje se si merrte territor leku i konvertuar duke i zënë vendin lekut ekzistues. Në këtë mënyrë ne do ishim të predispozuar të përdornim lekun që ishte i garantuar në ar në një bankë tjetër deri sa ky lek të zhdukej fare nga tregu, që do ishte një gjë shumë e madhe. Dhe sistemin bankar e kishte ndryshe. Pashko ishte i pari që e goditi sistemin aktual bankar, dhe kishte të drejtë, ai kishte ndërmend një tjetër sistem bankar. Duke u nisur nga kjo dhe nga kapaciteti i tij ekonomik, dhe me njohuritë e thella që kishte ai do kishte një përkrahje perëndimore shumë herë më të madhe dhe duke krijuar një besueshmëri më të lartë tek partnerët. Dhe në këtë mënyrë bashkë me Pashkon do ishte më mirë, jo vetëm partia demokratike, por edhe situata politike në vend. Por Berisha eliminoi jo vetëm Pashkon, por të gjithë zërat dhe mendimet ndryshe në parti, duke bërë që t’i ndalej rruga edhe të tjerëve për t’u afirmuar si lider.
Duke u nisur nga dy librat e tu, “Përkulja” dhe “Rënia e tiranisë shqiptare”, një mediokër si Enver Hoxha që e mbajti pushtetin për më shumë se 40 vjet, a mund ta quani lider, dhe çfarë pozicioni zë Enver Hoxha si lideri.
Të gjithë liderat komunistë përfunduan në mediokër. Edhe në bashkimin sovjetik mediokriteti drejtonte dhe historia e komunizmit është një histori që sillet rreth mediokritetit dhe dijes së lartë. Si doktrinë ajo vinte nga një filozof që unë se pranoj por që nuk ishte i dobët. Dhe që të kuptone atë duhet të kishe një formim akademik shumë të lartë. Ata që e morën pushtetin dinin të bënin diçka, ishin të pjekur, kishin kapacitet intelektualedhe me që ishim në diktaturë dhe në tirani i fituar del ai i cili di të përdorë çdo mjet. Intrigë, sharje, propagandë, etj..
Duke u kthyer tek Enver Hoxha, ai ishte më mediokër se liderët e tjerë komunist, por ai nuk rrëzohej sepse në kushte të tilla nuk të rrëzon dot populli me votë. Po të mos ishte mediokër, nuk do kishte rënë si figurë. Ja shikoni Mao, ai nuk ka rënë si figurë. Tiran ishte, por ka thënë diçka. Dhe ka një brum që e mban, por ky i yni s’ka thënë asgjë, hiç, broçkulla ka thënë, prandaj ra. Por kjo nuk mjafton për të thënë se është njeri i madh, se po të jetë kështu Ali Pashë Tepelena është dhe më i madh se ky, apo edhe Ahmet Zogu. Pra ruajuni mediokritetit kur s’ka demokraci dhe në Shqipëri nuk ka demokraci. Këtu pushtetin e ka gjyqtari dhe mund të them se, jo vetëm Enver Hoxha ishte mediokër, të gjithë dhe sot janë mediokër.
Shpeshherë kemi dëgjuar se politika apo pushteti e ndryshon individin, a mund të na thoni se si ndodh kjo?
Sigurisht që pushteti të deformon. Mund të ndodh që të hysh në politikë apo në pushtet dhe të dukesh në rregull, por të ndryshon shumë.
Si mendoni, a e demotivojnë ata që shpesh i quajmë servilë ata që vërtet duan të hynë në politikë dhe të jenë liderat e së ardhmes?
Forca e karakterit dhe morali janë principe që i kërkon universiteti i Oxford, dhe po nuk i pate ato nuk të pranojnë. Hesiodi ka qenë bashkëkohës me Homerin, dhe që atëherë tha; çështë ky ligj? Nuk është ligji kryesori. Ligj kanë dhe kafshët. Ajo që na ndan nga kafshët tha Hesiodi është principi moral i drejtësisë. Dhe ne ecim me ligjet e kafshëve, sepse këtu s’ka drejtësi.
Publikuar në Mapo print – /tesheshi.com/