Kuvendi i Kosovës, pas një debati maratonik ka miratuar një projektrezolutë që parasheh themelimin sa më të shpejtë të ushtrisë.
Projektrezoluta e propozuar nga deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, mori votat e të gjithë deputetëve, 68 sa ishin në sallë.
Rezoluta përmban dy pika:
– Qeveria e Kosovë autorizohet që sa më parë të koordinojë dhe procedojë strategjinë për transformim të Forcës së Sigurisë dhe Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
– Duke shprehur përkushtimin për integrimin në organizata e paktit veriatlantik në NATO, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat tjerë të bashkërendojnë hapat për harmonizimin në përpjekje me NATO dhe SHBA-në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës konform mandatit të autoriteteve të Kosovës.
Ja si shkoi debati…
Paraprakisht për orë të tëra deputetët zhilluan debat të ashpër për (mos)bërjen e ushtrisë ku u kritikua si qeveria aktuale edhe ajo e kaluara.
Se nuk do jetë lehtë të formohet ushtria, përkundër faktit se të gjithë dëshirojnë një gjë të tillë, e tha qartë kryeministri Isa Mustafa i cili pranoi se ndërkombëtarët i kanë thënë se nuk mund të ndodh transformimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura pa ndryshimet kushtetuese, për çka nevojiten votat e Listës Serbe.
“NATO dhe partnerët tanë strategjikw mbesin të përkushtuar që FSK mund të transformohet në çdo kohë në Forcë të Armatosur, përmes ndryshimeve kushtetuese me përkrahje të nevojshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke i ruajtur të arriturat e deritanishme në konsolidimin e vendit, dhe integrimin e komuniteteve”, deklaroi Mustafa.
Ai tha se alternativa që të themelohet ushtria përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në nuk është diç që mund të hidhet poshtë, por shtoi se ky opsion aktualisht nuk përkrahet nda ndërkombëtarët.
Edhe ministri i FSK-së, Haki Demolli ka thënë se çdo vendim që ndërlidhet më transformimin e FSK-së në FAK do të jetë i koordinuar me NATO-n.
“Ne si ministri jemi të gatshëm, respektivisht Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të filluar procesion e transformimit në Forca të Armatosura, kurse vet fillimi i procesit varet nga vendimi që do të merr ky Kuvend. Por, konsiderojmë se çfarëdo vendimi që merr ky Kuvend, ai nuk duhet të jetë i njëanshëm, por duhet të jetë i koordinuar dhe në konsultim me NATO-n dhe partnerët tanë strategjik”, ka theksuar ministri Demolli.
Demolli bëri të ditur se pavarësisht ftesave të shumta që i janë dërguar Listës Serbe, kjo e fundit nuk i wshtw përgjigjur për të diskutuar lidhur me këtë transformim të FSK në Forcë të Armatosur.
Paraprakisht, inicuesi i debatit për themelimin e ushtrisë, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se nuk është qëllimi që Kosova të formojë forca një etnike, por as nuk mund të vazhdohet në pafundësi që vendi të mos e ketë ushtrinë e saj.
“Nuk mund të shkojmë në pafundësi pa ushtri dhe nuk është improvizim, por pikërisht ato mekanizmat NATO-s, forcave të sigurisë i që i kemi aty, pikërisht i njëjti mekanizëm e ka bërë gati lëndën në versionin në B. Askush nuk po tenton të bëjë forca etnike, askush nuk po tenton të rrezikojë asnjë element serb, qëllimi final është anëtarësimi në NATO”, tha Haradinaj.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, njëherët ish ministër i FSK-së, Agim Çeku ka kërkuar themelimin sa më të shpejtë të ushtrisë duke tërhequr vërejtjen se vendi nuk guxon të mbetet pa të.
“Ne pa ushtri nuk mundemi me mbetë e as nuk guxjmë me mbetë. Në fund të fundit ne duhet që ligjin ta nxjerrim me referendum, dhe kushtetutën ta mbrojmë me referendum”, ka thënë ai.
Çeku më tej ka thënë se qeveria duhet të caktoi një datë se kur do ta sjellë në Kuvend formimin e ushtrisë, duke thënë se caktimi i datës do të mundësonte një diskutim dhe një afërmi mes palëve me mbështetjen e faktorit ndërkombëtarë.
Kurse, deputeti i Vetëvendosje-s, Albin Kurti tha se Kosova ka nevojë të ketë një ushtri, jo për luftë por që të ketë paqe.
“Një kryeministër i tillë nuk ta bënë ushtrinë. Ne mund të bëjmë debat gjithë ditën dhe gjithë natën, por nuk do të jetë e mundur. Ushtria është ajo që siguron paqen aq më tepër ndaj armiqve që asnjëherë nuk janë dëshmuar paqësorë me ne”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, portali tesheshi. com përmes një shkrimi të botuar më 30 janar që mund ta gjeni në këtë link:http://localhost/tesheshi/themelimi-ushtrise-se-kosoves-pse-eshte-e-pamundur-permes-ndryshimit-te-ligjeve/ , raportoi pse është i pamundur themelimi i ushtrisë përmes ndryshimit të ligjeve. /tesheshi.com/