Shënime për librin me rrëfenja “Krijesat e një dite” të Irvin D. Yalom
Nga Agim Baçi
Ç’kërkon Pol Endrju? Të gjejë dikë që ta vlerësojë në jetë. Atë që na nevojitet që të gjithëve: Dikë që beson te aftësitë tona, te ajo që jemi të zotët të bëjmë. Dhe kur e gjejmë atë person, ndjejmë se vdekjen e kemi larguar disi dhe përpara nesh shfaqet dëshira për të jetuar, për të buzëqeshur, për të kërkuar më të mirën.
Çfarë ndodh me ne kur nuk arrijmë dot të kapërcejmë të shkuarën? Çarli është një person që jeta e ka shpërblyer me plot të mira. Por ora e ndjesive i ka mbetur atje, në çastin kur babai e la. Çdo humbje e tij në jetë i kujton humbjen e babait dhe i kthen pyetjet mes imagjinatës dhe realitetit. Por a e krijojmë ne vetë realitetin? A janë gjërat përpara vendimtare apo ajo që mendojmë ne?
Cila orë e jetës mbetet e rëndësishme për ne? Cila kohë ndalon brenda nesh? Ndalon ai çast kur ndaj nesh ishin gjithë sytë e të tjerëve, apo kur arritëm ta lexojmë vetë vetveten? Në të dhjetë rrëfenjat këto pyetje ndërthuren si një kërcim polifonik, duke të ftuar të bëhesh pjesë e kësaj valleje njerëzore.
Për Natashën, ish balerinën ruse, e tashmja e sigurtë nuk do të thotë e gjithë jeta e saj e ndërgjegjshme. Diku thellë, sapo ta gërvishtësh, jeton Sergei, dashuria e parë që e ka braktisur në rini. Por ajo nuk do ta shohë në moshën shtatëdhjetetrevjeçare. Jo. Ajo dëshiron të kujtojë atë fytyrë me të cilën kërcente kur ishte e dashuruar…. A nuk mbeten tek ne gjatë gjithë jetës gjurmë të tilla të pashlyeshme?
E kështu me rradhë, Xhejson, Moli, Sali, Eli, Uolli, Helena e deri te Xharodi, janë të gjithë pasqyrat e pikëpyetjeve të brendshme, që vërtiten mes dëshirës për të kuptuar se cilët jemi, të shkuarës sonë dhe dhe të pashmangshmes që do të vijë. Të ndryshëm në errësirën e tyre, por janë të gjithë nga ata persona që Irvin D. Yalom na sugjeron t’i njohim. Duket si një vijim i librave të tij të mëparshëm “Kur qau Niçja” dhe “Kura e Shopenhauerit”. Duke i sjellë përpara nesh personazhet si lexues të librave të tij, si spektatorë, apo si të rastësishëm në jetën tonë por me efekt paharrueshmërie, Yalom rrëfen pa e bërë dallimin përfundimtar nëse ka nevojë që vetëm të dëgjojë, apo edhe ta dëgjojnë atë vetë.
“-Ti më pyete se çfarë po mendoja dhe kjo gjë më kaloi në mendje, që çdo njeri ka sekrete. Më lejo të ta shpjegoj. Ky lumë mendimesh m’u shfaq nja dy minuta më parë, kur ti fole për natyrën e realitetit dhe se si e fabrikon atë. Pastaj fillova të mendoja se ke shumë të drejtë. Realiteti nuk është diçka e gatshme, secili nga ne e ndërton ose e fabrikon në një shkallë të konsiderueshme. Pastaj, për një çast – më dëgjo me vëmendje, ti më pyete se çfarë mendoja- mendova për filozofin gjerman, Kantin, i cili na mësoi që strukturat e mendjeve tona në mënyrë aktive ndikojnë në natyrën e realitetit që përjetojmë. Pastaj fillova të mendoja për të gjitha sekretet e thella që kam dëgjuar përgjatë gjysmëshekulli praktike si terapist dhe, duke reflektuar që sado të dëshirojmë që të bëhemi një me tjetrin, do të ketë gjithnjë pak distancë. Më pas mendova se si përvoja jote e ngjyrës së kuqe ose shijes së kafesë do të jetë gjithmonë e ndryshme nga e imja për arsye që nuk do t’i kuptojmë dot kurrë tamam…” (Irvin D. Yalom, “Krijesat e një dite”, f. 32)
Përvojat tona, ndjesitë tona, kanë një të vërtetë: atë brenda vetes sonë. Tamam për këtë arsye, jemi ne dhe vetëm ne që mund t’i japim udhën e duhur asaj që duhet të dalë nga brenda nesh e të jetojë, të na tërheqë në rrugëtimin e së përditshmes, e të mos kalojë në mosnjohje. Përballja me vdekjen, me humbjen, me vetveten, mbeten sfida të përdtishmërisë dhe të gjitha kërkojnë nga ne t’i shikojmë në përditshmëri, pa i shtyrë në errësirën e pafund të së pathënës, të së pamundurës për t’i gjetur zërin.
“Të gjithë jemi krijesa të një dite: si ata që kujtojnë, edhe ata që kujtohen… Reflekto përpara se të jesh askush dhe askund”, shprehet në “Meditimet” e tij Mark Aureli, duke sugjeruar që të gjejmë rrugëzgjidhjen për t’i dhënë kuptim ditëve tona. E në këtë rrugëtim, padyshim më e rëndësishmja është të kthejmë sytë nga vetja dhe të mos ngurojmë t’ia themi atyre që duam gjithçka që u takon. E Irvin D. Yalom, përmes dhjetë rrëfenjave, vjen si një amanet: “Fundi mund të jetë i përbashkët, por rrugëtimi për të gjetur vetveten është i gjithë në dorën tonë”! /tesheshi.com/